Në emisionin Open në News24 është diskutuar mbi vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili njeh Sali Berishën si kryetar i PD-së. Me vendimin e Apelit është zgjidhur tashmë mosmarrëveshja lidhur me vulën dhe logon e PD-së.

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se vendimi i Apelit është i formës së prerë, por ka një mundësi që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Lala solli në vëmendje një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë që i përcaktoi kornizat Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar këtë çështje.

Gazetarja bëri një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve dhe përplasjeve që ndodhën në PD nga momenti kur Lulzim Basha vendosi të përjashtojë Sali Berishën (9 shtator 2021) nga grupi parlamentar, gjë që u pasua nga ajo që u cilësua si turi i Foltores, që u përmbyll me Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ku Berisha mori drejtimin e PD-së përmes një Kuvendi të Jashtëzakonshëm.

Lala e konsideroi një zvarritje të paarsyeshme në gjykatat shqiptare atë që ndodhi më pas me çështjen se kujt i takonte vula dhe logo e PD-së, Lulzim Bashës apo Sali Berishës.

“Gjykata e Lartë mund ta zgjidhte vetë çështjen, por e riktheu në Apel, duke vendosur disa korniza”, tha Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: