Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Aktori i njohur Arben Derhemi është kundër shembjes së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar një të ri, pa gjetur më herët një godinë ku artistët të japin shfaqjet. Ai duket se kundërshton idenë e Hervin Çulit (drejtori aktual) për shembjen e godinës së amortizuar të i TK-së. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, ai la të kuptohet se artistët do i rezistojnë kërkesës për një godinë të re, pa u plotësuar disa kushte. “Kur të vendoset se do të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar, pra kur ky vendim të merret nga Kryeministri i Shqipërisë, nga shteti shqiptar, me gjithë parametrat e një teatri botëror, dhe gjatë kësaj kohe Hervin Çuli apo kryeministri të kenë gjetur një godinë tjetër për Teatrin Kombëtar, godinë ku ne të japim shfaqje dhe të ekzistojmë si teatër i mirëfilltë kombëtar, siç kemi ekzistuar këtu ku jemi, atëherë bujrum le të fillojë të bëhet Teatri e ri Kombëtar”, – tha Ben Derhemi, duke kujtuar historinë e godinës së Fakultetit të Gjeologjisë, që u lirua për të pritur Gjykatën e Lartë. Ndërsa nënvizon se ndërtimi i një teatri kërkon shumë kohë, lë të kuptohet se Shqipëria nuk mund të rrijë pa teatër për 4-5 vite, ndërkohë që një godinë e re ngrihet.
Mandej, kur vjen biseda te fakti se si duhet të jetë ky teatër i ri, Derhemi nuk ngurron të theksojë se: “Nuk jam që të bëhet një bodrum si teatër dhe sipër tij të ketë një pallat. Unë po flas për një Teatër të ri Kombëtar të mirëfilltë, nga fillimi deri në fund”.
Edhe Derhemi është kundër një ngrehine “multifunksionale”, që do ngërthente në vetvete edhe një teatër edhe disa ambiente me funksione të tjera. “Pyetjes nëse kërkohet një godinë e dedikuar vetëm për teatër, ai i përgjigjet: “Normalisht, një godinë dedikuar Teatrit Kombëtar shqiptar”. Ai sjell shembullin e fqinjëve, që së fundmi kanë investuar miliona euro në këtë fushë. “Edhe ajo ‘kioska pa leje’ që quhet Maqedoni, ka investuar rreth 50 milionë euro para dy vitesh për Teatrin Kombëtar të ri dhe sot në Tetovë janë lëvruar rreth 13 milionë euro për teatrin e Tetovës nga qeveria e Shkupit. Ndërkaq, qeveria shqiptare nuk mundi të lëvronte dot 30 milionë euro për të bërë një Teatër Kombëtar? Kjo është çmenduri. Unë nuk e di, nuk i jap dot shpjegim”, shprehet Derhemi për “GSH”.
Pothuaj të njëjtin mendim kanë ndarë me ne, edhe regjisori Alfred Bualoti apo regjisori Mihal Luarasi. Në dy numrat e kaluar, në intervistat e tyre për “Gazetën Shqiptare”, ata kanë pohuar se gjendja aktuale e godinës së Teatrit Kombëtar është e rëndë, jo vetëm pse reshjet në disa zona hyjnë brenda, por edhe për shkak të amortizimit të objektit që është ndërtuar më shumë se shtatë dekada më parë.
Por, ka një problem. Drejtori i TK-së, Hervin Çuli, nuk ka dhënë sqarime se ku mund të shkojnë artistët dhe teatri në rast se do iu duhet të lirojnë këtë godinë, për të ndërtuar po aty një godinë të re. Ftesës së “GSH” për të dhënë një intervistë për këtë pyetje apo të tjera lidhur me këtë çështje, ai i është përgjigjur negativisht. Mbase sepse ai nuk ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë për këtë sipërmarrje? Apo mbase po teston opinion publik? Çuli është i vendosur të flasë para mediave vetëm për ‘suksese’ jo për probleme, e në këtë kuadër, tema e godinës nuk dihet nëse do qëndrojë te sukseset. Aktualisht, kjo temë qëndron fuqishëm te problemet, madje tek ato që nuk shohin dritë jeshile.


(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: