Apeli i GJKKO-së ka marrë vendimin për të lënë në “detyrim paraqitje” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Lajmi konfirmohet për Balkanweb nga gazetarja Klodiana Lala.

Gjatë ditës së sotme, SPAK kërkoi që Berisha të kthehet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për “korrupsion pasiv” në lidhje me aferën e privatizimit të ish-klubit Partizani.

VENDIMI I APELIT TË GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:

– Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

– Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

– Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.

  1. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
  2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb