Deputeti i PD, Ervin Salianji ka dalë në një konferencë për shyp nga selia blu, ndërkohë që pritet ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me dënimin e tij me 1 vit burg.
Salianji tha se gjykata e dënoi me urdhër politik për faktin se denoncoi me emër ata që sipas tij shkelin ligjin dhe cenojnë interesin publik. Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se ka publikuar dokumente dhe ka denoncuar grupe kriminale e zyrtarë të korruptuar.
Salianji: Jam një i dënuar politik me porosi të Ramës dhe urdhër të Xhafajt. Dy javë më parë Rama e paralajmëroi dënimin. Siç e ndoqët edhe dje, pse Rama u detyrua dje të komentonte një vendim gjyqësor? Në çdo deklarim të tij të mëparshëm tha nuk komentoj vendimet e gjykatave. Çfarë e detyroi dje të shkelte “standardin” e të ishte i tërbuar nga një vendim gjyqësor. Qetësoi frikën, po çfarë e tërboi.
Në 15 maj 2018 dola në këtë foltore me Bardhin e Alibeaj dhe publikuam vendimin në Itali për dënimin e vëllait të Xhafajt. Pas këtij publikimi si Agron Xhafaj ashtu edhe vëllai i tij ministër e Ramës, nuk patën asnjë reagim për tre ditë resht duke u fshehur. Krimi im është që kam denoncuar me emër këdo që i ka rënë në qafë qytetarëve.
(BalkanWeb)