Ambasadorja greke në vendin tonë, Kostantina Kamitsi ka folur për mediat pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme që la në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor.
Teksa linte ambientet e SPAK, ambasadorja greke ngriti dyshimet e saj për vendimin që lë përfundimisht në qeli kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
“Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështje ngrenë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit. Më gjithë dëshirën e popullin të Himarës, siç u shpreh ajo përmes procesit zgjedhor, bashkia drejtohet akoma edhe sot nga persona që nuk zgjedhur prej votuesve“, tha ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës duhet të lihet i lirë për të bërë betimin dhe ndjekur seancat gjatë muajit korrik në Parlamentin Europian, tanimë si eurodeputet i zgjedhur nga “Nea Demokratia” e Kyriakos Mitsotakis.
“Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është një kërkesë plotësisht demokratike që eurodeputetët të kenë mundësinë të paraqitet personalisht në të gjitha punimet e PE duke filluar që nga korriku”, tha ndër të tjera ambasadorja greke në Tiranë, Kostantina Kamitsi.
(BalkanWeb)