NEPAL- Ndërsa orët kalojnë, bilanci i viktimave dhe të prekurve nga tërmeti në Nepal sa vjen e rritet. 8 milion persona janë prekur nga tërmeti shkatërrues në Nepal dhe 1.4 milion janë në nevojë për ushqim, bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara. Tashmë në Nepal kanë nisur të vijnë ndihma nga ndërkombëtarët, por ka ende mungesë të pajisjeve mjekësore dhe ushqime. Shifrat zyrtare flasin për 4500 të vdekur, ndërsa kryeministri i Nepalit, Koralia deklaroi se mund të jenë 10 mijë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi Nepalin ditë e shtunë duke shkatërruar ndërtesa në kryeqytetin Katmandu dhe duke shkatërruar zona rurale në të gjithë rajonin. Autoritetet në Nepal u shprehën se numri i viktimave është rritur në mbi 4500 persona dhe rreth 8 mijë janë plagosur.

Mijëra vetë në Katmandu kanë kaluar natën e tretë jashtë, pasi shumica e tyre kanë mbetur të pastrehë dhe një pjesë kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre. Uji, ushqimi dhe elektriciteti janë mjaft të kufizuara dhe ekziston shqetësimi se mund të shpërthejë ndonjë sëmundje, bëjnë të ditur mediat e huaja.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: