GREQI – Mediat greke i bëjnë jehonë arrestimit të shqiptarit 31-vjeçar Arbër (Berti) Bako, i cili u arrestua për plagosjen e 15 personave në një lokal në Athinë. Në një profil të realizuar nga gazeta “To Ethnos” për shqiptarin që dyshohet se është pjesë e një grupi që ka sulmuar me armë dhe në disa raste të tjera, theksohet se Bako i ishte bashkuar dhe një grupi nacionalist.

Sipas medias greke, Bako bënte pjesë dhe në një grup të lançuar në FB, që ka moto hakmarrjen ndaj gardianëve grekë për vrasjen e Ilia Karelit në fillim të vitit, në burgun e Malandrinos. “Ky grup në Facebook ka më shumë se 145 mijë anëtarë, me foto tronditëse që shoqërojnë fjalët ‘Shqipëri Etnike’”, shkruan “To Ethnos”. Në këtë media bëhet i ditur dhe rrëfimi i Arbër Bakos, i publikuar një ditë më parë dhe në gazetën “Panorama”.

Bako ka përjashtuar veten nga sulmi me armë në fillim të nëntorit, po në një lokal në Athinë, ku mbeti i vdekur një klient. Sipas 31-vjeçarit, ka qenë miku i tij me emrin Olti që qëlloi, pas një sherri që kishte bërë me persona të tjerë në lokal. Vetë Arbër Bako pranon se ka marrë pjesë në dy ngjarje, ku në të fundit qëlloi me breshëri kallashnikovi, duke lënë të plagosur 15 persona. Ai është ndaluar në Greqi në vitin 2009 dhe ka bërë burg deri në gusht të këtij viti, kur u caktua me masë detyrim paraqitjeje, por që nuk e respektoi.

Më vonë Bako iu bashkua një grupi që mbijetonte me grabitje në zona të ndryshme të Greqisë. I pyetur për arsyet pse qëlloi ndaj klientëve të lokalit, 31-vjeçari me origjinë nga Kuçova ka deklaruar se thjesht ishte i dehur, por nga ana e prokurorisë greke po hetohet për motivet.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb