Departamenti amerikan i Shtetit, tha se është anuluar takimi i planifikuar ndërmjet sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Sekretari Pompeo planifikonte të takohej të martën me kancelaren Merkel dhe ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në Berlin.

Departamenti i Shtetit tha se takimet duhet të ri planifikohen për shkak të “çështjeve të ngutshme”, por nuk ofroi ndonjë shpjegim tjetër për ndryshimin e planeve. Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm as nga zyra e kancelares Merkel dhe as ajo e ministrit Mass. Sekretari Pompeo mori pjesë në një takim të Këshillit të Arktikut në Finlandë. Nuk është e qartë se ku do të udhëtojë ai më pas, shkruan Voa.

Departamenti i Shtetit tha se sekretari Pompeo “mezi pret që të jetë së shpejti në Berlin” për të mbajtur “serinë e rëndësishme të takimeve” që ishin planifikuar. Sipas planeve fillestare, sekretari Pompeo pritej të diskutonte me kancelaren Merkel çështje “të interesit të përbashkët” si Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb