TIRANE- Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka vlerësuar aksionin kundër informalitet, duke theksuar se tashmë ekonomia shqiptare e ka lënë prapa krizën. Në prezantimin e fazës së dytë të Strategjisë kundër Informalitetit, kreu i Financave tha se, sot Shqipëria ka një model të ri ekonomik të konfirmuar nga 3 institucione ndërkombëtare dhe Banka e Shqipërisë.

Ministri Ahmetaj, i cili prezantoi fazën e dytë të strategjisë kundër informalitetit, theksoi se sot përmes teknologjisë së informacionit të ngritur në dy administratat, bëhet e mundur që çdo sipërmarrje të monitorohet nga zyra. Falës luftës kundër informalitetit, tha ai, ne arritëm të ulim taksat për biznesin e vogël.

“Shqipëria ka një model të ri ekonomik të konfirmuar nga 3 institucione ndërkombëtare dhe Banka e Shqipërisë”, tha ai, ndërsa shtoi se sot ekonomia shqiptare e ka lënë krizën mbrapa dhe në themel ka luftën kundër informalitetit.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e fazës së dytë të Strategjisë kundër Informalitetit
Sot realisht kemi një model të ri ekonomik. Një model të ri ekonomik të konfirmuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare që na mbështesin dhe sigurisht nga Banka e Shqipërisë, e cila është platforma statistikore, por edhe politikëbërëse patjetër, më e pavaruar në Republikën e Shqipërisë. Sot ekonomia shqiptare e ka lënë krizën mbrapa dhe në themel të modelit të ri ekonomik, patjetër që është zbatueshmëria e ligjit. Ky aksion kundër informalitetit është në themel të zbatueshmërisë së ligjit.

Kemi thënë kur e filluam në shtator këtë aksion, që në finale, është kundër varfërisë dhe kundër pabarazisë dhe sot kemi nga sipërmarrja një mbështetje realisht të pakufishme për atë që kemi bërë, sigurisht edhe mësime për atë që mund të bënim më mirë.

Unë besoj që në fazën e dytë të këtij aksioni të gjitha ato mësime, janë të reflektuara në detaje, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kanë gati një muaj që punojnë në mënyrë të përditshme dhe me detaje për të arritur në këtë moment që jemi sot, për të shpalosur një nga një të gjitha masat dhe gjithë atë vizion për fazën e dytë. Lufta kundër informalitetit do të mbështetet në katër shtylla kryesore, siç e thashë shumë shkurt në fillim të këtij aktiviteti.

1- Strategjia

Kur filluam aksionin kundër informalitetit, shumëkush, ndoshta edhe me cinizëm, tha se këta nuk e dinë se ku janë duke shkuar. Në gjashtë muaj, nën drejtimin e Kryeministrit, ne hartuam Strategjinë se ku do të shkojmë, jo vetëm me aksionin kundër informalitetit, por me gjithë reformimin e administratës tatimore dhe doganore. Ajo strategji, e punuar së bashku me FMN, jo vetëm që nuk është e rastësishme, por është e menduar mire, e maturuar dhe shikon larg në fakt, në favor të sipërmarrjes, të klimës së biznesit dhe asaj mençurie që iu referuam gjatë pjesës së parë të këtij takimi.

Shtylla e dytë është Plani Operacional. I referohem Planit operacional për një arsye fare të thjeshtë. Pamë mësimet. Çfarë pamë? Pamë që sipërmarrja ndërroi edhe sjellje, shumë sipërmarrje rritën përgjegjësinë tatimore në mënyrë vullnetare ose në bashkëveprim me administratën tatimore. Ka sipërmarrje, kjo është e vërtetë, që i shmangen përgjegjësisë së plotë tatimore dhe sigurisht që nëpërmjet platformës së riskut, në mënyrë shumë të zgjuar sesa më parë, sesa një vit apo shumë vite më parë, tani kemi mundësinë të shohim kapilarisht se çfarë ajo sipërmarrje është duke bërë në gjithë terrenin ekonomik të Shqipërisë dhe plani operacional ka detajim, qoftë për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, qoftë për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, qoftë për bashkëveprimin e tyre, duke u fokusuar mbi të gjitha tek sipërmarrja e madhe, për të luftuar atë përceptim të gabuar që pjesa e parë e aksionit ishte fokusuar tek të vegjlit, gjë që nuk është e vërtetë, edhe për faktin se përgjegjësia tatimore ndryshoi kryesisht tek kompanitë e mëdha.

Nuk më ka ndryshime taksash, sepse Kryeministri ka vendosur, qeveria ka vendosur, sipërmarrja ka kërkuar, që ndryshimi i shpeshtë i taksave dhe tatimeve krijon konfuzion dhe shkon në drejtim të kundërt të asaj që ne kërkojmë të bëjmë. Po ama kemi një paketë të re fiskale që e iniciojmë sot, paketa ka të bëjë me thjeshtëzim e procedurave dhe sigurisht që sipërmarrja këtu është partnere e drejtpërdrejtë ka të

drejtë në opinionet, në komentet apo dhe në sygjerimet që mund t’i jepni për sa i përket procedurave tatimore, doganore apo për sa i përket procedurave që prekin sipërmarrjen në tërësi.

Shtylla e katërt që unë personalisht besoj se është një nga shtyllat më të rëndësishme të dy elementeve kryesorë që kanë pagesat e tatimeve, është pagesa vullnetare që është në themel të marrëdhënies të tatimeve apo doganave me sipërmarrjen dhe së dyti drejtësia e sistemit tatimor.

Dikur kur e filluam aksionin në shtator, ose më mirë fazën e parë, Kryeministri tha që taksa është ajo që paguajmë për qytetarinë. Ky do të jetë fokusi, kjo do të jetë motoja e edukimit të tatimpaguesve gjatë gjithë periudhës së fazës së dytë. Taksat janë çmimi që ne paguajmë për qytetarinë. Ashtu siç bëmë me energjinë, ku treguam se 1 lek mospagim energjie ishte 1 lek i munguar investime publike në spitale, në shkolla, në rrugë, në pensione apo në pagat e rritura, të njëjtën gjë do të bëjmë që tani e tutje, me edukimin e tatimpaguesve. Arsyeja është fare fare e thjeshtë gjithashtu, se nuk është duke luftuar administrata tatimore dhe doganore kundër Shqipërisë, përkundrazi, është Shqipëria që do të luftojë kundër varfërisë dhe pabarazisë.

Unë po kaloj shumë shpejt tek të gjitha pikat duke i shpjeguar një nga një, të gjithë planin e aksionit.

Plani i aksionit në Drejtorinë e Përgjithme të Tatimeve:

1- Konsolidimi dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve të regjistruar në TVSh

Në fazën e parë të aksionit, lista e bizneseve të regjistruara në sistemin tatimor u përditësua dhe tani kemi të pasqyruar një sjellje të tyre më reale. Në platformën e riskut ne kemi mundësi të shohim çdo sjellje të një sipërmarrjeje që paguan TVSh. Ku blen? Ku shet? Si e reflekton përgjegjësinë tatimore? Si ulet TVSh? Pse i ulet TVSh-ja? Si i del TVSh-ja? Pse i ulet tatimfitimi? Pra duhet të dini se sot administrata tatimore ka mundësinë t’ju shohë nga zyra. T’ju monitorojë nga zyra dhe mbi të gjitha t’ju ndihmojë nga zyra.

Të dhënat dhe indikacionet e akumuluara në fazën e parë, do të konsultohen tashmë nëpërmjet sistemit elektronik që iu referua edhe Kryeministri dhe në rastet e evidentimit të devijimeve, biznesit do t’i komunikohet situata dhe do të alertohet për vetëkorrigjim.

Pra nuk ka më ardhje suprizë, madje do të shtohet paralajmërimi edhe një muaj ose dy muaj nëse doni, mjafton që të jeni në rregull me përgjegjësinë tuaj tatimore dhe nga zyra do ta shikoni gjatë gjithë periudhës së aksionit, do t’ju vijnë jashtëzakonisht shumë shpesh komunikime të ndryshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo e Doganave, për përgjegjësitë tuaja tatimore apo për probleme qoftë proceduriale, qoftë të ndryshme të sjelljes tuaj apo të detyrimit tuaj tatimor. Nuk është qëllimi që t’ju “kapim gafil”, nuk është ky qëllimi në mënyrë absolute. E kemi thënë në fillim të këtij aksioni, e themi edhe sot. Në këtë aksion ne jemi një palë, nuk jemi dy palë. Nuk jemi ne si administratë këtej dhe sipërmarrja në anën tjetër, ne jemi një palë në funksion të zbatueshmërisë së ligjit dhe të pagesës së domosdoshme për qytetarinë, qoftë personale të gjithësecilit, qoftë të vendit.

2- Eleminimi i abuzimit me nivelin zero të tatimit

Dua të ndaloj një sekond të vetme këtu dhe i referohem asaj që tha Kryeministri. Ishte një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e suksesit të fazës së parë. Vendosëm ta zerojmë tatimin për 83.500 sipërmarrje, sepse ne si mazhorancë, si qeveri, nuk e trajtojmë biznesin e vogël si biznes për t’u mjelë. Por siç e kemi thënë dhe

dikur kur kemi qënë opozitë, janë burim punësimi. Duke qenë burim punësimi, zerimi bëri të mundur atë premtim që kishim për të mbajtur dhe e mbajtëm, dhe sot vijmë në fazën e dytë, ai zerim dhe ajo e mirë publike që u transferua tek sipërmarrja e vogël mos të kthehet në ngarkesë për buxhetin e shtetit. Çfarë jam duke reflektuar mbi këtë gjë që thamë? Ka shumë sipërmarrje të vogla që kanë hequr dorë nga kuponi tatimor. Do t’ju lutesha duke ju referuar ligjit, duke ju referuar asaj që fola, pra ne jemi një anë dhe jo dy, dhe sigurisht instrumentave ligjorë dhe të drejtëpërdrejtë që kanë tatimet, që të mos abuzohet me faturat, sepse jeni në syrin e Administratës.

Sot, ne kemi mundësi që sipërmarrjen e vogël ta monitorojmë po nga zyra dhe për këtë do të ndaj me ju, që ne po punojmë me kampione në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Kemi marrë një grup-kampion prej 300 sipërmarrje të mëdha dhe kemi aplikuar në mënyrë kapilare të gjitha marrëdhëniet fiskale apo transaksionet që kanë këto kompani me Republikën e Shqipërisë, me gjithë sipërmarrjen e Republikës së Shqipërisë. Kalojnë një numër shumë i madh. Ne nuk kemi mundësi ta kontrollojmë atë numër por indirekt kemi mundësi ta kontrollojmë atë numër nëpërmjet kampioneve, që do të thotë kampionet për biznesin e vogël në Tiranë, kampione për biznesin e vogël në Durrës, kampione në Gjirokastër, kampione në Korçë, në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe kampioni nuk do të jetë një. Kampioni ndyshon, sepse edhe sjelljet tuaja, pra të sipërmarrjes, ndryshojnë dhe automatikisht administrata do ta adoptojë monitorimin, syrin, në varësi të sjelljes.

E njëjta gjë ndodh edhe me biznesin e madh dhe nuk do vihet siç e thamë dhe siç ju referua edhe Kryeministri, me një kontroll suprizë. Nuk është ky qëllimi. Së pari do t’ju vijë një mesazh nga administrata tatimore: Kujdes, ne shohim, për të mirën tuaj, që këtu keni devijime ose kemi nevojë të dimë më shumë për çfarë jeni referuar në këtë transaksion. Gjë që do t’ju alertojë ju dhe do t’ju bëjë që nëse do të prisni një kontroll, të jeni gati. Nuk është qëllimi i gjobës, qëllimi është që në finale, ju të mos e keni administratën në kurriz dhe e dyta të paguani detyrimet një për një asaj që i takon buxhetit të shtetit dhe asaj që i takon të ardhmes dhe qytetarisë së këtij vendi.

Platforma e riskut, është themeli. Sot janë 66% e kontrolleve që vendosen në bazë të kësaj platforme. Besojmë që deri në fund të aksionit 80% e auditeve, pra e kontrolleve, do të vendosen duke ju referuar platformës së riskut dhe jemi të gjithë duke mësuar më shumë nga platforma e riskut, por dua të ndaj me ju një element që është shumë I rëndësishëm, administrata e kupton sipërmarrjen, kushdo që e dëgjon e kupton. Sot në bazë të këtij sistemi, në bazë të kësaj platforme, ne kemi mundësi të kryqëzojmë të gjitha faturat e Republikës së Shqipërisë. Pra kjo është një kalim në fazën tjetër. Deri dje nuk kemi pasur mundësinë ta bënim, sot kemi mundësi ta bëjmë nëpërmjet një sistemi të ngjashëm. Kemi bërë një provë në Durrës dhe tashmë prova do të bëhet çdo muaj, por nuk do të jetë më provë, por do të jetë standard në të gjithë Republikën e Shqipërisë .

3- Instrumente inteligjente të kontrollit të bizneseve përmes platformës së riskut

Sistemi do të bëjë klasifikimin e sipërmarrjes në përputhje me nivelin e riskut. Bizneset me risk të ulët do të kontaktohen nga zyrat dhe do të këshillohen për problemet e konstatuar; në bizneset me risk të mesëm do të bëhen vizita fiskale, të cilat janë korrigjuese dhe vetëm në bizneset me risk të lartë, do të ketë kontroll të plotë të paralajmëruar tatimor.

4- Në themel është administrimi i TVSh

Shumë kush e di që në momentin që monitorojmë, në momentin që kontrollojmë, që deklarojmë një TVSh atëherë kemi mundësi që të kemi reduktuar të gjitha problemet e tjera në bilancin tonë dhe thënë kjo në administratë, në momentin që kemi në monitorim të mirë TVSh-në kemi garantuar shumë më pak probleme dhe kemi garantuar një mbledhje të ardhurash më të madhe.

5- Inventarët

Sigurisht që inventarët do të jenë në qendër të monitorimit, patjetër edhe të vizitës fiskale, por patjetër edhe të kontrollit. Mos harroni që disa muaj më parë, së bashku me sipërmarrjen ndryshuam ligjin “Për procedurat tatimore” dhe i dhamë mundësinë që të shkarkonin inventarë. Qëllimi ishte që të korrektonim përgjegjësinë tatimore dhe duke iu referuar në këtë rast inventareve.

Mos harroni gjithashtu që ka mbaruar afati kur dhe bizneset e mëdha mund të shisnin me kuponë si të vegjël. Nuk ka më. Ju e dini që tashmë ajo pjesë mund të jetë vetëm 10% dhe që nga 1 prilli, ka filluar që ajo e drejtë të jetë revokuar në bazë të ligjit dhe sipërmarrja e madhe të sillet si sipërmarrje e madhe, paguan si sipërmarrje e madhe, lëshon faturë tatimore si sipërmarrje e madhe. E kam dëgjuar shpesh nga ju sipërmarrësit që nuk e marrin bizneset e vogla faturën tatimore. Se s’bën e marrin. Është çështje përgjegjëshmërie, këmbëngulje, maturie, këmbënguljeje dhe maturie edhe e kërkimit nëse doni. Ndaj thashë që këtu jemi një, nuk jemi dy.

6- Pajisjet fiskale/ kuponi tatimor

U përceptuam sikur u morëm me sipërmarrjen e vogël. Patjetër që u morëm edhe me të, sepse zinxhiri i transaksionit na çon duke filluar nga i madhi tek i vogli, por fokusi i kampioneve tek të vegjlit do të jenë kuponi tatimorë/pajisja fiskale. Shumëkush e di, ata që më dëgjojnë, që sot ka kupona tatimorë që së pari nuk jepen. Ndaj i kërkoj qytetarëve që të kërkojnë kuponin tatimor, se janë duke abuzuar me të ardhmen e fëmijëve të tyre në qoftë se nuk e marrin atë kupon. I kërkoj qytetarëve që të marrin në dorë kuponin tatimor dhe të shohin nëse është reflektuar drejt vlera e transaksionit, se nëse vlera e transaksionit nuk është reflektuar drejt, nuk është çështja thjesht tek pagesa e një takse, nuk është çështja thjesht tek reflektimi i qarkullimit, por është abuzim me të ardhmen e fëmijëve të gjithësecilit nga ju, të gjithë shqiptarëve.

Besoj që për dy muaj do të kemi një aplikim që do të quhet Tatimpaguesi dixhital, ku shumëkush edhe në mënyrë anonime, mund të deklarojë problemet që ka me administratën tatimore apo doganore, problemet që kanë me procedurat, problemet që ka me tendencat të aferave korruptive në terren, qoftë në tatime apo qoftë në dogana dhe do të ballafaqohen nga Ministria e Financave dhe do të bëhen publike, sigurisht që do të jenë on-line qoftë tatimet, qoftë doganat.

Për sa i përket planit në dogana, fokusi do të jetë tek mallrat e akcizës

E ndaj me kënaqësi që kemi një përmirësim në mallrat e akcizës, qoftë në karburante, qoftë në cigare, por kjo është e pamjaftueshme. Unë patjetër që do t’i referohem asaj që tha Kryeministri që rezultatet janë të kënaqshme, por në sytë e mi, rezultatet janë akoma larg asaj që këto dy administrata dhe Ministria e Financave mund të arrijnë për buxhetin e shtetit. Jam i bindur personalisht, por jam i bindur edhe profesionalisht duke parë shifrat.

Fokusi do të jenë nafta dhe nënproduket e saj. Sigurisht që nga pakica deri tek shumica. Fakti tregon që duke u fokusuar tek këto mallra, kemi mundësi që ta rrisim përgjegjësinë tatimore dhe të nxjerrim në dritë edhe çfarë ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve në të kaluarën.

Rishikimi i praktikave të përdorimit të vlerave referuese:

Duhet të ketë një standard për vlerat referuese, një standard në Durrës, një standard në Tiranë, një standard për të njëjtin mall, në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe të reflektojë sigurisht vetëm aty ku ka pikëpyetje dhe dyshime për vlerë dhe këtu do të punojmë me “Kanalin Blu”, që për ata që nuk e dinë në themel do të jetë një verifikim midis doganave dhe tatimeve, kur tatimet në bazë të çmimit referues kontrollojnë vlerën në transaksion duke u fokusuar kryesisht tek tatimi I vlerës së shtuar.

Është e domosdoshme që të ketë ndërveprim mes dy administrative. Unë personalisht jam shumë I kënaqur që ndërveprimi është jashtëzakonisht I mirë, ka shumë për t’u bërë, por duket që është duke dhënë ato sukseset e para bashkëveprimi në shumë e shumë aspekte.

E theksova që një nga shtyllat e asaj që jemi duke bërë sot është thjeshtimi i procedurave. Për sa i përket doganave, “Kanali Jeshil”, sidomos për eksportin, do të jetë një kanal i drejtpërdrejtë ku eksportuesi nuk do të ndalojë në doganë për të kaluar në eksport. I kam kërkuar administratës të bëj gati proceduren, sidomos për bujqësinë, ku të shkojë një ditë më parë ose të presi dokumentacionin një ditë përpara për të bërë procedurën për produktet bujqësore që eksportohen që kanë dhënë atë sukses në eksportet shqiptare, në mënyrë që ‘Kanali Jeshil” për eksportet shqiptare të funksionojë me kronometër.

Do të organizojmë takime fokus- grup për të luftuar atë përceptim të gabuar që mund të kenë pasur apo mund të kenë. Në sytë e mi të dy administratat kanë filluar një proces ndryshimi të brendshëm dhe jo të forcuar nga jashtë, pra ka një indoktrinim shumë pozitiv brenda administratave për të kuptuar që janë në shërbim të tatimpaguesve. Por fokus-grupet që do të fillojnë që nesër, do të na ndihmojnë të kuptojmë se ku i kemi gabimet, çfarë duhet të ndryshojmë në perceptimin tonë, në mënyrë që të mos perceptohemi si taksidarë, por të perceptohemi si ndihmës të sipërmarrjes për të paguar detyrimet e ligjshme ndaj shtetit.

Së shpejti do të prezantojmë protalin web të dedikuar për informalitetin, ndërkohë duke nisur nga dita e nesërme, po aplikojmë një adresë specifike e-mail [email protected] ku mund të na ndihmoni të përmirësojmë punën tonë me procedurat, me ato pengesa që ju mund të keni apo me çfarëdolloj problemi që ju keni me Ministrinë e Financave dhe me të dyja administratat fiskale.

Sot është dita e parë e fazës së dytë intensive të aksionit kundër informalitetit. Jam i bindur që shumë shpejt do të arrijmë ta bëjmë të prekshëm, siç e bëmë gjatë fazës së parë, atë ndryshim thelbësor për qytetarët, sipërmarrjen dhe sigurisht dhe për administratat.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: