TIRANE

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kthyer përgjigje kreu të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja lidhur me dekretin e nxjerrë prej tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, dekret i cili pasoi nismën e socialistëve për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.

Në përgjigjen e tij, kreu i shtetit thekson se vendimi është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe në mbrojtje të parimeve themelore që burojnë prej saj.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Ky dekret është botuar në fletoren zyrtare e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë përfshi këtu edhe Kuvendin. “ thuhet në shkresën që kreu i shtetit  i dërgon kreut të komisionit të ligjeve, përmes sekretares së përgjithshmë të institucionit, Ornela Zonja.

Lidhur me nismën e ndërmarrë në Kuvend nga PS, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Meta vlerëson se e gjithë veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e presidentit, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumente kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht e politikisht.

“Ky proces i i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar cdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës, prej kohësh po i kërkon palëve” citohet në kthim përgjigjen e Presidencës .

Në vijim të shkresës Presidenti i Republikës garanton Kuvendin se është në detyrë  dhe i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit, ndërsa bashkëngjitur janë edhe arsyet e se psë kreu i shteti nxori dekretin që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, pasi në këndvështrimin e Presidentit të Republikës, konstaton se Komisioni i Ligjeve nuk është njohur si duhet me to.

Ligjvënësit kanë nisur zyrtarisht shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Socialistët në maxhorancë pretendojnë se me shkeljet kushtetutese të bëra kur nxori dekret për anulimin e zgjedhjeve, Ilir Meta duhet shkarkuar nga posti i kreut të shtetit, pasi sipas tyre ka cënuar rëndë të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: