TIRANE– Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet zhvillon në Tiranë takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha u shpreh se sheshi ‘Nënë Tereza’ një ditë më parë i ngjante shesheve të diktaturës ku nëpunësit ishin detyruar të vinin dhe të qëndronin ulur gojëkyçur. Sipas Bashës mbështetësit e të majtës së bashkuar ishin të lodhur dhe të dëshpëruar ndërsa qytetarët e mbledhur në shesh për opozitën janë energjikë dhe të bindur tek fitorja e PD.

“A ka ardhur njeri me zor këtu sot? A keni ardhur të gjithë me dëshirë dhe shpresë? Dje ky shesh i bukur që mban emrin e të bekuarës Nënë Tereza ngjante me sheshet e largëta të diktaturës së orientit ku nëpunës gojëkyçur u detyruan të dëgjojnë për dy orë para dhunës së oligarkëve të tyre. Të dëshpëruar, të lodhur ishin ata dje, në këmbë, të vendosur, të bindur në fitore jeni ne sot. Në rrahjen e çdo zemre nëne dhe babai, në rrahjen e çdo zemre të rinisë fisnike, të bashkuar në vendosmërinë tonë që në 21 qershor këtë të dielë të themi fjalën tonë, mos jemi bujkrobër të oligarkisë, por mbretërit dhe princërit e demokracisë shqiptare.”- u shpreh Basha.

Më tej ai theksoi se qeveria shpif për kandidatët e opozitës dhe se këta të fundit janë të përkushtuar ndaj qytetarëve,“Dy vite me parë dyshja Rama- Meta mori pushtetin sepse premtoi se do ishte në krahun e qytetarëve, sot kjo dyshe i ul qytetarët në karrige dhe ua mbyll gojën me zinxhir. Nuk ju flet edhe nuk i sheh në sy, nuk shpjegon pse premtoi uljen e taksave për 97 % pasi mori votat i rriti dhe shumëfishoi ato. Tani që ora e bilancit, ora e pashmangshme e llogarisë, ora e përballjes me popullin po afron kërkon ti mbyllë gojën opozitës. Edhe sot thonin në tribunat e tyre ç’na duhet papunësia. mos flisni për varfërinë. Flisnin për ujërat e zeza. Ujërat e zeza të kombit dhe historisë janë oligarkët e pashpirt që i kanë vënë lakun në fyt shqiptarëve. Ne ju kemi parë në sy, ju qajmë hallet dhe ju themi se kemi zgjidhje, kemi shpresë, kemi ofertë për ju”,- u shpreh Basha.

Më tej kreu i APPD akuzoi mazhorancën se po kandidon me trafikantë. ai u shpreh se nuk mund të krahasoheshin kandidatët e ASHE me kandidatët e opozitës. “Kështu i kanë konceptuar edhe zgjedhjet e pushtetit vendor. Dyshja Rama- Meta nuk donte zgjedhje por si ikin dot ligjit dhe Kushtetutës. Sot nga Kavaja nuk dhanë përgjigje si ta quajnë kandidatin në Kavajë Edvin apo Elvis. Njerëzit e dinë që kandidove trafikant në Kavajë. Këta i bashkon vetëm një virtyt. nuk i kanë sytë tek hallet tuaja por te xhepat tuaja. Do donin mos kishin ofertë. E kanë kot i kemi krahasuar dhe mund ti krahasojmë sa herë të doni dhe në 21 qershor do i krahasojnë qytetarët shqiptarë. Do krahasojnë Qazim oktapodin me Ardian Turkun? Apo do krahasojmë Velinën e Tiranës që në dy vite vendosi rekordin korrupsionit. Halim Kosova e di se çfarë është djersa e ballit. Me ne është e vërteta, me ne janë faktet, me ne është realiteti, klithma e varfërisë që nuk kërkon lëmoshë por kërkon zgjidhje kërkon punë dhe dinjitet. Vota e të dielës është shumë më shumë se vota e zgjedhjeve vendore. Kemi alternativën e dorëzimit të Tiranës si një peshqesh pashallarëve të oligarkisë. Ne kemi tjetër vizion kemi tjetër alternativ. Për ne këto zgjedhje nuk janë forcë e pushtetit, janë kushtrimi që demokratët e kanë ndjerë në zemrën e tyre që ditët e para. Do votojmë platformën tonë të uljes së taksave dhe çmimit të energjisë.”- u shpreh Basha.

Kosova: Fitorja e padiskutueshme, garantoj transparencë në Bashki
Kandidati për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova ndërsa shprehu bindjen për fitoren e tij në kryeqytet, tha se do të sigurojë transparencë në qeverisje dhemë shumë shërbime për qytetarët.

“Do të garantoj transparencë në qeverisjen e bashkisë, më shumë shërbime, cilësi dhe mundësi punësimi. Unë nuk jam politikan tipik, dhe projekti im bazohet në punë dhe jo fjalë. Virtyti im është fjala e mbajtur. Ne së bashku kemi përcaktuar projektet për kryqytetin. Ju ftoj të votoni për Tiranën e së ardhmes”, tha Kosova.

Duke u kërkuar kryeqytetasve që ta votojnë, Kosova tha se “Po e kërkoj votën tuaj se e di që së bashku do ia dalim të bëjmë një kthesë të madhe për Tiranën, për të gjithë ju, për të gjithë qytetarët. Do t’i përvishemi punës së bashku për atë të gjithë duam për kryeqytetin”.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb