Gjykata e Apelit vendos sot për fatin e vulës së PD. Referuar seancës gjyqësore që po mbahet në Apel, anëtari i Kryesisë së PD-Rithemelimit Grigels Miçollari, tha se pret që sot të vendoset drejtësi për 3 vite padrejtësi që i është bërë demokratëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Muçollari shkroi se zgjatja e zgjidhjes së kësaj çështjeje, është dëshira e kryeministrit Edi Rama për të shkaktuar kaos e paqëndrueshmëri tek Opozita.

Postimi i plotë:
Drejtësi sot, për 3 vite padrejtësi ndaj demokratëve
Një nga shtrembërimet që ka sjellë në këto vite pushteti i tepërt i Edi Ramës është dhe anormaliteti me vulën e PD, një çështje që mbahet zvarrë prej 3 vitesh, e me shpresë zgjidhet sot në Gjykatën e Apelit.

Eshtë e dukshme që në këtë zgjatje të krizës reflektohet dëshira e Edi Ramës për të shkaktuar kaos e paqendrueshmëri tek Opozita.

Ky është vetëm njëri nga instrumentet që ai ka përdorur, më i lehti ndoshta, po të kemi parasysh se pati kurajon të rekrutonte edhe një drejtues të lartë të FBI, gjithnjë në shërbim të planit të tij për të asgjesuar kundërshtarin. Në këtë atmosferë mbytëse në vend ku asgjë nuk është normale, e vetmja shpresë është që Opozita, Partia Demokratike ta rikthejë në shina vendin.

Partia Demokratike i ka mbijetuar gjatë këtyre 3 viteve shumë sfidave e pengesave dhe në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në vend, mori gjysëm milionë vota, pa patur vulën dhe logon, pa patur komisionerë, pa patur buxhetin që i takon partisë më të madhe opozitare në vend.

Gjysëm milionë shqiptarë në kushte ekstreme, dëshmuan se kush është partia e tyre, treguan se cila është Partia Demokratike, manifestuan se kujt i takon vula dhe logoja, këto elemente identitare që shoqërojnë këtë forcë politike prej fillimit të demokracisë.

Eshtë pjesë e absurdit tonë, dhe e devijancave që kanë shkaktuar tepricat e pushtetit të Edi Ramës që kjo çështje ndodhet në Gjykatë. Sepse organizimi i një partie politike është mbi bazën e vullnetit të njerëzve, dhe nuk varet nga institucionet.

E megjithatë, ja ku jemi.

Sot është dita për ta mbyllur atë dosje aspak të lavdishme, e për t’i kthyer të drejtën që u takon atyre gjysëm milionë shqiptarëve që folën, u shprehën me 14 maj. Dëshmia e tyre është aty e certifikuar. Nuk besoj se ka trup gjykues që do të donte të kishte me shumë prova, më shumë zëra, më shumë qartësi se sa kaq. 500 mijë dëshmitarë që thonë të njëjtën gjë.

Ndaj kjo duhet të marrë drejtim, dhe duhet të marrë drejtim sot. Për të mos përmendur këtu porositë që Gjykata e Lartë ka lënë për Apelin, që e bën këtë rast edhe më të thjeshtë, edhe më të padiskutueshëm, e të pakontestueshëm po ashtu.

Le të bëhet drejtësi, jo se kujt i takon vula se këtë e di i madh e i vogël. Po të bëhet drejtësi sot për 3 vite padrejtësi ndaj demokratëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb