NGA: AURORA KOROMANI* TIRANE- Operacionet e suk sesshme të anti drogës, që janë zhvilluar në vend duket se kanë prishur shumë interesa në botën e krimit. Këtë gjë e vërteton më së miri fakti se pas goditjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë, disa prej zyrtarëve të lartë në vend kanë marrë kërcënime. Burime pranë “Gazeta Shqiptare” bëjnë me dije se pasi policia shqiptare sekuestroi kokainën në laborator, zyrtarë të lartë të shtetit dhe të uniformave blu kanë marrë mesazhe për të qëndruar larg këtij operacioni.

Por, pavarësisht mesazheve që kanë marrë disa prej zyrtarëve që kanë pasur ndikimin e tyre në finalizimin e operacionit “Xibraka”, sërish u arrit që ky laborator të shkatërrohej, edhe pse pasojat po ndihen edhe sot e kësaj dite në radhët e uniformave blu. Për shkak të seriozitetit dhe kompleksitetit të çështjes, hetimi për këtë rast është marrë në dorë nga Drejtoria Antiterror e ngritur së fundmi në Policinë e Shtetit. Janë specialistët e kësaj drejtorie, ata që do të zbulojnë se kush fshihet pas këtij laboratori, duke garantuar edhe hetimin e kërcënimeve të zyrtarëve, si një nga prioritetet e kësaj drejtorie. Madje, edhe zbulimi i grupit kriminal që dyshohet se vendosi lëndën eksplozive në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u arrit të zbulohej nga kjo strukturë, e cila po merr jetë ditë pas dite.

DREJTORIA E ANTITERRORIT
Ashtu siç ka edhe emrin, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po funksionon si një drejtori më vete, e cila prioritet të sajin do të ketë zbulimin dhe hetimin e grupeve kriminale që shpërndajnë dhe nxisin terrorin në vend. Kjo drejtori e porsakrijua, në përbërje të së cilës janë përzgjedhur specialistët më të mirë, merret me hetimin e grupeve radikale që merren me rekrutimin e shqiptarëve dhe dërgimin e tyre më pas drejt Sirisë. Por, ditët e fundit grupet radikale janë rikthyer në vëmendje të kësaj drejtorie për shkak të zhvillimeve të fundit që janë shënuar me grupin e të arrestuarve, mes të cilëve janë edhe imamët e dy xhamive në kryeqytet, çështja e të cilëve ka kaluar në gjykatë.

Burime pranë uniformave blu shtojnë se kjo drejtori ka kohë që është ngritur si strukturë dhe çdo ditë brenda saj bëhen emërime të reja, duke përzgjedhur specialistët më të mirë në të gjitha strukturat. Mësohet se aktualisht drejtori i kësaj strukture është Agron Sojati, shef sektori është Arben Ruçi, ndërsa ditët e fundit është emëruar specialist pranë kësaj drejtorie edhe Andi Ajazi, i cili deri pak ditë më parë mbante postin si shefi i shtabit pranë repartit RENEA. Të njëjtat burime sqarojnë se strukturat e antiterrorit po ngrihen edhe në policitë e qarqeve në vend, ku mësohet se këto struktura do të funksionojnë më vete dhe secila prej tyre do ketë stafin dhe buxhetin e saj.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: