Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, pranon barazimin në fushën e lojës mes skuadrës së tij dhe Teutës. Gjithsesi, tekniku bardheblu nuk fshihet pas gishtit dhe e pranon hapur se skuadra e tij ra shumë në pjesën e dytë. Në një prononcim për “Supersport”, Mema theksoi gjithashtu se u ndjenë shumë mungesat e disa lojtarëve të rëndësishëm

E përsëritët fjalën përqëndrim, dhe u ndëshkuat prej atij momenti…

Ishte një moment në fillimin e lojës, dhe erdhi goli në një moment përqendrimi. Nga minuta e parë deri te e fundit, i them lojtarëve që të kenë përqendrimin. Më rrit besimin sepse ekipi reagoi, dhe qarkullonte topin, edhe shënoi.

Keni probleme në mbrojtje…

Në të shkuarën ka qenë shumë më evidente se tani, por tani gjërat janë riparuar. Ekipi ka qenë më në ekuilibër. Kemi pasur probleme, pasi kemi pasur lojtarë të dëmtuar brenda, dhe u kënaqa edhe me barazimin.

Ekipi reagoi vetëm në pjesën e parë, shënuat vetëm në një vertikalizim…

Pjesën e parë mendoj se përveç golit, kundërshtari nuk na vuri në vështirësi. Shfrytëzuam edhe gjerësinë me mbrojtësit e krahëve. Pasimet në thellësi kanë qenë të vakëta, edhe në pjesën e parë. Më pas, në pjesën e dytë më ra ekipi, edhe për efekt lodhje, pasi kemi pasur goxha lodhje dhe ndeshje të forta këto 10 ditë. Kjo mund të ketë qenë arsyeja. Ka pasur edhe problem, njërit nga qendrave i kam folur nga stoli. Njëri prej mbrojtësve më rrinte shumë poshtë, pasi Daja bënte presingun sipër, që ekipi të ishte më në ekuilibër. Kjo ishte një gjë që lojtarët e mi nuk ma lexuan mirë.

Muçi meriton 1 minutë lojë? Daja e ka kualitetin për të bërë atë që mund të bëjë Muçi 15 minuta?

Muçi ka luajtur minuta më tepër. Unë mendoj se Daja mbajti goxha peshë, kundrejt Teutës. Ndeshjet e kaluara Muçi ka luajtur edhe më shumë, besoj se do jetë në ndeshjet në vazhdim.

Goxha çfarë mesazhi të dha?

Unë mendoj se ai është më i mirë në qendrën e mbrojtjes, por Doka dhe Hoxhallari kanë pasur muskujt me probleme. E futa për emergjencë aty, ndoshta në të ardhmen do e fitojë vendin në qendër.

Përmendët rënie të ekipit në pjesën e dytë. Edhe Kobina nuk solli asnjë ndryshim…

Konstatimi është i drejtë, nuk dha asgjë për ekipin. Shpresoja për më shumë, ka kualitet por duhet parë gjendja fizike e tij. Nuk mendoj se për 30 minuta nuk vrapon dot aq sa pjesa tjetër. Imamin po e stërvis për qendrën e mbrojtjes, po bën mirë, dhe besoj që shumë shpejt do jetë i qartë për pozicionin e ri. Mua më pëlqen ta vendos qendër të majtë, dhe jam i kënaqur.

Thatë që kishit lojtarë të dëmtuar në formacion. A është normale kjo? A humbët një shans për të vazhduar serinë pozitive për më shumë besim?

Një ekip që ka 3 mungesa, Turtulli, Kërçiku dhe Hasani, dhe kur ekipi ka marrë një fizionomi më të qartë për titullarët, kjo është e vështirë. Ekipi i humb ekuilibrat. Kjo nuk ka të bëjë me merkaton, tani është mbyllur. Unë nuk marr dot lojtarë anonim, duhet të bëjnë diferencën, ndryshe nuk i marr. E kam bërë me dije se kam kërkuar Mensah, punët e tij, dhe unë shpreha dëshirën ta merrnim. Por, në fund nuk u arrit akordi mes tij dhe klubit përkatës. Kemi parë në Kosovë dhe në Suedi, por nuk është lënë pas merkato. Edhe me këtë grup lojtarësh do e kalojmë. Teuta është një ekip i fortë, me ekuilibra, dhe prandaj është në atë pozicion. Edhe barazimi është një rezultat i drejtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb