Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar mbi 500 mijë euro pasuri të ish-zyrtares Alda Klosi. Sipas njoftimit të organit të akuzës, pasuria e ish-zyrtares Klosi i kaluar shtetit. Në këtë pasuri përfshihen apartamente, garazhe e makina.
Ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave Alda Klosi ka përfunduar dënimin e saj përpara disa ditësh. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtore Klosin për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”, duke e dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, por se me pranimin e gjykimit të shkurtuar, duhet të vuante vetëm 20 muaj burg. Klosi ka mbajtur edhe postin e ish-shefes të kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ametaj.
Së bashku me Alda Klosin është dënuar edhe sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Këta të fundit u shpallën fajtorë për “vjedhje me pasoja të rënda” në bashkëpunim dhe u dënuan përkatësisht me 7 dhe 5 vite burg. Ndërkohë pas lirimit, Klosi do të qëndroje në arrest shtëpie për akuzën e dytë të pastrimit të parave.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të ish-zyrtares A.K. T’i kalojnë shtetit nga shuma mbi 500.000 euro deri tek apartamenti, garazhi e makina
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të shtetases A.K. pasi u vërtetua që pasuria objekt kërkese për konfiskim, nuk ka prejardhje të ligjshme dhe u provua se kjo pasuri është krijuar gjatë aktivitetit kriminal.
Më datë 27.12.2022, kjo prokurori, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.9220, për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal. Nga aktet e hetimit rezultoi se më datë 15.12.2022, rreth orës 14:10, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, se tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases A. K.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e R.D. dhe H.D. (autorë të vjedhjes), më datë 06.01.2023 janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: shuma prej 58.150 (pesëdhjetë e tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë) euro. Ndërsa më datë 07.01.2023, ora 19.30, në banesën e tyre nga policia gjyqësore janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: Shuma prej 404.800 (katërqind e katërmijë e teteqind).
Hetimi penal vërtetoi se paratë dhe valuta euro/dollarë të sekuestruara në banesën e shtetasve R.D dhe H. D., janë vjedhur tek banesa e shtetases A.K.
Gjithashtu, ndaj të pandehurës A. K., është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal dhe është dërguar kërkesa për gjykim me datë 09.10.2023.
Sa më sipër, organi i prokurorisë konkludon se shuma e parave të sekuestruara në banesën e R. D dhe apartamenti/garazhi i blerë në vitin 2019 nga ish – bashkëshorti i saj A.K., janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Këto pasuri nuk janë të justifikuara, pasi nuk mbulohen me të ardhura të ligjshme dhe derisa nuk janë të deklaruara, nuk provohet ligjshmëria e tyre.
Në këto kushte, brenda afatit gjashtë mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm,Tiranë, paraqet kërkesën për konfiskim dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
- Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikanë, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në bankën “Credins Bank”, sipas mandateve përkatëse datë 10.01.2023;
- Apartament me sipërfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
- Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572-G 16 ZK 8210, Vol 42,Fq 74 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
- Autoveturë Toyota Rav 4, me targa AA170ZY, Nr. Shasie JTMBB31V50D109772, në pronësi të shtetases A.K.
(Balkanweb)