Shqipëria sot po përballet me një krizë të thellë vlerash. Në vend të promovimit të edukatës, meritokracisë dhe shpresës, qeveria aktuale ka zgjedhur të shpërblejë antivlerat dhe të mbajë pushtetin përmes propagandës dhe manipulimit. Një shembull I freskët I kësaj është vendimi për të mbyllur TikTok-un, një platformë që I ka shërbyer të rinjve për t’u shprehur lirisht dhe për të shpërndarë të vërtetat që qeveria nuk dëshiron të shihen.
Qeveria e Ramës pretendon se kjo masë ndërmerret për të parandaluar dhunën dhe bullizmin mes të rinjve. Por a nuk është paradoksale që të njëjtët njerëz që shpërblejnë këngëtarët dhe figurat publike që promovojnë dhunën dhe degradimin moral, tani pretendojnë të mbrojnë rininë? Ata që kanë lejuar që kultura e krimit të dominojë, që kanë kthyer deputetë dhe kryebashkiakë të ardhur nga bota e krimit në “modele suksesi”, sot janë të njëjtët që gjoja shqetësohen për ndikimin negativ të TikTok-ut.
Arsimi, themeli i shkatërruar i shoqërisë shqiptare
Sot Shqipëria renditet në fund të Evropës për cilësinë e arsimit. Ky është pasqyrimi më I qartë I një qeverisje të dështuar, e cila ka degraduar institucionet e dijes dhe ka lejuar korrupsionin të bëhet normë. Pedagogët që shesin nota dhe drejtuesit që favorizojnë të paaftët po shkatërrojnë çdo mundësi për zhvillim dhe po detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi.
Korrupsioni në arsim nuk është vetëm një problem etik, por një model I gabuar që qeveria ka promovuar në çdo sektor. Si mund të presim që rinia të zgjedhë rrugën e dijes dhe punës së ndershme kur shembulli që u serviret është ai I politikanëve të korruptuar dhe kriminelëve të promovuar?
Mbyllja e TikTok-ut: Një vendim politik, jo një masë mbrojtëse
Mbyllja e TikTok-ut nuk ka asnjë lidhje me sigurinë e fëmijëve apo përmirësimin e arsimit. Është një përpjekje e hapur për të kufizuar lirinë e informacionit dhe për të bllokuar qarkullimin e videove që ekspozojnë të vërtetat e errëta të qeverisë. Ndryshe nga Facebook-u dhe platformat e tjera ku censura e Ramës është më e lehtë, TikTok-u mbetet një hapësirë që qeveria nuk mund ta kontrollojë.
Rama nuk mbyll TikTok-un për të mbrojtur nxënësit, por për të mbrojtur pushtetin e tij. Ai e di që videot e skandaleve të tij dhe qeverisë së tij janë një kërcënim I drejtpërdrejtë për fushatën e ardhshme zgjedhore. Paniku I tij është I dukshëm, sepse çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë që largimi I tij është I pashmangshëm.
Zgjidhja: Përmbysja e këtij sistemi dhe rikthimi I shpresës
Shqipëria nuk ka nevojë për mbyllje platformash apo censurë. Ajo ka nevojë për një reformë të thellë që fillon me largimin e kësaj qeverie. Duhet të promovojmë vlera të vërteta: ndershmërinë, meritokracinë dhe edukimin. Duhet të krijojmë një sistem ku të rinjtë të shohin shembuj pozitivë dhe të ndihen krenarë për të qëndruar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.
Koha e Edi Ramës ka mbaruar. Koha e ndryshimit është tani. Shqiptarët meritojnë më shumë. Le të përmbysim këtë sistem që promovon antivlerat dhe të rindizim shpresën për të ardhmen!