NGA ROMEO KODRA*

Anri Sala, sot, është një nga artistët më të mëdhenj bashkëkohorë në botë. Do të doja ta besoja edhe unë, si çdo shqiptar, por a ka ndonjë njeri që di ta shpjegojë në shqip? Është goxha sfidë të gjesh në shqip ndonjë shkrim bindës për këtë … natyrisht po flas përtej panegjirizmave të tipit “fenomeni Sala”, ku me fenomen nënkuptohet paralelizmi midis Salës dhe futbollistit brazilian Ronaldo dhe jo ndonjë lidhje shkencore me filozofinë e Hegel-it apo Husserl-it.

Gjithsesi, si i thonë një fjale, i duruari i fituari. Por, pavarësisht mungesës së teksteve kritike, teorike dhe shkencore, madhështia e Anri Salës na vjen gjithsesi, nëpërmjet artikujve “të thellë” të medias sonë të përditshme që mbajnë ison e medias dhe ekspertëve të huaj, të cilat nuk vihen kurrë në diskutim prej komplekseve tona si provincialë të përhershëm të artit europian. Para pak ditësh, në një artikull-intervistë të tillë, hasa on line një fragment: “Ajo që mungon dukshëm dhe dëshpërueshëm është një skenë artistike ku dialogojnë dëshirat dhe vizionet dhe jo ku shfryhet kundër gjasave të munguara. Në momentin që do të ketë një qasje më pozitive dhe altruiste, me shumë gjasa do të marrë formë dhe frymë një skenë që do të sjellë dhe më shumë hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje, që së fundi do të përmirësojë cilësinë e institucioneve lokale dhe do të zgjojë interesin e institucioneve dhe kuratorëve ndërkombëtarë, çka do të ishte sa inkurajuese dhe jetike për artistet e rinj. Por për këtë duhet ndryshuar qasja: të qenurit skeptik nuk është shenje zgjuarsie apo mungese naiviteti, por simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave.” – cit. Anri Sala. http:// www.shekulli.com.al/p.php?id=395569 Mu duk shumë interesant si mendim, pavarësisht se aspak origjinal në kontekstin tonë, sidomos kur vjen prej njërit nga artistët më të mëdhenj bashkëkohor, prej të cilëve pritet diçka më alternative. Gjithsesi prej këtij pohimi të Salës mund të kuptohen disa gjëra mbi mungesën e formës së skenës artistike bashkëkohore shqiptare. Le ta fillojmë me disa pyetja, në mungesë të artistit, drejtuar tekstit: a ka vend ky pedagogjizëm? A ka kuptim? Përgjigjia duhet ndarë në disa pjesë, për të qenë më e kuptueshme. 1. Në Shqipëri nuk ka skenë artistike sepse edhe kur ajo u formua – si në rastin e Bienaleve të Tiranës, ku vetë Sala ka dhënë një kontribut të padiskutueshëm, ajo u zaptua ekskluzivisht prej pushtetit politik dhe emrave të artistëve dhe organizatorëve që morën pjesë, të cilët patën gjithsecili, në një mënyrë apo një tjetër, pjesën e vet. Rast dhe shembull emblematik për këtë është përfitimi i ndërsjelltë që Anri Sala praktikoi me Edi Ramën, që prej video-dokumentimit të ndërhyrjes estetike urbane që mban titullin “Dammi i colori”, që katapultoi imazhin e të dyve (me meritë) në rang ndërkombëtar, qoftë për politikë, qoftë për art. Por, pas benefiteve të imazhit të pjesëmarrësve, pas Bienaleve klima artistike e Tiranës së fillim shekullit u asgjesua duke mos lënë kurrëfarë strukture të qëndrueshme nga pas, përveç emrave dhe egove të të famshmëve që morën pjesë. Prandaj, nëse ky dialog “dëshirash dhe vizion” që Sala ka ndërmend në artikullin e sipërcituar, është ç’ka mund të quhet shembull për një skenë, ajo, për mendimin tim, nuk është artistike por një skenë përfitimi personal. 2. Pastaj kur Anri Sala flet për “pozitivitet dhe altruizëm”, ai vetë na dha shembullin më të mirë në përzgjedhjen e fundit për Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016, ku prej pozicionit të Kryetarit të Jurisë së Ministrisë së Kulturës zgjodhi fitues projekt-propozimin e platformës ku vetë merrte pjesë. Natyrisht, duke e marrë të mirëqenë sepse e kanë vlerësuar “ekspertët e huaj”, Anri Sala meriton të jetë pjesë e çdo Bienaleje, por nuk besoj se ka tagrin dhe as i ka lënë vend vetes për të predikuar “hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje”. http://www.gazetashqip. com/lajme/2016/02/27/anri-sala-perfaqeson- shqiperine-ne-bienalen-e-venecias/ 3. Nga ana tjetër të bësh lidhjen e të përcaktosh “të qenurit skeptik” si “simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave” është kontradiktë e vetëdemonstrueshme prej përdorimit të termave. Në rradhë të parë, sepse duke përdorur një terminologji të lëmës së psikanalizës do të thotë t’i japësh diskurit një nivel paksa më shumë sesa profan. Në fakt “simptoma” apo “fundi i dëshirave” janë koncepte të tilla, psikanalitike. Së dyti, duke qenë të tillë, ato bien ndesh me skepticizmin, që në vetvete është i cytur prej dëshirës, prej pulsionit të saj, që kërkon të dijë, të dyshojë, të shohë në mënyrë të hollësishme (ky është kuptimi në greqisht i fjalës – skeptikos).

Madje vetë psikanaliza si shkencë nuk do të ekzistonte pa skepticizmin, pa dyshimin (P. Ricoeur, “De l’interprétation. Essai sur Freud”), aq më pak do të ekzistonte arti. Për ta qartësuar më shumë termin skepticizëm,të cilin unë e shoh si kyç tek puna, jo vetëm e Salës, por e çdo artisti e kritiku të artit, po përdor edhe një herë pjesë nga artikulli i “Shekullit”, në të cilën intervistohet edhe Massimiliano Gioni, kurator i ekspozitës më të fundit të artistit shqiptar në Neë York “Ansëer Me”. “Që kur e pashë “Intervistën” në 1998 më ka bërë shumë përshtypje. Është një vepër me shikim të parë, shumë e thjeshtë, thuajse një ditar apo një rrëfim, por në të vërtetë shumë komplekse. Është një lloj detective story, ku zbulohet se fajtori dhe viktima janë i njëjti person-mamaja e Anri Salës, që në këtë vepër mishëron thuajse metaforën e një kombi të tërë. Dhe është një detective story në të cilën kërkohet të zbulohet e vërteta, duke rindërtuar një kolonë zanore, duke rizbuluar gjuhën dhe tingullin. Ky shqetësim që përcillet më tingullin, si mjet i së vërtetës “do të rikthehet” në të gjithë karrierën e Anri Salës. Është ura lidhëse për shumë vepra të tij, dhe për të gjitha veprat në ekspozitën e Neë Museum. Në të përgjithshmen, “Intervista” nënvizon edhe një karakteristikë tipike të të gjitha regjimeve totalitare dhe të gjitha ideologjive; pushtimi i gjuhës, dhuna delikate dhe e padukshme në të cilën gjuha-formohet, transformohet dhe zbrazet nga çdo kuptim.” Lind pyetja: si ka mundësi që Massimiliano Gioni, kuratori i Anri Salës, vë theksin e punës së tij, që herët madje, që në 1998, pikërisht tek detektiv story? Pse ky fokusim tek metafora e detektiv-it (hetuesit), tek profesionisti i skepticizmit? Nga ana tjetër, si ka mundësi që një detektiv të mos jetë skeptik, siç këshillon Anri Sala artistëve tanë të rinj? Goxha kontradiktë! Madje midis kuratorit dhe vetë artistit, nëse do u përmbahemi fjalëve të këtij artikulli-intervistë. Përsëri lindin pyetje: mos ndoshta të huajt shohin Salën me një dozë të madhe ekzoticizmi dhe i kopsisin koncepte që ai vetë nuk ua ka idenë? Mos ndoshta Anri Sala, për arsye që publikisht injorojmë, herë i shfaq të huajve një faqe dhe herë u shfaq shqiptarëve një tjetër, siç bën një tjetër artist i madh i skenës politiko-artistike shqiptare? Apo, mos ndoshta, është Sala që nuk do të ndajë këtë “sekret të madh” me provincialët e Shqipërisë, të cilët dëgjojnë predikimin e përhershëm të hoxhës që thotë: “mos bëni si bëj unë, bëni si them unë?

Këto janë thjeshtë pyetje që më vijnë prej skepticizmit, të cilat mund të mos jenë automatikisht “shenja zgjuarsie” siç thotë Anri Sala, por për një gjë jam i sigurt: nuk janë “fundi i dëshirave”. Përsëpaku, jo fundi i dëshirës sime për kuptuar dhe bërë dallimin e thelbit të kontekstit artistiko-kulturor shqiptar prej shitjes së ekzoticizmave për art të miërëfilltë autokton në sytë e “të huajve” për interesa të ulëta përfitimi personal.

*Kritik arti

(MILOSAO/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: