Arabia Saudite po shqyrton një propozim të rebelëve Huthi në Jemen, për një formë të armëpushimit, e cila nëse do të arrihet, mund të forcojë përpjekjet e SHBA-së për të përfunduar një luftën shkatërruese, në njërin nga vendet më të varfëra të botës arabe.

Rebelët Huthi gëzojnë mbështetjen e Iranit. Dy javë më parë, rebelët thanë se mund të ndalin sulmet me raketa dhe dronë në Arabinë Saudite, nëse koalicioni i mbështetur nga perëndimi, dhe i udhëhequr nga Arabia Saudite, ndal sulmet ndaj tyre. I dërguari i Posaçëm i Jemenit mirëpret vendimin e rebelëve Huthi për ndalim të sulmeve. Lufta gati pesë vjeçare në Jemen, të cilën Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si katastrofën më të keqe humanitare në botë, i ka shtyrë banorët vendas në prag të urisë, shkruan rel.

Luftimet në Jemen kanë nisur në vitin 2014, kur lëvizja shiite Huthi ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë. Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.
OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb