Deputeti i PD Ervin Salianji, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi edhe gjyqin ndaj tij, në Gjykatën e Apelit, që njihet si çështja “Babalja”.

Salianji tha se është në gjyq edhe pse siç shprehet ndaj tij nuk ka akuzë, por ka bërë një denoncim publik. Ai u shpreh se Agron Xhafaj ka hyrë në burg në Itali, pak orë pas denoncimit të tij, për të shmangur një hetim të ri.

Salianji tha gjithashtu se ekziston edhe një audio si dhe disa përgjime mes ish-drejtuesve të Policisë Ardi Veliu, Albert Nushi dhe Andon Marko.

Ervin Salianji: Jam aty për shkak të kallëzimit që ka bërë trafikanti që ka hyrë në burg. Denoncimi është bërë publik, çdo denoncim që kam bërë e kam fituar në Gjykatë. Unë kam denoncuar një personazh të përfshirë sipas një investigimi që ka sjellë gazetari së bashku me shokun e trafikantit. Sapo është bërë denoncimi në orën 11.00 të 24 maj 2018, ai ka shkuar në burg në darkë. Ishte dënuar në Itali me 7 vite e 4 muaj burg, por jetonte prej 8 vitesh i lirë në Shqipëri për shkak të vëllait të vet. Është një audio e bërë mes dy personave, unë thjesht unë e kam publikuar. Prokuroria thotë akuza ndaj meje është për “kallëzim publik”, s’ka akuzë të tillë, s’ka asnjë akuzë të bazuar në ligj.

 

Kam përgjime zyrtare të Prokurorisë për ish-drejtorin e Policisë Ardi Veliu, ish-drejtori i Policisë së Fierit Albert Nushi dhe ish-nëndrejtori i mëparshëm Andon Marko i japin para këtij për të bërë si aktor dhe krijuar një proces farsë. Pse e kanë bërë këtë? Që të shmangin një hetim të ri ndaj Agron Xhafës. Ky audiopërgjim dhe është bërë ekspertizë në Angli dhe ka rezultuar që zëri i publikuar nga PD është i ngjashëm me atë në video dhe ne do të jepnim 100% garanci nëse do të na e kishit sjellë zërin në mënyrë reale se nuk ishte marrë në kushtet e duhura zëri i këtij. Pse e çuan në burg? Sepse po ta mbante këtu do kishte hetim. Kanë dashur të shmangin hetimin për trafik të ri droge ndaj tij dhe kanë dashur të hapin këtë proces.

Akuzohem se kam dëmtuar reputacionin e trafikantit, kam shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe kam dashur të rrëzoj qeverinë. Unë qëllim të rrëzoj qeverinë kam në çdo moment. Njësoj si agjitacion propaganda. Një çmenduri e montuar shumë keq.

Pres që çështja të mbyllet jo vetëm me pafajësi, por edhe më të gjithë zhdëmtimin e të gjithë dëmit që është bërë në publik për shkak të këtij psillëku prej 6 vitesh. Është njoftuar edhe faktori ndërkombëtar. Gjyq politik për shkak të këtij denoncimi është i padëgjuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb