Nga: Ardian Vehbiu*
Midis datave 11 shtator dhe 10 tetor, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ekspozojë 78 vizatime të vetat në Galerinë Kampl në Mynih. Do të kisha dashur të shkruaja “artisti vizual Edi Rama” – por kjo nuk do të kish qenë e saktë. Pa vënë në dyshim e në diskutim mjeshtërinë e autorit dhe statusin inherent të artit që do të varet në muret e galerisë, kjo ekspozitë është e një kryeministri që vizaton – jo e një artisti që qëllon të jetë edhe kryeministër. I njoh prej kohësh këto punë të Ramës, i kam parë në zyrën e tij, madje kam në shtëpi edhe një të tillë që ma ka dhuruar ai vetë, me autograf. Sikurse kam në bibliotekë edhe librin “Edi Rama” (2009, Botimet Toena), ku janë përmbledhur një pjesë e madhe vizatimesh të tilla, të periudhës kur autori ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Për ata që nuk e dinë, Rama i ekzekuton këto vizatime mbi shkresa gjithfarësh, që ia sjell puna e përditshme në tryezën e tij prej zyrtari të lartë: fletë kalendari, programe të ditës, tasks, ftesa, programe konferencash, konspekte, prospekte, skica idesh, propozime, përkujtesa, shënime mbledhjesh, orare avionësh, memo, letra protokollare – lista mund të vazhdojë gjatë.
Që në krye, më pat ngacmuar “semiotikisht” kjo ide e tij, për të kombinuar në një medium të vetëm, shkresurinën ose objektin burokratik tipik dhe vizatimin e lirë, si shprehje elementare të krijimit.
Në fillim vizatimet shumëngjyrëshe të Ramës m’u paraqitën – si variacione rreth mërzisë së një piktori, të mbyllur në një qeli shkresash të përsëritshme; ose materializim i konfliktit midis artit dhe burokracisë.
Autori e ka vazhduar këtë lloj arti, ose praktike artistike, që prej herët në vitet 2000 deri më sot – në përleshje të pandërprerë me shkresën dhe inercinë dhe mungesën e lirisë që sjell me vete çdo lloj planëzimi; në fakt me vetë institucionin i të cilit është pjesë ose që drejton.
Rama shpesh ka lënë të kuptohet se e përfytyron veten më parë si artist, dhe vetëm më pas si politikan. “Marrëdhënia mes Kryetarit të Bashkisë dhe zgjedhësit është si ajo mes artistit dhe spektatorit,” pat shkruar në kopertinën e albumit-libër me këto imazhe, të viteve 2000-2009. “Është një raport tejet stresues, sepse është një përpjekje e përditshme, nën sytë e njerëzve, që në fund të fundit shënjestron zemrat e tyre.”
Askush nuk mund ta vërë sinqeritetin e ketij pohimi në diskutim – pa çka se materialet e ekspozitës së tanishme në Mynih, sikurse ato të librit të botuar vite më parë, në thelb portretizojnë shtetarin burokrat që rebelohet, në mënyrë jashtëzakonisht të artikuluar, kundër zhguallit të profesionit të vet.
NJË POLITIKAN-ARTIST QË
SHËNJON TERRITORIN E VET?
Të gjitha vizatimet e Ramës të paraqitura në ekspozitë mund të shfletohen këtu (duke klikuar mbi secilin kuadrat, imazhi do të afishohet më vete). Meqë botimi i art book-ut Edi Rama pati shpërndarje të kufizuar, kjo për shumë të interesuar do të jetë edhe hera e parë kur vizatimet e Ramës mund të kundrohen lirisht në masë, të riprodhuara me cilësi relativisht të lartë.
Profani u qaset objekteve të tilla vizuale me dëshirën për të identifikuar atje një formë çfarëdo – dhe ashtu do të gjejë atje gjithfarë sugjerimesh për prerje (seksionime) 2D nga atlasë të anatomisë, krijesa të dala nga katalogët zoologjikë dhe fantazoologjikë, shpesë dhe insekte të përbindshme, tentakula dhe apendikse të zdërhallura, deformime teratologjike, qeliza dhe mitokondri, mbetje paleontologjike; sikurse do të gjejë aluzione fotografish ajrore, hartash dhe planimetrish dhe fantazmagorish urbane; ose edhe arlekinë dhe maska primitive, etnike, ekzotike, të përfytyruara nga piktorët ekspresionistë europianë të fillimshekullit XX; dhe tek tuk jehona intertekstuale më dukshëm të identifikueshme nga Picasso, Max Ernst, Juan Mirò dhe Dali dhe kushedi kush tjetër i kanonit modernist.
Një sy më i stërvitur dhe më i rafinuar do të njohë atje lojën midis ngjyrës dhe trajtës, ose luftën primordiale – në pikturë – midis vijës dhe ngjyrës; një psikolog a psikometrist kushedi do të tundohet pastaj t’i lexojë vizatimet si një lloj testi Rorschach i anasjelltë: ku subjekti nuk i interpreton njollat, por i krijon vetë; duke ia lënë pastaj shikuesit të thotë se çfarë sheh.
Shkresat burokratike-institucionale, të përdorura si medium, vijnë me karakteristika vizuale specifike: janë rigorozisht bardhezi, me tekstin të organizuar në vija të drejta dhe kuadrate; u referohen ngjarjeve zakonisht rutinë të jetës së një institucioni – takimeve, mbledhjeve, telefonatave madje në një farë mënyre i krijojnë këto ngjarje; vijnë me data që jo doemos përkojnë me datat kur janë kryer vizatimet.Autori punon mbi këto shkresa me një koncept praktikisht dadaist; duke i shfytyruar dhe shkatërruar ato, teksa i jep trajtë veprës së vet së mbivendosur. … Çfarë vlere artistike mirëfilli kanë këto imazhe, të shkëputura nga mediumi shkresë? Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje – edhe ngaqë ajo mund të mos ketë shumë kuptim, sa kohë që imazhet e reja i ka përftuar vetë mediumi, si prani kontekstuale dhe si rezistencë e botës ndaj vullnetit të lirë të artistit. …Madje përmes këtyre shkresave tërthorazi edhe ato të ekspozuara, vizitori që i lexon dhe i kupton – edhe pse doemos jo ai në Gjermani – mund të krijojë një ide për rutinën gati pendesëtare të një Kryetari Bashkie, një Kryetari Partie, ose edhe një Kryeministri: programin e tij të ditës, mbledhjet, takimet, kafet, pritjet dhe bisedat; njerëzit që ka rrotull, njerëzit që i shkruajnë dhe ata që duan të flasin me të.
Në politikat e veta kulturore, Rama kryeministër ka ngulur këmbë te filozofia dhe praktika e hapjes – që nga shkyçja e bodrumeve të mykura të regjimit të vjetër, te hapja e dosjeve dhe e bunkerëve dhe e tuneleve, dhe ajo e ndërtesave qeveritare e më në fund tejdukshmëria e vetë punëve të institucioneve publike. Këto shkresa, mbi të cilat ai ka vizatuar dhe që tani ekspozohen lirisht, janë edhe ato një hapje, ose një dritare ndaj përditshmërisë institucionale.
Aq sa dikush përnjëmend do të tundohej t’i këqyrte dokumentet si Ëikileaks të pushtetit në Tiranë; sikur të mos bëhej fjalë për materiale që me siguri do t’i kenë kontrolluar dhe shoshitur për shkelje të sekretit dhe të privatësisë; dhe sikur të mos bëhej fjalë, edhe këtu, për hapje gjithnjë të kontrolluara dhe të kuratuara deri në imtësi.
Por nuk e përjashtoj dot që një ditë të qëllojë që një antropolog a një historian i institucioneve a një arkeolog a mí arkivash ta fillonte, pikërisht nga këto palimpseste, punën e vet për një histori të rutinës në institucionet e Shqipërisë së fillimshekullit XXI – në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë, duke filluar që nga koha e ekspozimit të tyre publik si mediume vizatimesh – ato nuk do të mund të alterohen më. Ironikisht, gjesti i prishjes së tyre, ose i “vandalizimit” të tyre me graffiti d’auteur, do të shërbejë edhe për ruajtjen e tyre.
Nga ana tjetër, kam frikë se posti i tanishëm i autorit të këtyre vizatimeve – ose fakti që Edi Rama është Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë – do ta deformojë pritjen e tyre derisa ta shndërrojë në një event të shoëbiz-it, në diçka zbavitëse dhe glamour-oze, ose një pretekst për të shpjeguar se sa cool është që kryeministri shqiptar (“i këtij vendi të vogël”) qëllon të jetë edhe artist vizual.
Dhe ky deformim i pashmangshëm të pikëllon. Jo se Rama artist duhet ndarë dhe mbajtur veçan nga Rama burrë shteti – edhe kjo do të ishte artificiale; aq më tepër në rastin e tanishëm, kur është pikërisht posti i lartë i Ramës që e mundëson statusin e këtyre veprave dhe hapjen e ekspozitës në Mynih: a mund të përfytyrojmë që t’i ndodhte kështu një burokrati çfarëdo nga Shqipëria, bie fjala një nëpunësi të Zyrës së Kadastrës, me talent për të vizatuar mbi shkresurina?
Jo, nuk e përfytyrojmë dot. Ekspozita në Mynih është e një pushtetari të lartë, të munduar nga ennui-ja; dhe vlerën e imazheve nuk e ndajmë dot nga statusi ekscepsional i autorit të tyre. Por sa do të jenë ata, mes publikut dhe kritikës, që këtë status ekscepsional do ta interpretojnë si kufizim, si mangësi, si handikap të autorit dhe vetë veprën si një përpjekje e tij, si një gjakim për të mos e lejuar këtë handikap t’ia mohojë lirinë për së jashtmi…
Morfologjia e vijës dhe e ngjyrës, në graffiti-t e Ramës, vjen nga një dorë sa e sigurt, aq edhe e mësuar me artin vizual – që di ta shtjellojë linjën me elegancë, sikurse di t’i ndërthurë ngjyrat dhe të krijojë efekte hipnotike me kromatizmin gati muzikor.Duke mbajtur parasysh edhe shpjegimin që ka dhënë disa herë Rama vetë, për rolin sa terapeutik aq edhe katalitik të së vizatuarit në komunikimin e tij institucional, nuk do të gabonim sikur t’i përqasnim këto praktika me atë çfarë surrealistët e quanin écriture automatique… Dhe nëse është kështu, atëherë lënda e veprës së Ramës, që do të ekspozohet në Mynih dhe që është botuar tashmë gjetiu e sigurisht vazhdon të përftohet, paraqitet si diskursi vizual i pavetëdijës së tij; në kuptimin që artisti vjen dhe manifestohet si pavetëdijë e politikanit. Që këtej, sikurse çdo produkt tjetër i pavetëdijës, edhe ajo lëndë nuk mund të jetë veçse rikombinim i kodit gjenetik të pikturës moderniste europiane, që autori e pat përvetësuar gjatë viteve të tij si student i arteve vizuale. Këtë pavetëdije alter-ego të politikanit, që rreket të nxjerrë kokën herë më haptazi e herë më pak haptazi përmes vizatimit, nuk na lejohet ta ngatërrojmë, megjithatë, me idenë që ka kultivuar Rama vetë i ndihur nga mediat e oborrit, për identitetin e vet si artist, si artist politikan dhe si piktor kanavacash të shumëfishta.
* Marrë me shkurtime nga blogu i autorit. Titulli në origjinnal “GRAFFITI MBI BUROKRACINË 1”

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: