Ish-kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj u dënua të hënën me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO, për tjetërsimin e pronave te “Rana e Hedhun”.

Apeli dyfishoi dënimin ndaj tij, nga 2 në 4 vite, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje me 1/3 dhe përfundimisht dënohet me 2 vite e 8 muaj burg.

Mësohet se një ditë më parë, SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e dënimit të tij, por Frrokaj, siç bëjnë të ditur burime për BalkanWeb, nuk është gjetur në banesën e tij. Por sipas të dhënave të sistemit TIMS nuk rezulton që ai të ketë dalë jashtë vendit. Autoritetet kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, me qëllim zbatimin e vendimit të gjykatës.

Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut të Lezhës
Fran Frrokaj, ish-kryetar i Bashkisë së Lezhës u gjet fajtor nga GJKKO për shpërdorim detyre. Ai u akuzua për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun”. Shkalla e Parë e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Apeli rëndoi dënimin duke e rritur në 2 vite e 8 muaj burg.

Përveç Frrokajt, gjykata ndryshoi vendimin edhe për Bledar Carën, të cilin shkalla e parë e kishte liruar nga akuzat. Apeli e dënoi atë me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Po ashtu, për Juxhina Memën u dha i njëjti vendim, por dënimi me burg u pezullua dhe u caktua shërbim prove për 5 vitet e ardhshme.

Një sipërfaqe toke prej 66 mijë metrash katrorë në zonën e “Ranës së Hedhun” u konfiskua dhe kaloi për llogari të shtetit. Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje, me vlerë rreth 13 milionë euro, nisën në vitin 2019. Nga hetimi ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll, mes të cilëve dhe Fran Frrokaj, i cili ishte kryetar i komunës në atë periudhë, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.

Frrokaj është dënuar edhe nga Gjykata e Shkodrës, gjithashtu për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Ai u lirua nga qelia pak kohë më parë pasi përfitoi nga amnistia, por tashmë do të rikthehet në burg për të vuajtur dënimin e ri.

Frrokaj u lirua në prill nga amnistia
Ish-kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj la mesditën e 24 prillit të këtij viti qelitë e burgut të Reçit. Ai përfitoi lirinë nga amnistia, krahas 1100 të dënuarve të tjerë. Më 1 mars 2024 ai u dënua nga GJKKO me 2 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i zbriti në 1.4 vite. Përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe pjesa që i zbritej nga amnistia bëri që Frrokaj të lirohej. Ndërsa me vendimin e Apelit të hënën dënimi i tij është rritur në 2.8 vite burg, nga 1.4. Kësisoj, Frrokajt do t’i duhet të përballet edhe njëherë tjetër me qelitë për pjesën e mbetur të dënimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb