TIRANE– Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me atasheun e FBI-së Jack Liao, i cili mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë. Veliu falënderoi Liao për bashkëpunimin ndërmjet Policisë shqiptare dhe FBI-së, si dhe ndihmën që i ka dhënë Policisë se Shtetit.

Ardi Veliu ka theksuar se Policia e Shtetit është e vendosur dhe e angazhuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Njëkohësisht Veliu njohu atasheun e FBI-së me reformën në Policinë e Shtetit dhe ndryshimet strukturore të bëra në funksion të përmbushjes së prioriteteve.

Veliu i ka kërkuar atasheut të FBI-së që të shihet mundësia e trajnimit të oficereve të Departamentit të Policisë Kriminale, nga ekspertë të FBI-së me qellim marrjen e eksperiencave më të mira në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, hetimin e transfertave të vlerave monetare, etj.

Liao shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë në trajnime për Policinë e Shtetit, si dhe të sjellë ekspertë për të asistuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale. Palet u dakordesuan të forcohet më tej ky bashkëpunim, duke avancuar deri në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, kur është e nevojshme, me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Po gjatë ditës së sotme, Jack Liao, u prit në një takim edhe nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndërsa në fokus ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy agjencive ligj zbatuese, kjo edhe në vijim të çështjeve të trajtuara në takimin që Ministri Xhafaj zhvilloi me drejtues të FBI-se gjatë vizitës së tij në Uashington, në shkurt të këtij viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: