* AP: Të përgatitet një census dhe hartë e saktë me familjet në gjakmarrje

SHKODER- Avokati i Popullit, Igli Totozani, prezantoi sot në Shkodër, Raportin e Posaçëm për Gjakmarrjen. Gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti u bënë të ditura në një aktivitet të gjerë me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni, si shoqërisë civile, drejtuesve të strukturave policore, e prokurorisë dhe, përfaqësues të pushtetit qendror e vendor.

Në raport theksohet se: megjithëse pranohet ekzistenca e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri, strukturat shtetërore nuk janë angazhuar në mënyrë totale dhe serioze për ta luftuar atë.

Ligji nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”, ndonëse ka mbi 10 vjet që ka hyrë në fuqi, fatkeqësisht nuk ka gjetur zbatim.

Zbatimi i këtij ligji nga strukturat qendrore e vendore të parashikuara prej tij përbën domosdoshmëri për të luftuar me sukses këtë fenomen.

Mbledhja e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes nga Presidenti, në cilësinë e drejtuesit të tij, do të ishte një mesazh pozitiv për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes dhe ndërkohë do të shërbente si nxitje për organet e administratës për miratimin e tyre.

Nuk është zbatuar akoma Urdhri i Kryeministrit për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e akteve nënligjore për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes, që kryesohet nga Zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Ndërsa, tre aktet nënligjore jo vetëm që nuk janë miratuar, por nuk janë përgatitur ende nga grupi i punës.

Hartimi dhe miratimi i strategjisë kombëtare dhe respektivisht edhe i planit të veprimit për luftën kundër gjakmarrjes në planin ekonomik, social, legjislativ, etj. dhe përcaktimi i detyrave dhe i masave konkrete për institucionet shtetërore, shoqërore, shkencore, fetare, etj. është imediat.

Ndryshimet e bëra në Kodin Penal, për rritjen e dënimit për autorët e vrasjes për gjakmarrje (jo më pak se 30 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm) dhe përfshirja e dy figurave të reja të krimit, si “kanosja serioze për t’u mbyllur në shtëpi” dhe “nxitja për gjakmarrje”, nuk janë të mjaftueshme për të luftuar këtë fenomen.

Gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë së bashku, sipas një strategjie të përbashkët.

Evidentimi i saktë dhe i plotë i numrit të familjeve dhe të personave të ngujuar është me rëndësi për të kuptuar përmasat dhe shtrirjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe të ngujimit, si një nga pasojat tragjike të tij. Organet e policisë, të prokurorisë, të pushtetit vendor dhe institucionet rajonale arsimore duhet të bashkëpunojnë më shumë për të evidentuar saktësisht numrin e familjeve dhe të personave të ngujuar.

Të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë penale duhet të rrisin efiçencën, angazhimin dhe kontributin e tyre për të garantuar minimizimin me tendencë zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes.

Rritja e kapaciteteve gjurmuese dhe hetuese të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur zbulimin dhe arrestimin e të gjithë autorëve të vrasjeve të pazbuluara me çështje penale të pezulluara gjatë viteve, me synimin për të parandaluar vazhdimin e vrasjeve zinxhir për motivin e gjakmarrjes të personave të pafajshëm dhe për të rritur sigurinë e komunitetit ku ata banojnë.

Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë të paekzekutura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të mbartura në vite, ndaj autorëve të dënuar për vrasje të cilët i fshihen drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit. Zbatimi i kësaj mase ndaj personave të kriminalizuar dhe të dënuar që duheshin izoluar nga shoqëria, lëvizin lirshëm dhe cenojnë gjendjen e sigurisë në komunitet. Ndërkohë marrja e kësaj mase do të ndikojë dukshëm në parandalimin e vazhdimit të vrasjeve zinxhir për gjakmarrje të personave të pafajshëm.

Në çdo rast të ndodhjes së vrasjeve për gjakmarrje dhe hakmarrje, nga organet e policisë, prokurorisë dhe gjykatës kërkohet ushtrimi me efektivitet i funksioneve të tyre për zbulimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorit të saj, për ushtrimin e ndjekjes penale dhe gjykimin në afate kohore sa më të shpejta dhë për dënimin e autorëve me llojin dhe masën e dënimit më të ashpër që parashikohet nga ligji.

Duhet të rritet bashkëpunimi me autoritetet homologe të vendeve të BE-së për të evidentuar, verifikuar, hetuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore penale personat që me anë të përdorimit të dokumentave të fallsifikuara kanë pretenduar si shkak gjakmarrjen për të kërkuar azil në ato shtete, me synimin që t’i jepet fund mashtrimit me përdorimin e gjakmarrjes si argument i pabazë për të kërkuar azil në vendet anëtare.

Ministria e Arsimit duhet të luajë rol më të madh pozitiv e parandalues për përmirësimin e programeve mësimore, që të sigurohet edukimi i brezit të ri me frymën e tolerancës, kundër vetëgjyqësisë, hakmarrjes e gjakmarrjes, si dhe për trajtimin e mësuesve të zonave, ku është e përhapur gjakmarrja, duke vazhduar edhe për disa kohë Projektin “Shansi i dytë” prej të cilit përfitojnë fëmijët e ngujuar. Por, synim kryesor duhet të jetë nxjerrja e fëmijëve nga ngujimi dhe bashkimi, edukimi dhe arsimimi i tyre në shkollë.

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, nëpërmjet zyrave rajonale, të ndihmojnë ekonomikisht familjet e ngujuara me të ardhura të pamjaftueshme, si dhe për të ulur nivelin e varfërisë. Gjithashtu ky institucion në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor duhet t’u japë zgjidhje problemit të strehimit të familjeve të prekura nga gjakmarrja, të cilat për arsye sigurie kanë migruar nga vendbanimi i tyre në rrethe të tjera apo që janë rikthyer nga vendet e BE-së për shkak të refuzimit të dhënies së azilit.

Ministria e Shëndetësisë me strukturat e saj rajonale duhet të vazhdojnë ofrimin e shërbimit shëndetësor në shtëpi, familjeve të ngujuara nga gjakmarrja, sipas paketës bazë të Kujdesit Shëndetësor Parësor, që çdo qendër shëndetësore nëpërmjet mjekut të familjes u ofron pacientëve që janë regjistruar pranë saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb