KOSOVE/MAQEDONI- Mjegulla ka shkaktuar anulimin dhe shtyrjen e dy fluturimeve të ndryshme, sot, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe atë të Shkupit “Aleksandri i Madh”.

Mediat e Kosovës raportojnë se sipas faqes zyrtare të Aeroportit të Prishtinës, fluturimi i Turkish Airlines nga Stambolli, në orën 08:20, është i anuluar.

Po ashtu, një fluturim tjetër i së njëjtës kompani, nga lokacioni i njëjtë, që ishte programuar për në orën 11:30, është shtyrë. Gjatë ditëve të fundit mbi Prishtinë dhe Aeroportin e Prishtinës kanë zotëruar mjegulla të dendura.

Po kështu për shkak të mjegullës të gjitha fluturimet dhe uljet në aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh” mëngjesin e sotëm janë anuluar. Sipas informatave, fluturimet e programuara deri në mesditë janë anuluar, ndërsa një pjesë e uljeve në orët e para të mëngjesit janë orientuar drejt aeroportit “Shën Apostoll Pavle” në Ohër.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb