TIRANE

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në në një dalje për mediat ka komentuar aktivitetin ku ishte i pranishëm ambasadori i BE-së , Luigi Soreca, i cili u bëri thirrje partive politike për dialog dhe konsensus për antarësimin në BE. Gjosha tha që kryeministri Rama është e vetmja pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, i cili ka zgjedhur gjuhën e memeve.

“Qershori është jetë a vdekje për një proces jetik, siç është procesi i integrimit europian. Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu siç është shprehur edhe nëpërmjet rezolutës që u miratua në Konventën Kombëtare, është e gatshme të bëjë çdo sakrificë për të çuar përpara këtë aspiratë të çdo shqiptari. Sfidat që kemi përpara nesh, si vazhdimësia e Reformës në Drejtësi me zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, Reforma Zgjedhore dhe eliminimin e shitblerjes së votës, kërkojnë përgjegjshmëri të lartë politike si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë.

Konstatojmë se Kryeministri i Shqipërisë, ka zgjedhur konfliktin në vend të dialogut, ka zgjedhur provokimin në vend të komunikimit dhe interesat dhe prioritet të tjera dhe jo ato evropiane dhe euroatlantike.

Është e qartë për të gjitha shqiptarët që procesi i integrimit europian dhe objektivi madhor i çeljes së negociatave kanë vetëm një pengesë që është Kryeministri, i cili ka zgjedhur në vend të platformave dhe objektivave të integrimit, gjuhën e memeve vulgare.

LSI do vazhdojë me këmbëngulje të pandryshuar të mbështesë vetëm një axhendë, atë të integrimit europian dhe të refuzojë axhenda të tjera të errëta.

Sot është dita që çdo politikan, çdo parti politike qoftë opozitë apo qeveri, të dalë mbi interesat e ngushta dhe të vërë përpara çdo gjëje të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me Europën”, u shpreh ajo.

 (BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb