Kryeministri Edi Rama është shprehur nga një mbledhje me deputetët socialistë se komisioni i posaçëm parlamentar për “Antikorrupsionin” u parapërfytyrua padrejtësisht si një përpjekje e socialistëve për të kontrolluar drejtësinë.

Sipas tij ky komision dhe reforma të tjera janë të domosdoshme për të mundësuar “leximin deri në qelizë të gjendjes së organizimit të shtetit”, në kuadër të procesit të ‘diagonostikimit të Shqipërisë’ pas hapjes së negociatave me BE-në.

Sa u përket këtyre të fundit, kreu i qeverisë u shpreh se nuk është qeveria ajo që negocion me Bashkimin Evropian, por ky i fundit negocion me 157 institucione, ndërsa ekzekutivi udhëheq procesin.

“Padrejtësisht u parapërfytyra si përpjekje e PS për të vënë në kontroll drejtësinë. Dua të shtjelloj pak më gjerë arsyet e mëdha për pse-në e ngritjes së komisionit ‘Antikorrupsion’ dhe domosdoshmërinë e një dallge të re reformash që nuk lodhet vetëm dhe drejtpërdrejtë me qeverinë, por edhe me institucionet e pavarura. E gjithë lënda për të kuptuar nismën gjendet në dokumentet e formuluara gjatë dhe në fund të procesit të diagnostikimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave, një proces që në gjuhën e BE, quhet screening. Mundëson leximin deri në qelizë të gjendjes së organizimit të shtetit. Sigurisht pasohet nga recetat për të kuruar deri në fund atë organizëm duke mundësuar që përgatitja për anëtarësimin e shtetit, të Shqipërisë në BE të përfundojë me një diagnozë plotësisht të qartë dhe të suksesshme

Qeveria udhëheq procesin e negociatave me BE dhe ka një pjesë të rëndësishme të punës, por BE nuk negocion me qeverinë, BE negocion me shtetin shqiptar dhe 157 institucione janë pjesë të gjithë përbërjes së skuadrës sonë kombëtare që negocion me BE. Janë përfshirë në këtë listë dhe proces 32 institucione të pavarura. Për të siguruar që diagnoza të shkojë deri në qelizë, procesi ka një numër të jashtëzakonshëm takimesh mes palëve, të cilat janë të drejtpërdrejta shpjeguese. Janë bërë 67 të tilla në Bruksel. Janë takime koordinuese, 114 të tilla në 14 muaj. 777 prezantime janë bërë nga Shqipëria në tryezën e bisedimeve dhe 232 takime të grupeve ndërinstitucionale të punës. Këto janë të rëndësishme për të kuptuar “pse-në” e këtij komisioni të posaçëm parlamentar”, u shpreh Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb