TIRANE- Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Imami, thotë se kreu aktual i kësaj force politike e ka dëmtuar partinë. Sipas tij, Basha ka popullaritet të ulët, ndërsa shton se PD është në rënie. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Imami thotë se duke qenë se Basha është shkaktari i situatës së krijuar në PD, është ai që duhet të bëjë edhe bashkimin e demokratëve.
Sakaq, ai thotë se sipas parimeve demokratike, Basha duhet të jepte dorëheqjen pas humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
“Basha mbi çdo kriter etik, perëndimor, duhet të jepte dorëheqjen. Siç ndodhi në Itali psh, Renzi humbi, dhe dha dorëheqjen”, shprehet Imami.
Pjesë nga intervista
Si i përgjigjeni reagimeve brenda PD? Ju propozoni të mblidhet Këshilli?
Unë propozoj të respektohet statuti. Të ngrihet një grup pune serioz që të merret me përgatitjen e statutit të ri. Ne e dimë sa njerëz kanë marrë pjesë në zgjedhjet brenda partisë, ndaj askush nuk mund të ketë besim. Bashkimi mund të bëhet vetëm përmes zbatimit.
A ia paraqitet këto shqetësime? Dhe çfarë përgjigje morët?
Sigurisht që i parashtruam, por përgjigjja ishte ajo që duhet të ecim përpara. Por është me rëndësi që të ecet pozitivisht në këtë drejtim. Nëse Basha ka 1% mundësi që të jetojë si kryetar i një partie, është bashkimi i demokratëve. E vetmja mënyrë për t’u marrë vesh është të ulemi në një tryezë, të bisedojmë, të ngrihet një grup serioz pune.
Pas mbledhjes së Kryesisë thatë se jam brenda PD. Lëvizjet i përmendëm, po ju vetë pse nuk jeni bërë pjesë e ndonjë lëvizje?
Nuk e di se ç’kanë bërë të tjerët. Nuk mendoj të bëj gjë. Unë do të punoj. Kjo nuk do jetë një gjendje e përhershme. Unë e di që ka njerëz brenda PD që mendojnë se kjo parti është duke humbur, duke rrëshqitur, por unë do punoj kundër këtij fataliteti. Nuk mund të mos them atë që mendoj. PD vazhdon në rënie, sot është nën 20%. Flirti i vazhdueshëm Basha-Rama i bën votuesit e vërtetë të PD që nuk duan gjë, që të reagojnë ndryshe. Fakti që këta demokratë nuk kanë votuar në zgjedhjet e brendshme, është protesta më e madhe. Duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se kaq, dhe në sajë të bashkimit, mund ta luftojmë forcën tjetër politike.
Mendoni se PD duhet të jetë me Bashën në krye për ta bërë këtë bashkim?
Zgjidhja e vetme për PD ishte që Basha për shkelje të rënda të statutit, të jepte dorëheqjen. Duhet të krijohej një grup për ta çuar partinë së bashku drejt zgjedhjeve të reja. Kjo nuk u pranua. Basha mbi çdo kriter etik, perëndimor, duhet të jepte dorëheqjen. Siç ndodhi në Itali psh, Renzi humbi, dhe dha dorëheqjen. Jam i detyruar të respektoj kushtet në të cilat janë situatat. Në mbledhjen e shtatorit i kam thënë Bashës së legjitimiteti i tij është i dobët, dhe të bëjë përpjekje që atë që ka prishur ta ndreqë. Dhe kjo është edhe një nga arsyer se që nga ajo mbledhje unë kam dalë në media një ose dy herë. Pra i lihet kohë tjetrit që të reflektojë.
(el.sp/BalkanWeb)