TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani i ftuar sot në emisionin “Kjo javë” në News 24 tregoi me detaje analizën që do të nisë forca më e madhe opozitare për të kuptuar pse u humbën zgjedhjet parlamentare.


Ai u bë zëri i disatë brenda PD-së që flet për një stinë protestash, ndërsa argumentoi se një gjë e tillë do ndodhë pasi të merren garancitë nga strukturat.


“Bashkë me analizën do testojmë gatishmërinë e strukturave për të nisur një stinë protestash. Do nisë një stinë e fuqishme protestash që do i lërë në rutinë këto çështjet politike”,- tha ai.


I pyetur se kur mund të nisnin konkretisht protestat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, shtoi se: “Pritet një organizim. Tashmë jemi në kushte më të vështira nga ç ‘ishim para zgjedhjeve. Tani po analizojmë situatën për gatishmërinë e strukturave”.

Ish-deputeti shtoi se, protestat janë e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë, që mori pushtetin me paratë e krimit dhe drogës, siç tha ai.

“Kjo qeveri banditeske që kemi është e vështirë të rrëzohet me rrugë demokratike. Kur në pushtet ke një bandë krimi, që krahasohet me kartelet e drogës kolumbiane, vështirë se mund t’i rrëzosh nëpërmjet zgjedhjeve, se s’janë të lira e të ndershme. Ka një plan të studiuar mirë nga Rama, që nga një krah të varfërojë popullin dhe nga ana tjetër të pasurojë kriminelët. Deri tani ka ecur mirë plani i tij. Duke i tërhequr kriminelët dhe në Kuvend. Protesta, duket si e vetmja zgjidhje, nëse s’do kemi as ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë”.

(m.a/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: