TIRANE

Tension, dhunë verbale e fizike, ndaj gjykatësve, prokurorit e gazetarëve. Ishte gjithcka ndodhi në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, mesditën e së martës, kur u shpall vendimi për 11 të pandehurit e dosjes Lazarati 2, të cilët u cilësuan fajtor lidhur me ngjarjen e tri viteve më parë, ku u vra speciali i RENEA-s, Ibrahim Basha dhe u plagosën disa kolegë të tij.

Përplasja nisi që në në momentin kur gazetaret hynë në sallën e gjyqit për të përcjellë procesin dhe po qëndronin në pritjen që treshja gjykuese të shpallte vendimin përfundimtar. Familjarët sulmuan verbalisht përfaqësuesut e medias, por me ndërhyrjen e njërit prej avokatëve situata u qetësua. Gjithcka do të agravohej momentin kur treshja gjykuese e kryesuar nga Idriz Mulkurti u shpalli verdiktin e saj.

Konkretisht, Arbjon Aliko dhe Bajram Boci u dënuan me burgim të përjetshëm, Elvis Boci me 35 vite burgim, ndërsa të tjerët me masa dënimi që variojnë nga 9 deri në 17 vite burg. Ata u cilësuan fajtor për vrasjen e specialit Ibrahim Basha dhe plagosjen e 5 të tjerëve, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ende pa mbaruar fjalën kryesuesi i seancës, të afërmit e të pandehurve, rrëmbyen karriget dhe tentuan të godisnin gjykatësit prokokurorët dhe gazetarët e pranishëm, ndërsa mallkonin me shprehjet ‘ju vdekshin fëmijët tuaj’ si dhe hidhnin kërcënime në drejtim të të gjithëve, se “do të merrnin hak”. Të pandehurit nga ana tjetër, tentuan të shkatërronin mikrofonët në kafazin e xhamtë.


Sulmi i paprecedentë ndaj medias, vijoi dhe në ambjentet e jashtme të gjykatës. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të policisë së burgjeve, ishte e pamundur mbajtja nën kontroll e të gjithë personave të pranishëm, pasi ishin mbi 30 të tillë.  Situata e krijuar vuri në lëvizje policinë e shtetit, forcat e të cilës mbërritën afro 15 minuta më vonë, për të marrë situatën  nën kontroll dhe nisën hetimet për ngjarjen, e cila nuk do të kishte agruvuar, nëse do të ishin marrë masa më të rrepta sigurie. Kjo për faktin se edhe në shkallë të parë, familjarët e këtyre të pandehurve, kanë krijuar incidente.

VENDIMI I APELIT
Arbjon Aliko e Bajram Boci, burg përjetë

Elvis Boçi 35 vite

Xhulio Malo 10 vite

Albion Aliko 17.6 vite

Elson Kasma 17.6 vite

Klodian Selimi 13 vite

Oltion Proko 9 vite

Dervish Gaba 15 vite

Ruhan Hiraj 15 vite

Iliaz Xhaferaj 15 vite

Vrasja e Ibrahim Bashës
Mesnatën, duke u gdhirë data 24 qershor 2015, forcat e policisë kanë nisur operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale. Gjatë kontrolleve, pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë.

Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos. Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj. Në vijim të operacionit policor dhe, më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb