NGA ARDIAN VEHBIU

Kam lexuar këto ditë reagimet e shumta, në mediat, rreth pllakës së rivendosur në murin e kalasë së Lezhës, ku kremtohet rindërtimi i saj nga Sulltan Sulejmani. Çfarë më ka bërë përshtypje, është partizanllëku brutal i atyre që kanë ngritur zërin “kundër” restaurimit të kësaj dëshmie historike: të pakënaqurve, të fyerve, të lënduarve në identitet. Sikurse më ka bërë përshtypje mungesa e një autoriteti publik që të shqiptohet për mënyrën si do të stabilizohet dhe kremtohet historia – madje edhe jo vetëm ajo mesjetare – në Shqipëri. Nuk mund të përmbledh këtu gjithçka është thënë për atë pllakë të bekuar, por po mjaftohem të vërej se thelbi i kritikave ka të bëjë me të që ne (“ne” – gjithnjë del ky përemër, kur është fjala për të imponuar një fanatizëm) nuk mund të kremtojmë gjeste historike të “pushtuesit” turk. Debati varet kështu në kremastarin e një debati tjetër, primordial, në lidhje me natyrën e periudhës osmane për shqiptarët: pushtim apo sundim?

A thua të jenë vërtet njerëzit kaq të shqetësuar, për një rindërtim kalaje në shekullin XVI? Natyrisht jo. Këtu bëhet fjalë për luftë mes grupeve për supremaci në “normalizimin” e historisë; luftë që i ka rrënjët në dasitë fetare, ndoshta edhe ato gjeografike dhe kulturore.Këtyre grupeve nuk është se u bëhet vonë për sulltan Sulejmanin dhe tenderat e tij të ndërtimit; por thjesht e përdorin kundërvënien ndaj “osmanëve” si platformë për t’u përftuar si grupe dhe për të fituar truall ndaj kundërshtarëve të tyre, lokalisht dhe në shkallë kombëtare, sidomos tani që, për të parafrazuar me Sami Frashërin, cave po u duket se kordhën e të fortit në Shqipëri e ka ngjeshur në brez Katolicizmi. E kam fjalën për të njëjtën kordhë simbolike që dikur e kishin në dorë osmanët. Ka njerëz që nuk jetojnë dot pa një padron; dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që nuk jetojnë dot pa një Zot. Madje shpesh dy kategoritë janë ndërsjellazi të përjashtueshme.

Por pllaka, ah pllaka. Pati nga ata që u rrëmbushën për kalanë e Lezhës dhe arbrit e flijuar në bedenat e saj gjatë shekujve. Padije në salcë infantile. Që në fund të shekullit XIV, Lezha i kish kaluar Venedikut – madje edhe Skënderbeu prandaj e zgjodhi për të mbledhur krerët e zonës dhe për të formuar “Lidhjen”. Dhe Venediku nuk është se ua mori gjë arbërve me luftë: thjesht Dukagjinët ia dhanë. Më parë akoma, Lezha i ka përkitur kujtdo të huaji që e ka lakmuar. Edhe sikur maúrët e Sicilisë të kishin zbarkuar në brigjet tona, Lezhën do ta kishin marrë të parën. Le pastaj që, po të kishin zbuluar dhe restauruar gjëkundi ndonjë mbishkrim ku të shkruhej se muret e kalasë i restauroi ky apo ai dozh i Venedikut, me siguri asnjë historian lokal nuk do të kish vënë kujën. Përkundrazi, do ishin ndezur së brendshmi e do të kishin kërkuar ndonjë binjakëzim me Venezia-n, ose të paktën me Mestre-n (kur s’ke pulën…).

Se vërtet pushtuesit janë njëlloj, por disa pushtues janë më të preferuar se të tjerët; dhe jetojmë në kohëra kur është cool të kesh qenë i pushtuar nga Venediku – pa çka se të parët e tu biologjikë do t’i kishin shkuar venecianët në hell, po t’u dilnin këta gjëkundi përpara në pyll.

Sa për osmanët, ne shqipot qenkemi me ta në luftë akoma; përndryshe nuk shpjegohet dot gjallëria “intelektuale” madje agresiviteti i Frontit Anti-Osman Nacional-Çlirimtar, të paktën në mediat. Dhe kjo luftë me penë e pështymë nuk ka ditë që të mos nxjerrë në pah ndonjë trim të ri, që të merr gjak në petull. Megjithatë, le ta themi edhe se këta kreshnikë të vonuar të shpatës e të penës po përfitojnë rëndshëm nga kornizimi që i është bërë historisë kohët e fundit pikërisht nga ato institucione që duhej të kujdeseshin për historinë dhe ta ruanin nga kornizime të tilla. E kam fjalën për idenë – që tashmë ka zënë rrënjë dhe është kthyer në program – se historia mund të modulohet sipas dëshirës dhe interesit të elitave; dhe se e vërteta mund edhe të sajohet, me kusht që kjo të jetë “në favor të çështjes kombëtare” ose “të na e ngrejë imazhin para të huajve.” Këtë e kanë pasë quajtur një herë e një kohë falsifikim; por falsifikimi tashmë është bërë i modës, duke filluar me letërsinë dhe letrarët kombëtarë, që prej dekadash i bien kësaj culeje të shtrembër dhe e paraqitin të shkuarën shqiptare mu sikurse dëshirojnë që t’u jetë shqiptarëve të tyre e ardhmja.

Duam t’i bashkohemi Europës? Atëherë le të qëndisim një histori ku rezulton se “ne” paskemi lënë kockat për të shpëtuar Europën. Duam t’i largohemi së shkuarës osmane se nuk na pëlqen (më)? Atëherë le të sendërtojmë një histori ku osmanët dalin si burim i gjithë të këqijave që “na” kanë gjetur, duke filluar që me tërmetin e Durrësit, në shekullin XIII. Nga ana tjetër, prej vitesh po bëhen lëmsh – jam i bindur se qëllimisht, meqë vetëm inkompetenca nuk do të mjaftonte – (1) dëshmitë historike ose monumentet e mbijetuara, (2) rikrijimet e tyre në trajta instalacionesh gjysmë-artistike dhe (3) riformatimi i tyre, për të tërhequr turistët, ose për synime rikreative. Ky delir nisi që me ndërtimin e muzeut “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Krujë në vitet 1970; ose veprës së parë në Shqipëri të shkollës estetike dhe semiologjike të Las Vegasit. U tha se nuk kish ndonjë të keqe që dëshmitë historike të munguara të rikrijoheshin, sa kohë që kjo bëhej me “besnikëri”; por nuk e tha se ku do të gjendeshin këto modele, ose cili version i historisë a historian do t’i ofronte, dhe cili autoritet do t’i sanksiononte. Dhe kështu u veprua, për të arritur tani vonë te kombinimi mes artit dhe muzeut, që u pa në ekspozitën “Bunk’Art.”

Mirëpo nuk kam parë as dëgjuar të debatohet seriozisht, në tryezat publike, për raportin mes ruajtjes dhe restaurimit të së shkuarës dhe shndërrimin e saj në një park tematik dëfryes. Paradoksalisht, edhe elemente autentike, si pllaka e rivendosur në Kalanë e Lezhës, e humbin autenticitetin kur dalin nga konteksti – sikurse ndodhi tani. Kish të drejtë Artan Fuga, në një koment të vetin, kur tha se dëshmi të tilla duhen shoqëruar me mbishkrime dhe kontekstualizime të kujdesshme – sepse përndryshe nuk përftojnë histori, por antihistori.

Për shembull, me një pllakë tjetër, përbri, në gjuhën shqipe, ku të shpjegohet se ç’është ky mbishkrim me shkronja arabe dhe ç’vlerë ka për historinë e kështjellës dhe të shqiptarëve. Se nëse nuk bëhet kjo, ndonjë si unë që nuk i di harfet e arabishtes, mund të qëllojë që të kaloj aty dhe ta admiroj pllakën si ndonjë farë ornamenti gjeometrik ose mandala që sjell fat; dhe të mendoj kështu turbullisht për periudhën osmane (pushtim e sundim bashkë), por të mos kuptoj dot arsyen e restaurimit. Tek e fundit, ekspertët e osmanishtes mund ta gjejnë këtë shpjegim të tepërt, por pllaka dhe mbishkrime të tilla restaurohen dhe ekspozohen jo për konsum të ekspertëve, por të publikut.

Ashtu edhe publiku, përfshi këtu edhe protestuesit në mediat dhe luftëtarët anti-osmanë postumë të Lidhjes së Lezhës, kushedi do ta merrnin vesh se kalaja e Lezhës, të cilën dukagjinasit ua dorëzuan venecianëve, nuk ishte kjo në kodër por një tjetër, në Breg të Lumit; dhe se vetë Lezha zotërim venedikas, ndryshe nga Shkodra, nuk i bëri kurrfarë rezistence përpjekjes së sulltan Mehmetit për t’i dhënë fund një herë e mirë rezistencës arbërore, pas vdekjes së Gjergjit në vitet 1470. Pas gjase, në ato kohë të mbrapshtë për Arbrin, kalaja e sipërme ishte rrënuar dhe me sa duket nuk u përdor fare në konfliktin e venedikasve dhe arbërve me osmanët – prandaj edhe u desh restauruar në Sulejmani pak më vonë. Këtë fakt të fundit unë nuk e dija, por e mësova nga një ekspert i fushës, Gjerak Karaiskaj. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo kështjellë a kala e Lezhës ku është (ri)vendosur pllaka, nuk ka luajtur ndonjë rol kushedi çfarë në historinë e arbërve dhe të shqiptarëve.

Për ta përmbledhur: ka qarqe të caktuara në Shqipëri, ende pa ndonjë spesor intelektual por mjaft agresive në mediat, që kërkojnë ta rishkruajnë historinë, në mënyrë të tillë që t’ua pastrojnë shqiptarëve çdo gjurmë prej 5 shekujve sundim osman; duke e çliruar edhe historinë nga Perandoria Osmane, sikurse “çliruan” Shqipërinë të parët e tyre nga turqit, ose sikurse luftoi kundër turqve Skënderbeu vetë. Për mendimin tim, motori kryesor i këtij agresiviteti ka të bëjë me dëshirën e cave për revansh kulturor kundër një padrejtësie herë reale dhe herë të përfytyruar; dhe e merr energjinë nga fërkimet e sotme ndërfetare në Shqipëri, jo nga debatet mes historianëve të Mesjetës.

E gjithë kjo nuk do të ndodhte, ose nuk do të kish pasur rëndësinë që ka marrë papritur, sikur të mos kishin lejuar institucionet një lloj qasjeje krejt voluntariste ndaj historisë – si të ishte kjo e fundit një lloj kapitali kulturor abstrakt, që mund të materializohet rishtazi, sipas rastit dhe kontekstit, në narrativa kombëtarisht të favorshme. Në emër të luftës kundër qasjes totalitare ndaj historisë, këto institucione i kanë hyrë një eksperimenti – për mua të pamenduar mirë – të ri-inskenimit solemn të historisë, ku kufiri midis dëshmisë autentike dhe (ri)krijimit gjysmë-artistik nuk dallohet gjithnjë mirë. Dhe pikërisht ky është konteksti kur një rikrijim “tradicional”, si vendosja e një pllake të periudhës osmane, në një mur kalaje nga ku mendohej se ishte shkulur prej keqbërësve ordinerë, nuk gjen dot përligjje në doktrinën e re historiografike a vizionin e ri historik që u nënvendoset politikave muzeografike të elitave të sotme; sepse nuk i “shërben” ideologjisë kombëtariste – prandaj edhe ata që duan të protestojnë, sepse vetëm nëpërmjet protestës konsolidohen si grup dhe faktor, e gjejnë rrugën të shtruar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: