Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta deklaroi sot se objektivi i institucionit që drejton nuk është penalizimi apo ndëshkimi i subjekteve por lufta ndaj paligjshmërisë duke synuar krijimin e një klime të favorshme për të zhvilluar një biznes në funksion të konkurrencës së ndershme të barazisë para ligjit.

Duke dhënë rezultatet konkrete të planit operacional kundër informalitetit së bashku me ministren e Financave Anila Denaj, Gjokuta tha se janë kryer nga 1 korriku deri më 19 gusht 960 kontrolle nga të cilat 71 kanë pasur shkelje.

“Gjatë periudhës 1 korrik-19 gusht 2019 strukturat doganore janë angazhuar në zbatim të planit operacional të kontrollit në pika kufitare dhe në territor. Për kryerjen e kontrolleve për disa nga kategoritë e produkteve të akcizës ka pasur angazhim e bashkëpunim ndërinstitucional në terren me Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve. Ndërkohë që për kontrollin e hidrokarbureve, kryesisht në kontrollin e cilësisë por edhe në verifikimin e lejeve të tregtimit është përfshirë dhe Inspektorati shtetëror teknik industrial. Në total, janë kryer 960 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 71 raste. Kontrollet janë bazuar në një analizë paraprake të të dhënave që disponon autoriteti doganor por edhe nenoncimet e qytetarëve që kanë qenë të konsiderueshme.
Kjo është një betejë e një fenomeni që na prek e dëmton të gjithëve dhe vetëm duke qenë së bashku do të mundemi ta fitojmë”, deklaroi Gjokuta.

Ai theksoi se në çdo rast në varësi të shkeljes së evidentuar janë marrë masa me sanksione përkatëse. “Kur janë evidentuar elementë të veprës penale ka nisur hetimi dhe në total janë referuar në prokurori 9 raste. Në total për rastet e evidentuara me shkelje, detyrimet e munguara kanë qenë rreth 50 mln lekë, kurse penalitetet e vendosura kanë qenë 98 mln lekë.
148 mln lekë totali i detyrimeve, ose afërsisht 1.2 mln euro. Llojet e shkeljeve që kanë rezultuar për të gjitha kategoritë e produkteve të akcizës duke filluar nga karburanti, duhani, pijet alkoolike dhe kafja”, tha ai.

Për sektorin e karburantit, shpjegoi drejtori i Doganave, po bëhet analizë e plotë dhe brenda javës do kemi një panoramë të përgjithshme në të gjitha pjesët e importit dhe prodhimin në vend dhe javën e ardhshme do ju raportojmë së bashku me ministren gjetjet e kontrollit dhe masat që do merren si ndaj çdo subjekti ashtu edhe përgjegjësitë për çdo individ, inspektor të administratës doganore.

“Ndërkohë disa nga shkeljet kryesore të evidentuar, një pjesë e të cilave janë bërë publike janë hedhja në qarkullim e produkteve të akcizës pa paguar detyrimet fiskale; produkte akcize, kryesisht pije alkoolike të tregtuara në njësitë tregtare pa pullë fiskale, karburant i pamarkuar, i hedhur në qarkullim, apo lëndë djegëse solar jashtë standardit dhe si rrjedhim e pafiskalizuar. Duhan i grirë, kryesisht prodhim vendi për të cilin nuk është paguar detyrimi i akcizës. Për sa më sipër Drejtoria e Përgjithshme Doganave ka monitoruar ngushtë jo vetëm ecurinë e planit operacional por dhe ecurinë e mbledhjes së të ardhurave”, u shpreh Gjokuta.

Ai deklaroi se në muajin korrik performanca e të ardhurave ka qenë tepër pozitive, i njëjti trend ka vijuar në gjysmën e parë të muajit gusht. “Në muajin korrik u arkëtuan 15.87 mld lekë të ardhura, me një realizim prej 101.3% ndaj planit mujor. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat e muajit korrik ishin 7.7 % më shumë. Veçanërisht ecuri pozitive kanë pasur akciza dhe TVSH-ja. TVSH-ja e arkëtuar rezultoi 10.2 mld lekë me realizim 100% të planit mujor dhe me rritje 6.4% krahasuar me korrikun 2018”, deklaroi drejtori i Doganave.

Gjokuta sqaroi se për sa u përket dhe produkteve kryesore të akcizës që kanë dhe peshën më të madhe në të ardhura vërehet një ecuri pozitive e karburantit dhe cigares.
“Konkretisht sasia e importuar e karburantit për muajin korrik 2019 ishte 56.4 mijë ton, niveli më i lartë historik i arritur për këtë muaj me një rritje prej 30% krahasuar me korrikun 2018. Ndërkohë të ardhurat për muajin korrik nga ky produkt janë rritur me 25.4%. Sasia e importuar e cigareve për muajin korrik 2019 rezultoi 305 ton, një rritje me 25% ose me rreth 61 ton krahasuar me korrikun e një viti më parë. Të ardhurat nga ky produkt janë rritur me 26.8 %. E njëjta ecuri pozitive ka vijuar dhe me importin dhe konsumin e produkteve të tjera të akcizës si birra, pijet alkoolike etj. Strukturat tona do të jenë të angazhuara tërësisht për zbatimin e planit operacional, jo vetëm për një-dy muaj por në mënyrë konstante deri në fund të vitit e në vijim.
Përfitoj nga rasti t’iu bëj thirrje të gjithë subjekteve që ashtu sikurse përfitojnë nga lehtësirat e legjislacionit të akcizës të zbatojnë me korrektesë, të deklarojnë brenda afatit mallrat e hedhura në qarkullim. Objektivit ynë nuk është penalizimi apo ndëshkimi i subjekteve por lufta ndaj paligjshmërisë duke synuar krijimin e një klime të favorshme për të zhvilluar një biznes në funksion të konkurrencës së ndershme të barazisë para ligjit”, theksoi Gjokuta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb