PRISHTINE – Arbana Xharra, kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, është ndër 10 gratë të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për “Gra të Guximshme” që jep Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry. Me një karrierë të gjatë në gazetari, së fundmi ajo është vënë nën shënjestrën e grupeve ekstremiste islamike për shkak të raportimeve që ajo i ka bërë këtij fenomeni. Në një intervistë, zonja Xharra tregon emocionet e marrjes së çmimit si dhe gjendjen e vështirë ekonomike në Kosovë, që sipas saj po shfrytëzohet nga grupet ekstremiste islamike.
Znj. Xharra, si u ndjetë në ceremoninë e dhënies së një çmimi kaq të rëndësishëm, siç është ai “Gra të Guximshme”, të dhënë nga Departamenti i Shtetit Amerikan?
Në fakt, emocioni është shumë i madh, kur vlerësohesh dhe merr një mirënjohje kaq të madhe nga një shtet mik i shqiptarëve, nga Departamenti i Shtetit Amerikan, është një ndjenjë e papërshkueshme. Të jesh në mesin e 10 fituesve, nga mbarë bota, ndërkohë që 97 propozime kanë qenë nga ambasadat e vendeve të ndryshme është një kënaqësi e veçantë. Kur sheh, po ashtu edhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve që kanë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, sepse kur je jashtë vendit ndjen se flitet për gjithë shqiptarët dhe kënaqësia është më e madhe. Po ashtu, çmimi është marrë për të gjithë Europën, sepse kanë qenë në garë edhe shtetet e tjera dhe me të vërtetë është një kënaqësi e madhe të të vlerësohet puna, mundi dhe sfidat me të cilat unë jam ballafaquar. Por njëkohësisht nuk është mirë që të dish që je nw vende ende me probleme, siç janë vendet nga të cilat kanë ardhur fituesit e këtij çmimi, Afganistani, Bangladeshi, Siria, e nga shumë vende të tjera në zhvillim, megjithatë është një ndjenjë e mirë që të shohësh fokusin ndërkombëtar te ne, sepse tregon se nuk na kanë harruar. Normalisht kam marrë dhe vazhdoj të marr, edhe pas këtij çmimi, kërcënime nga këto grupe, që më thonë “ti je e nderuar nga amerikanët, por amerikanët janë kundra nesh”.
Këto kërcënime vijnë nga shqiptarë, apo nga trevat që ju thatë se keni bërë intervistat?
Po, këto kërcënime vijnë nga shqiptar, të cilët fatkeqësisht zhvillojnë dhe tentojnë të shpërndajnë këto ideologji. Fatmirësisht këta janë ende grupe shumë të vogla, ndaj dhe ne duhet të punojmë që të mos lejojmë që ata të mos zhvillojnë një ideologji të tillë në vendin tonë.
Nga intervistat që ju keni bërë, 83 të tilla, a keni mundur të arrini një përfundim sa i përket financimit të grupeve terroriste? Kemi të bëjmë me persona të financuar, apo thjeshtë ata që përkrahin një ideologji të caktuar për t’iu bashkëngjitur një lufte që nuk është aspak shqiptare?
Unë po ju them se si ka nisur në Kosovë. Pas luftës kanë ardhur shumë organizata, sidomos nga vendet arabe, për çështje humanitare. Fillimisht kanë pasur interes te fëmijët, 6-12 vjeç, ku u janë ofruar kurse të gjuhëve të huaja apo dhe kompjuteri pa pagesë, dhe më pas u kërkohet të mësojnë për fenë. Po ajo që ndodh është se ata aty vihen në kontakt me një islam tjetër, që nuk është ai traditës shqiptare të besimit dhe sot kemi të bëjmë me një gjeneratë që është rritur e që besojnë në një ideologji tjetër, por që jetojnë në kushte shumë të varfëra. Së fundmi, unë kam qenë në disa familje që i janë bashkëngjitur luftës në Siri dhe ata janë shumë të varfër. Domethënë është gjendur një terren shumë i përshtatshëm, ku është shumë e lehtë t’u bëhet shpëlarja e trurit dhe është shumë e lehtë t’u ofrohet qasja e këtyre predikuesve. Kur shohim familjet e atyre që kanë shkuar të luftojnë përkrah ISIS, vërejmë se ata jetojnë në kushte të mjerueshme. Pra, nëse ne do të vazhdojmë të jemi të izoluar, pa liberalizim të vizave dhe në gjendje të rënë ekonomike është shumë e lehtë zhvillimi i kësaj ideologjie, sepse nëse një njeri nuk ka rast të shohë vlerat europiane është më lehtë të bindet e të shkojë atje ku luftohet.
Sa e vështirë ka qenë për ju realizimi i 83 intervistave, për të cilat unë nuk besoj se ju kanë mirëpritur?
Nuk është e lehtë të shkosh në shtëpitë e këtyre personave kontrovers, e t’u kërkosh llogari për atë çfarë ata bëjnë, të sqarohen se nga i marrin mjetet teksa thirren në besim islam dhe njëkohësisht kanë edhe një jetë luksoze. Unë kam kërkuar të gjej burimin financiar të tyre. Nuk ka qenë e lehtë t’u afrohesh atyre me paragjykimet që kanë, sepse në fillim duhet t’u përgjigjesh pyetjeve të tyre. Pse ke shkuar, kush të ka dërguar e më pas të marrësh rrëfimet e tyre. Pas publikimit të shkrimit, kam nisur linçimin dhe presionet me të mëdha, që arritën deri aty sa më shpallën islamofobia e vitit 2013. Në një faqe interneti ishte vendosur fotoja ime dhe unë marr mbi 5 mijë vota të njerëzve që më shpallin si të tillë. Pra, pas këtij linçimi që të bëhet, presioneve, pasi të kërcënojnë edhe fëmijët nuk është aspak e lehtë, por unë do të vazhdoj të përcjell këtë temë, sepse kam vendosur të rris fëmijët e im e të vazhdoj të jetoj në Kosovë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: