TIRANË

Apeli drithërues i familjes Muça bërë disa ditë më parë në News 24 ka vënë në lëvizje institucionet më të larta të shëndetësisë. Spitali i Traumës e ka transferuar menjëherë djalin 14-vjeçar që ndodhet në koma që pas aksidentit të rëndë, nga dhoma e shtrimeve aspak e përshtatshme në katin e tretë, në shërbimin e reanimacionit qendror.



Falë kujdesit të mjekëve dhe kushteve të përmirësuara ndjeshëm temperatura trupore e të sëmurit ka pësuar rënie nga 39 në 37 gradë. Paralelisht me spitalin ka reaguar edhe institucioni epror, ministria e shëndetësisë. Nëna e Renisit thotë se ka patur disa kontakte me drejtues të ministrisë dhe me vetë ministren Manastirliu prej ku ka marrë garanci që trajtimi i djalit të saj të përvijojë jashtë vendit në spitalet publike në Turqi me të cilat shteti shqiptar ka marrëveshje bashkëpunimi.


Por vajtja në Turqi e të sëmurit që ndodhet në koma prej më shumë se 40 ditësh mund të kryhet vetëm me një avion të posaçëm sanitar carter, të cilin Ministria e Shëndetësisë nuk e mbulon financiarisht. Me lot në sy familjarët e Renisit i drejtohen me një lutje zemre çdo shqiptari për ndihmë financiare pasi vetëm kostoja e transportit llogaritet në afër 15 mijë euro.


Ndërkohë lutjet e mëhershme të familjes përmes televizionit News 24 nuk kanë rënë aspak në vesh të shurdhët. Në pak ditë ka patur një sensibilizim të madh në rrjetet sociale. Në shkollën ku studion Renisi ka nisur një fushatë dhurimi e po kështu një e ngjashme po kryhet edhe nga futbollistët e klubit Partizani.

Për të gjithë të interesuarit që duan të kontribuojnë financiarisht në mbledhjen e fondeve për pagesën e avionit sanitar që do të transportojë në Turqi 14 vjeçarin që ndodhet në Koma, familja ka vënë në dispozicion numrin e llogarisë të hapur në ALFA Bank në emër të Bukuroshe Xhediku, nenës se Renisit.

1.Llogari në LEK: 902020140006065557

IBAN LEK Nr: AL81902112090201400060655573

SËIFT: CRBAALTRXXX

2.Llogari ne EUR: 902020203013342111

IBAN EUR Nr: AL59902112090202030133421118

SWIFT: CRBAALTRXXX

(BalkanWeb)