Lojtari i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ka rrëfyer dje përjetimet e tij për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe dhunën në stadiumin e Beogradit.
Ansi, çfarë porosish ju lanë në orët para ndeshjes, trajneri De Biazi dhe presidenti i FSHF-së, Duka? Jo për aspektin tekniko-taktik në fushë, por për sjelljen dhe qëndrimin që duhej të mbanit në përgjithësi në Beograd?
Të them të drejtën, në analizat tekniko-taktike që bëhen para ndeshjes një vend të rëndësishëm kishte sjellja që duhej të kishim sapo të hynim në fushë para dhe gjatë lojës. Jemi porositur disa herë nga trajneri dhe presidenti që të mos binim pre e provokimeve që mund të kishte në stadium.
Si është çështja e problemit me hotelin që kanë shkruar disa media; e keni ndryshuar në fund? Sa e vërtetë është kjo?
Nuk jam në dijeni të ndryshimit të hotelit. E kam lexuar vetëm në media këtë gjë.
A patët frikë për jetën tuaj në momentin që vrapuat të mbronit flamurin në fushë?
Të them të drejtën s’kam pasur frikë fare. E kisha përgatitur veten për çdo gjë dhe çdo gjë që kam bërë e kam bërë me koshiencë të plotë, përfshi këtu dhe mbrojtjen e flamurit. Ato koret kafshërore dhe ato goditjet me sende të forta gjatë lojës vetëm sa na karikonin më shumë, mua dhe shokët e mi. Frika e vetme për mua ka qenë nëse flamuri do përfundonte në duar të tjera. Nëse do përsëritet përsëri ai moment, do veproja në të njëjtën mënyrë siç kam vepruar. Çdo shqiptar do vepronte në të njëjtën mënyrë.
Pas momenteve të tensionit, kamerat kanë fiksuar një debatin tënd në fushë me një prej lojtarëve serbë. Cili është ai dhe çfarë po i thoshit njëri-tjetrit?
Nuk e njoh si emër. Ishte një nga lojtarët e bankinës dhe po tentonte për t’u përleshur. Më tha ‘është faji juaj, se ju e futët flamurin’. I thashë që, ‘ne nuk e futëm, se ne po luanim, por ne duhet ta marrim dhe t’ia japim arbitrit të 4-t, se është flamuri ynë, ashtu siç do bënit dhe ju nëse do ishte flamuri juaj.
Çfarë ju tha trajneri De Biazi pasi u detyruat të hynit para kohe në dhomat e zhveshjeve?
Ishte shumë i shqetësuar për atë që ndodhi. U mundua me çdo mundësi të na qetësonte dhe të na rrinte pranë. Po ashtu, edhe pjesa tjetër e Federatës që ishte në Beograd na ndenji shumë pranë, përfshi këtu z.Duka.
Në ç’moment komunikuat me familjen tuaj pas ndërprerjes së ndeshjes?
Aty tek rreth 10 minuta pasi kishim hyrë tek dhoma e stadiumit. I mora në telefon dhe iu thashë që isha mirë dhe që të mos bëheshin merak.
Natën që u kthyet në Shqipëri në 4 të mëngjesit, fjetët menjëherë apo qëndruat për të biseduar me ekipin?
Natën që u kthyem, u nisa për në shtëpi, por kam arritur rreth orës 05:30 apo 06:00 të mëngjesit, sepse aeroporti ishte komplet i bllokuar me njerëz dhe me makina.
Cilat janë mesazhet që keni marrë nga miqtë dhe tifozët tuaj pas ndeshjes?
Mesazhe pa mbarim, me qindra, mos të them mijëra, nga më të ndryshmet. Sigurisht, kurajuese për atë që ndodhi. Ju them një fakt që, kur hapa telefonin në aeroport, vetëm tek mesazhet e Whats’app-it kisha rreth 170 mesazhe, jo vetëm nga miq apo familjarë shqiptarë, por dhe nga miq të huaj, kolegë apo shokë.
Pasi u kthyet në Karabak, a kishte reagime nga klubi apo vendasit atje për atë që ndodhi në Beograd?
Po, kishte reagim përkrahës kundrejt ekipit tonë për atë që ndodhi në Beograd. Sigurisht, pyetja e parë ishte: ‘a të ndodhi gjë ty?’, dhe përgëzime për mbrojtjen e flamurit nga ana e ekipit tonë.
Si ishte situata në avion gjatë kthimit në Shqipëri? Çfarë flisnit me njëri-tjetrin?
Në fillim e zymtë, pastaj filluam të bënim dhe ndonjë shaka, si për të hequr tensionin që na krijoi ambienti në stadium. Filluam të diskutonim atë që ndodhi. Kujtonim skenat e asaj rrëmuje. Dikush thoshte që kishte parë atë tifozin e tmerrshëm në fushë, Ivan Bogdanovin. Me thënë të drejtën, mezi prisnim të ulej avioni, se ishim shumë të lodhur, edhe fizikisht, edhe mendërisht.
Në median serbe qarkullon ideja që vazhdimi i ndeshjes mund të luhet pa tifozë në një vend asnjanës; si ju duket ky opsion?
Në mediat serbe është edhe opsioni që Serbia duhet të fitojë 3 pikët në tavolinë dhe Shqipëria të dënohet për të mos luajtur ndeshjet e saj në Shqipëri. Më duket absurde fare si opsion. Federata serbe kishte në dorë organizimin e ndeshjes dhe përderisa në fushë, përveç qindra tifozëve që hynë, hyri dhe Bogdanovi, ka dështuar plotësisht. Mediave dhe përfaqësuesve të Federatës duhet t’iu vijë turp për atë pritje me ato kore kafshësh. Ai nuk ishte tifozllëk, por mllef kundrejt 25 futbollistëve që në Beograd kishin shkuar të luanin futboll.
Midis dy vendeve ka lindur një debat i madh lidhur me vizitën e Edi Ramës në Beograd; a keni një mendim për këtë?
Unë mendoj se marrëdhënie ndërmjet dy shteteve duhet të ketë, por kryeministri serb, që është dhe përfaqësuesi më i lartë i këtij shteti, në radhë të parë duhet të kërkojë ndjesë për atë që ndodhi në stadium, për ato kore, për përdhosjen e himnit, për gurët e stolat që lëshuan kundër nesh. Jam plotësisht i sigurt që nëse ndeshja e parë do luhej në Shqipëri, kurrën e kurrës tifozët shqiptarë nuk do ishin sjellë ashtu. Vetë ne lojtarët nuk do ta lejonim. Pavarësisht problemeve politike që kanë pasur dy shtetet, shqiptarëve, kur iu vjen miku në shtëpinë e tyre të presin si mik, jo si ata 35 mijë primitivë që ishin në stadium atë natë. Mjafton fakti që në Superligën shqiptare luajnë një numër i madh futbollistësh serbë dhe janë të respektuar për atë që japin në fushën e lojës.
Ju vetë, a do të riktheheshit për të luajtur në stadiumin e Beogradit?
Unë jam i bindur që, nëse ajo ndeshje do vazhdohej të luhej, mund të kishim pasur pasoja akoma më të rënda, ndaj për momentin opsioni që të luaj në Beograd bie poshtë. Mbase në të ardhmen nuk i dihet.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb