Nga: ARDIAN VEHBIU*-Ka pasur një përpjekje për ta hapur sërish, në një gazetë të Tiranës, çështjen krejtësisht të fabrikuar të “shpifjes” sime kundër Kadaresë – ose aluzionin se, në një ese timen të përkthyer në italisht në revistën prestigjioze “Lettera Internazionale” që del në Romë, unë paskam bërë tinëzisht timen tezën e gënjeshtërt se Kadareja i paska quajtur “jashtëqitje e kombit” refugjatët e krizës së ambasadave, në korrik të vitit 1990.

 

Kjo çështje është sqaruar prej muajsh, ose qëkur revista “Lettera Internazionale” me kërkesën time e pranoi haptazi dhe botërisht se kish bërë një gabim në procesin e redaktimit të përkthimit dhe më kërkoi falje mua, si palë e prekur nga ky gabim. Kushdo që është interesuar të zhbirojë më tej se si dhe pse u bë ky gabim, apo nëse ka qenë fjala jo për gabim, por për një komplot kundër meje ose Kadaresë vetë, është i lirë ta sqarojë punën sa dhe si të dojë duke komunikuar me redaksinë e revistës dhe pastaj t’i bëjë publike rezultatet e hetimeve. Edhe pse palë e lënduar nga ky proces, unë nuk kam tanimë as nge, as interes dhe natyrisht as ndonjë detyrim që ta çoj më tutje këtë punë. I kam shkruar privatisht Kadaresë dhe i kam thënë që, në versionin shqip të esesë në fjalë dhe të vetmin që ka dalë nga pena ime dhe është botuar në librin “Sende që nxirrte deti” thuhet diçka krejt tjetër, në lidhje me atë deklaratë të supozuar, të cilën e kam quajtur me atë rast “apokrife”. Kam shpresuar se Kadaresë do t’i mjaftonte ky përgënjeshtrim imi për të më besuar, ashtu siç më mjafton mua përgënjeshtrimi i Kadaresë se nuk e ka deklaruar kurrë atë që ia kanë atribuuar me keqdashje prej vitesh, që ta besoj shkrimtarin. Këto çështje, në nivelin ku operoj unë, zgjidhen me marrëveshje xhentëlmenësh ose fjalë burrash, jo me krrakërima kotecesh dhe skërmitje. Çështja në fjalë, ose vërtetësia e asaj deklarate të Kadaresë, mua sot më intereson në mënyrë fare margjinale ose, si të thuash, teorike; nuk jam unë as burimi as amplifikatori i asaj gënjeshtre të vjetër, të trashë dhe të mërzitshme – dhe orvatjet e tanishme, për ta lidhur atë domosdo me mua, provojnë se ka njerëz në Tiranë dhe gjetiu të cilët duan ta mbajnë këtë çështje artificialisht të hapur, për arsye që unë veç mund t’i marr me mend. Me siguri ajo çështje për ta ka shumë rëndësi. Kadarenë unë e respektoj si autor të shquar të letërsisë shqipe dhe si figurë publike dhe jam i sigurt se ai është fare mirë në gjendje të kujdeset për marrëdhëniet me publikun në Shqipëri dhe gjetiu dhe nuk ka nevojë për njerëzit që sot vrapojnë t’i dalin në krah dhe t’i hiqen si vazhdues dhe trashëgim-tarë të tij virtualë.

 

Do të jetë thjesht koincidencë që kjo mesele e “Lettera Internazionale” u rihap, për herë të tretë, pikërisht në momentin kur doli nga shtypi romani im ‘Bolero’; po aq koincidencë sa edhe stuhia e fekaleve që u ngrit herën e parë, kur eseja ime e rëndësishme, e botuar në një revistë letrare të klasit të parë si “Lettera internazionale”, u përbalt nga ky gabim ose faj ose kushedi çfarë tjetër, që nuk kish fare lidhje me thelbin e esesë; duke përfunduar ky incident kaq banal dhe i mirësqaruar deri edhe në profilin tim në Wikipedia, të organizuar rreth kësaj pseudo-ngjarjeje dhe që nuk kam arritur dot ta korrigjoj – sepse në Shqipëri edhe Wikipedia përdoret si një ekuivalente post-moderne e letrave anonime dhe të fletë-rrufeve të njëhershme. Ka ndyrësi të madhe në jetën publike në Tiranë, dhe – në një farë kuptimi – nuk habitem shumë që jam prekur edhe unë prej saj. Shpresoj që lexuesi im, i rregullt ose i rastit, të jetë në gjendje të mendojë në mënyrë kritike dhe të kuptojë se një autor mban përgjegjësi për gjëra që i ka shkruar ai vetë, por nuk mund të merret në pyetje për përkthimet e shkrimeve të tij prej së tjerëve, dhe aq më pak kur këto përkthime ai nuk i ka kontrolluar dhe as miratuar kurrë (sot e kësaj dite unë nuk e kam marrë në dorë numrin e revistës “Lettera Internazionale” ku është botuar eseja ime). Aq më tepër që eseja ime fare mirë mund të ishte përkthyer në një revistë tajlandeze ose estoneze dhe unë nuk do ta kisha marrë vesh kurrë se çfarë kish futur atje përkthyesi. E megjithatë, nuk dua që të ngre edhe shumë pluhur për këtë çështje, sepse ajo nuk ka bërë kurrë dhe as nuk bën pjesë në prioritetet e mia. Veç po dua të kujtoj se, te “Dimri i madh” i Kadaresë së dikurshëm, ka një pasazh kur palët në mbledhjen e Moskës, delegacionet sovjetike dhe shqiptare të kryesuara nga Hrushovi dhe Hoxha, dyshojnë për një moment se shkaku për acarimin e konfliktit ka qenë pikërisht një gabim fatal i përkthyesit Besnik Struga. Është kuptimplotë, por edhe qesharake, që i njëjti lloj keqkuptimi ose mosmarrëveshjeje të kthehet tani dhe të trazojë jetën dhe qetësinë e Kadaresë sikurse edhe timen. Në të vërtetë, edhe përkthimi funksionon më mirë, në ato rrethana kur palët komunikuese nuk dinë asgjë nga gjuha e tjetrit dhe le të mbetet ky i vetmi mësim moral i kësaj historie të mjerueshme.

 

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: