Koordinatori i programit ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka kritikuar ashpër vendimin e Apelit të GJKKO për rikthimin e masës së detyrimit të paraqitjes për kreun e PD, Sali Berishën.

I ftuar në studion e News24, Teliti e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

“Vendimi i sotëm i GJKKO është absurd. Kryetari i opozitës nuk është më në hetim; çështja është dërguar për gjykim dhe nuk ka asnjë bazë ligjore që justifikon këtë masë ndaj tij,” tha Teliti.

Ai e konsideroi vendimin si një përpjekje për të penguar opozitën. “Të rikthesh detyrimin e paraqitjes për liderin e opozitës, deputet në detyrë dhe ish-kryeministër e ish-president, kjo është drejtësi e kontrolluar dhe e pilotuar. Sali Berishën nuk e ndalojnë dot; le të bëjnë çfarë të duan. Ky vendim është politik dhe synon të vendosë pengesa ndaj opozitës për të parandaluar ndryshimin e qeverisjes pas 12 vitesh,” theksoi ai.

PD e ka dënuar vendimin si një sulm ndaj demokracisë dhe ka kërkuar drejtësi të pavarur dhe të paanshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb