Libri më i ri i prof.Arben Putos, mban titullin “Sfidat e të drejtave të njeriut për një shoqëri të lirë” (Toena). Botimi përmbledh kujtime të viteve 1990-2000 mbi angazhimin e tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe ngritja e Komitetit të Helsinkit. Prej këtij libri, ne po shkëpusim një letër që mban datën 27 gusht 1990, e që prof. Puto ia ka dërguar Elez Biberajt, drejtor i emisionit shqip tek “Zëri i Amerikës”. Në të Puto i rrëfen mendimet e tij për Shqipërinë e kohës. Letra në fjalë që i paraprin daljes publike të historianit 4 muaj më vonë në këtë emision, tregon se sa e vështirë ishte ardhja pluralizmit dhe se si Ramiz Alia gjendej në mëdyshje.
LETËR PËR
Z. ELEZ BIBERAJ
“Voice of America”
Albanian Service
Uashington D.C. USA
I nderuari Z. Elez Biberaj,
Vendosa t’ju shkruaj juve, sepse midis mjaft gjërave që na kanë ndarë, ka diçka që shpresoj na bashkon. Është fati i kombit, e ardhmja e Shqipërisë. Por siç e shihni, po jua dërgoj këtë letër me rrugë të tërthortë, për fat të keq ende në këtë vend jemi tepër larg shprehjes së mendimit të lirë dhe çdo komunikim me jashtë kalon nëpër një censurë të rreptë.
Para së gjithash, dua t’ju përgëzoj për suksesin e emisionit tuaj, i cili tani ndiqet nga të gjithë me shumë interes. Është pa dyshim emisioni që sot dëgjohet më shumë. Kjo ndodh, sipas mendimit tim, sepse “Zëri i Amerikës” jep jo vetëm një informacion të gjerë e të saktë, por edhe ngjall shumë shpresa për të ardhmen tonë. Shpesh, duke e dëgjuar, kujtojmë vargjet e famshme: “Mbaju Nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Mund t’ju them se auditori juaj shtohet nga dita në ditë. njerëzit nuk kanë më frikë dhe e dëgjojnë shpesh me zë të lartë, siç ka ndodhur këtë verë nëpër plazhe në Durrës e gjetkë.
Kuptohet, “Zëri i Amerikës” nuk është një emision privat. Aty njerëzit gjejnë të reflektuar edhe qëndrimet e qeverisë së SHBA jo vetëm për problemet më të ndryshme të politikës botërore, por edhe për ngjarjet në Kosovë, edhe për situatën në vendin tonë. Një përshtypje të madhe shkaktojnë lidhjet aq të forta shpirtërore që shqiptarët e atjeshëm ruajnë gjithnjë me “vendin-amë” dhe që ju i raportoni herë pas here. Vëmendjen e njerëzve e tërheqin aq më shumë lajmet që ju jepni herë pas here mbi fatin e mijëra “refugjatëve të ambasadave”, të cilët opinioni i gjerë i vendit nuk i konsideron globalisht “rrugaçë” e “tradhtarë”, siç bën regjimi.
Për të gjitha këto, unë kam bindjen se “Zëri i Amerikës” që tani është, sot, madje do të jetë edhe më shumë, një faktor i rëndësishëm që do të luajë rolin e vet në zhvillimet e ardhshme në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi.
Pikërisht duke u nisur nga rëndësia që ka “Zëri i Amerikës” sot për kombin tonë, unë vendosa t’ju shkruaj këto radhë.
Do të shtroj nja dy probleme që më duket se kanë nevojë të sqarohen më mirë, me qëllim që të bashkohen të gjitha forcat brenda dhe jashtë, ato forca të shëndosha që janë me të vërtetë për transformimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri të hapët, demokratike e moderne. Preokupimi kryesor duhet të jetë që në këtë fazë tepër kritike e delikate, të evitohet çdo tronditje që mund t’i kushtojë shumë vendit, që proceset transformuese të zhvillohen në rrugë paqësore, pa gjakderdhje.
Për fat të keq, mundësitë për një zhvillim të tillë duken të komprometuara nga kthesa që përpiqet të bëjë regjimi pas ngjarjeve të korrikut. Ka një kthim prapa që vihet re në të gjithë linjën. Bisedat me delegacionet e huaja, të cilat i japin rast R. Alisë të përsërisë se “procesi i demokratizimit është i pakthyeshëm”, kanë për qëllim t’ia fshehin opinionit të jashtëm gjendjen e vërtetë. Në Perëndim dhe aty në Amerikë, në mënyrë të veçantë, duhet të kihet mirë parasysh se regjimi flet dy gjuhë: një për brenda dhe një tjetër për jashtë.
Aktualisht këtu brenda po mbahen kudo mbledhje të ngushta (në parti) dhe të gjera (në masat), në të cilat ngjarjet e korrikut denoncohen si “komplot i reaksionit ndërkombëtar për përmbysjen e pushtetit popullor”, bëhen thirrje “për të shtuar vigjilencën kundër ar-miqve të brendshëm e të jashtëm”, “për të forcuar luftën e klasave”. Nuk bëhet asnjë analizë realiste e krizës, e gjendjes katastrofike në të cilën është zhytur ekonomia. Shkurt: e keqja është jashtë, flitet me gjuhën e vjetër dhe Shqipëria është përsëri ajo “kështjella prej graniti që mban lart flamurin e marksizëm-leninizmit përballë sulmeve të kapitalizmit botëror”. Vihet re një hutim i përgjithshëm dhe do të thosha një zemërim ende i fshehur që si mund të kthehemi te metodat që të kujtojnë kohët më të errëta të diktaturës së Enver Hoxhës.
Një tregues i qartë i kthesës së ngjarjeve ishin ndryshimet që u bënë në udhëheqjen e Partisë e të qeverisë ato ditët e nxehta të fillimit të korrikut. Në Perëndim ato u komentuan si një raund tjetër ballafaqimi midis konservatorëve dhe reformatorëve, që mbaroi në favor të R. Alisë. Ky është gabimi më i madh që bëhet aty kur është fjala për gjendjen në Shqipëri. Duhet të jetë e qartë se R. Alia është zot i pakundërshtueshëm në këtë vend. Këto janë rregullat e ushtrimit të pushtetit në një regjim të tillë. Sekretari i parë i KQ ka fjalën e fundit. Ai i vë vulën çdo gjëje, edhe në qoftë se dikush ka ndonjë rezervë, ai e thotë fjalën e tij për aq sa ajo nuk cenon “udhëheqësin” e partisë. Askush nuk mund të vejë në dyshim autoritetin e tij suprem në parti dhe në shtet. Pastaj, kush mund t’i dalë përpara R. Alisë? Njerëzit që e rrethojnë janë gati të gjithë me një intelekt dhe formim tepër të ulët, aq të ulët sa u bëhet nder kur cilësohen “konservatorë”, ndërsa fjala më e përshtatshme do të ishte “injorantë”. R. Alia e ka mësuar mirë mësimin e mësuesit të tij: në këtë rreth ai e ndien veten krejt të sigurt, asnjë e papritur nuk mund të ndodhë.
Sigurisht, R. Alia nuk është ai diktatori i egër siç ishte paraardhësi i tij E. Hoxha. Atmosfera pas vdekjes së këtij të fundit filloi të lehtësohej. Njerëzit filluan të mos kishin po atë frikë që kishin më parë, filluan dalëngadalë të flasin më shumë. Por R. Alia në shpirt nuk ka qenë asnjëherë reformator e demokrat. Si çdo lider komunist, ai është mbërthyer fort pas pushtetit. Ndryshimet e mëdha në BS dhe në vendet e Lindjes e vunë në pikëpyetje pushtetin e tij. Atëherë ai doli me programin “e reformave” për “demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit”. Nuk duhet të harrohet se, çfarë ka bërë jo vetëm që nuk është esenciale, por edhe e ka bërë nën presion nga jashtë. Kjo do të thotë se presioni i jashtëm ka dhënë rezultate. Në qoftë se regjimi më parë ishte krejt i pandjeshëm, sot në situatën e ndryshuar, ai nuk mund të mos marrë disa masa, qoftë edhe gjysmake e të pjesshme, që t’ia ndryshojë imazhin e vjetër, të frikshëm Shqipërisë, si vendi i fundit stalinist në botë.
Nuk është nevoja të zgjatemi më shumë rreth personalitetit të R. Alisë, rolit të tij në zhvillimet e sotme e të ardhshme të Shqipërisë. Unë mendoj se ju keni marrë disa vlerësime të sakta nga intervistat që iu keni marrë disa refugjatëve.
Unë do të kthehem përsëri te ndryshimet që u bënë në udhëheqjen e Partisë e të qeverisë në fillim të korrikut. Fakti më karakteristik i këtyre ndryshimeve është emërimi i Xhelil Gjonit si anëtar i Byrosë Politike, sekretar i KQ dhe njëkohësisht Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës. Xh. Gjoni ka marrë një pushtet të tillë saqë këtu ai cilësohet tani “nr. 2” në Parti e në shtet. Emërimi i tij ka shkaktuar një habi të përgjithshme. R. Alia nuk mund të zgjidhte njeri tjetër më të përshtatshëm, për të frikësuar intelektualët. Është njeri që njihet për brutalitetin, për prepotencën dhe skandalet që ka bërë në shumë raste. Në Tiranë, ditët e para pas emërimit të tij, dolën “fletërrufe” (afishe) nëpër mure, ku ai akuzohej, për rrahje, për kërcënime. Shihet qartë se R. Alia e ka zgjedhur atë si “dorë të fortë”. Dhe ai po bën të gjitha përpjekjet për të justifikuar besimin që i është dhënë. Me urdhër të tij ka filluar fushata e përjashtimit nga partia të atyre anëtarëve që kanë të afërmit e tyre ndër të ikurit nëpër ambasada. Dhe dihet se këtu “përjashtim nga partia” është ende njëlloj linçimi (ndonëse nuk është më vdekje civile siç ishte më parë). Veç asaj, me iniciativën e Xh. Gjonit po bëheshin listat e gjithë familjarëve të të “arratisurve”. (V. O. po përdoret përsëri ky term “arratisur”, megjithëse zyrtarisht u hoq nga legjislacioni disa muaj më parë). Si fillim është parashikuar që këta “të hiqen nga punët e mira” si të padenjë (p.sh. në Universitet këta nuk mund të qëndrojnë sepse janë “një shembull i keq për brezin e ri”). Xh. Gjoni ka shtruar edhe çështjen e internimit të tyre, në kundërshtim me ligjin e ri që e anuloi këtë praktikë. Me një fjalë, në rend të ditës tani qëndron çështja e reprezaljeve që duhen marrë kundrejt familjarëve “të njollosur”. Ndërkaq, autoritetet mbajnë heshtje për dhjetëra të vrarë midis atyre që u orvatën të strehohen nëpër ambasadat në Tiranë dhe për qindra të tjerë që janë vrarë në kufi, në veri dhe në jug.
Mendoj se në këtë situatë është e domosdoshme që të denoncohet ky “kthim prapa” që rrezikon ta hedhë vendin në katastrofë. Në takimin që pati me disa intelektualë në gusht R. Alia duhet të ketë kuptuar se inteligjenca, e cila tani sidoqoftë ka pak më tepër hapësirë, nuk është entuziaste për “shtrëngimin e vidave” që ai i ka lënë në dorë Xh. Gjonit me shokë. Megjithatë, askush veç jush nuk mund ta bëjë këtë më mirë. Unë nuk mendoj se është oportune t’i “shpallet luftë e hapët” R. Alisë. Nuk jam për atë që të pritet çdo urë me të. Për fat të keq, tani për tani nuk ka alternativë tjetër, veç asaj që të bëhet presion mbi të me qëllim që ai të mos kthehet prapa, të vazhdojë më tej në rrugën e reformave. Gjithmonë, por aq më tepër në momentin aktual, Alia ka qenë i ndarë më dysh: shumë gjëra e mbajnë të lidhur me të kaluarën, me të vjetrën, por situata shkon kundër kësaj dhe ajo e shtyn drejt së resë. Është një rast tipik i skizofrenisë politike. Duhet të kuptohet mirë se, në qoftë se ka dy rryma, ato gjenden në vetë Alinë. Për një diagnozë të tillë ka vetëm një terapi: me durim, me prudencë, ai duhet të shtyhet që volens nolens të ndjekë rrymën e dytë.
Për këtë ai duhet të vihet vazhdimisht në provë. Një okazion i mirë është kërkesa e tij për t’u bashkuar me proceset e sigurimit e të bashkëpunimit në Europë (KSBE). Ai dhe këshilltarët e tij (të cilët në diplomacinë e këtij vendi janë ose servilë ose inkompetentë), janë të bindur se mund ta kalojnë provën relativisht lehtë: me disa masa gjysmake si ato që janë marrë, me disa fjalë të përgjithshme mbi demokracinë. Në gusht erdhi këtu një delegacion i Kongresit, i kryesuar nga senatori De Concini; pati disa kontakte, bëri disa takime, u prit edhe nga R. Alia. Një anëtar i grupit Moody paska deklaruar pas vizitës se “Shqipëria është larg standardeve europiane”. Kjo është e vërtetë dhe kjo i duhet bërë e qartë R. Alisë. Duhet ta kuptojë se pa pluralizmin, pa zgjedhjet e lira, pa lirinë e fjalës e të organizimit, pa lirinë e fesë, nuk mund të hyhet në Europë.
Në situatën që po kalojmë çështja e qëndrimit kundrejt intelektualëve të këtij vendi bëhet veçanërisht e mprehtë. Lidhur me këtë më kujtohet një intervistë që ju i patët marrë njërit prej refugjatëve ato ditë të korrikut. Ai bëri një klasifikim të drejtë: ai i ndau intelektualët e këtushëm në “intelektualë të vërtetë” dhe në “pseudointelektualë”. Nuk është nevoja të ndalemi në këtë kategori të dytë, sepse aty hyjnë nulitetet, mediokritetet që regjimi i ka prodhuar me shumicë; ata janë një kopje e “profesoratit të kuq” të formuar sipas modelit stalinist. Por është fakt se ka pasur dhe ka edhe intelektualë të vërtetë. Nuk është e drejtë që këta të gjykohen tepër rreptë. Thuhet se ata janë “komprometuar me regjimin”. Kjo nuk mund të mohohet krejt. Por duhet të mos injorohen kushtet në të cilat ata kanë qenë të detyruar të jetojnë e të punojnë. Unë besoj se interpretoj një opinion që mbizotëron këtu, sipas të cilit inteligjenca në Shqipëri ka përjetuar një tragjedi të vërtetë. Në asnjë vend të Europës Lindore intelektualët nuk kanë jetuar si në Shqipëri. Përmenden shembuj, shpesh, të Polonisë, Çekosllovakisë, deri edhe të Rumanisë, e megjithatë asnjë krahasim nuk mund të ketë me gjendjen në Shqipëri. Regjimi enverist nuk u ka lënë intelektualëve asnjë hapësirë. Pikësëpari, i ka mbajtur fort të mbërthyer edhe për gjërat më të thjeshta në jetë, deri edhe për të mbijetuar. Shtresa që regjimi ka pasur më tepër në shënjestër ka qenë inteligjenca. Në çdo akt pavarësie, bile edhe në gjestin më të vogël, ajo është goditur pa mëshirë. Dhe ajo që ka rëndësi të mbahet mirë parasysh është se intelektuali “i kapur më gabim” nuk përgjigjej vetë, në pikëpyetje vihej gjithë familja, madje edhe rrethi më i gjerë. Nuk e teproj aspak kur them se inteligjenca shqiptare ka ndarë fatin e popullit të vet, duke jetuar bashkë me të në një nënshtrim të plotë.
Edhe një gjë duhet të jetë e qartë: një intelektual nuk mund të ketë si synim në jetë që të gjejë një qoshe të ngrohtë, të kalojë disi kufirin dhe të strehohet jashtë, prej nga mund ta ngrejë zërin pa pengesë. Të merremi vesh: me këtë nuk qortoj aspak ata njerëz të thjeshtë ose edhe intelektualë të persekutuar që i kanë shpëtuar terrorit duke ikur jashtë, në vende të ndryshme, edhe aty në Amerikë. Dua të them se një intelektual ka si ideal t’i shërbejë vendit, të japë kontributin e vet në kulturë apo në shkencë, në çdo rrethanë e në çdo kohë. Këtë mision i kanë caktuar vetes intelektualët e vërtetë shqiptarë. Por për t’u afirmuar, për të bërë punën e vet çdo intelektual ka qenë i detyruar të paguajë një taksë, dhe kjo quhet sot “komprometim”. Taksa ka qenë herë më e lehtë, herë më e rëndë. Kjo është varur nga individi dhe nga rasti. Por e them me plot gojën se intelektualët e vërtetë nuk e kanë identifikuar veten e tyre me regjimin asnjëherë.
Rasti i I. Kadaresë është i veçantë. Ai sot është vetmi intelektual shqiptar që me veprën e tij ka dalë në Europë dhe madje në botë. Jam dakord se taksa që ai ka paguar ka qenë tepër e rëndë. Por, në fund të fundit, I. Kadareja është ai që është: është një talent i madh, por nuk është një hero. Do të ishte mirë të ishte, por ja që nuk është. Veçanërisht pas vdekjes së diktatorit mund të pritej më shumë prej tij. Por fatkeqësisht nuk është Havel (ndonëse do të doja ta shikoja Havelin në kushtet e Shqipërisë). Prandaj nuk më duken të drejta sulmet që i bëhen Kadaresë nga shumë anë. Sepse, me gjithë taksën që ka paguar, megjithëse regjimi e merr me të mirë, ai prapë nuk e ka identifikuar kurrë veten me regjimin. Dhe mendoj se ai përsëri do ta luajë një rol dhe jo vetëm në fushën e letërsisë. Përgjithësisht, në këtë fazë intelektualët e këtij vendi nuk duhen injoruar. Po t’u krijohej më tepër hapësirë, ata me siguri do të përbënin të vetmen forcë që mund të dilte si alternativë. Jam i bindur se aktivizimi i intelektualëve do të ndikonte pozitivisht për demokratizimin e vërtetë të shoqërisë shqiptare. Për këtë kërkohet një vëmendje më e madhe nga jashtë, pikërisht në drejtim të atyre që quhen “intelektualë të vërtetë”. Unë dua t’ju siguroj se nuk mbroj këtu një çështje personale, por një interes të përgjithshëm, sepse këta intelektualë përfaqësojnë disa vlera autentike në këtë apo atë fushë; mund të mos jenë të destinuar për të zëvendësuar pushtetin, por janë patjetër të domosdoshëm për një tranzicion pa trauma të mëdha në procesin e pandalshëm të përtëritjes së Shqipërisë.
Ju shkrova shumë. E megjithatë kam aq tepër për të thënë. Do të doja të flisja për Kosovën, një çështje që na shkakton kaq shqetësime e dhimbje. Për fat të keq është kohë vuajtjesh për kombin tonë: populli shqiptar po vuan në të dy anët e kufirit. Ka kaq shumë çështje për të biseduar. Unë do të kisha shumë dëshirë të takohesha një herë me ju. Unë nuk i kam mundësitë që keni ju. Po ju jap një adresë për çdo rast, sigurisht jo këtu. (Me keqardhje mora vesh se nuk ju dhanë vizën për të ardhur këtu bashkë me delegacionin e Komisionit të Helsinkit). Më 15-25 nëntor do të jem në Paris, i ftuar në një seminar ndërkombëtar që organizohet për nder të 100-vjetorit të gjeneral De Golit. Do të ishte me dobi të takoheshim, të bisedonim bashkë.
Këtë letër po jua dërgoj juve në rrugë personale e konfidenciale. Ju lutem që ajo të mbetet midis nesh; unë nuk e quaj situatën të tillë që të më lejojë të dal hapur në këtë moment. Unë shpresoj se me ndihmën tuaj, me një vëmendje më të madhe nga ana juaj, jo vetëm unë, por edhe mjaft intelektualë të tjerë do të mund të “zbrisnin në arenë”. Megjithatë, besoj se ju mund të nxirrni nga kjo letër mjaft tema e argumente për komente mbi gjendjen e këtushme. Atëherë unë do të kuptoj se materiali ju ka shërbyer. Do t’ju sugjeroja t’iu referoheni “letrave nga Shqipëria”. (Sapo dëgjova reportazhin tuaj mbi 80-vjetorin e Nënë Terezës. Shumë bukur. Ide shumë e mirë që thirrët edhe I. Kadarenë).
Kërkoj ndjesë që një letër kaq të gjatë nuk pata mundësi t’jua dërgoj të daktilografuar, por shpresoj se leximi nuk do t’ju mundojë shumë.
Ju dërgoj përshëndetjet e mia dhe mbetem me shpresën se do të takohemi një ditë. Dhe do të bisedojmë…
Arben Puto
27 gusht 1990
(P.S. Në qoftë se do ta quani të mundshëm një takim apo edhe një bisedë telefonike kur të jem në Paris, po ju shkruaj adresën, mund të informoheni pranë “Institut Charles de Gaulle”, 5 Rue de Solférino, 75007 Paris, tel. 45.55.12.60, telex: ICG. CENT 270 823. Pyesni paraprakisht në kanë ardhur apo jo përfaqësuesit nga Shqipëria.)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)