NGA VALBONA MEZINI*
Qielli i këtij gushti u prish e shpërtheu në vaj si për të paralajmëruar lajme të tjera të hidhura, jo vetëm se sezoni turistik në një vend normal ka nevojë për lajme argëtuese, por për thelbin e fenomenit, i cili kushedi se kur do ta ketë ditën e fundit të jetës në këtë shoqëri të atrofizuar.

Ngjarje të atilla me vrasje e aksidente tragjike, ku përfshihen të rinj, pashmangshmërisht të helmojnë gjakun, por kjo tragjedi e ndodhur papritur helmoi një shoqëri të tërë.

Kthetrat e vdekjes në këtë vend nuk kursyen as të miturin e etur për punë, Arditin 17 vjeç me origjine nga Tropoja, që para kohe u bë burrë për t’u dhënë fund halleve të familjes.

Familja e tij për nga statusi i përket shtresës së mesme, por për nga të ardhurat, varfërisë mjerane, aq mjerane sa shumica e familjeve shqiptare ku kryefamiljarët mezi sigurojnë fundmuajin e ushqimit.
Kryefamiljarit dhe bashkëshortes së tij, edhe pse janë buxhetorë, me detyrë në Policinë e Shtetit, nuk u del llogaria në fundmuaj.

Arditi adoleshent mesa duket, ndryshe nga çdo moshatar i tij, që rritet plot ëndrra në çdo shtet tjetër që udhëhiqet nga përgjegjësia për zhdukjen e varfërisë dhe jo thellimin e saj, për mirërritjen e fëmijëve pa u përdorur në punëra të vështira, donte të siguronte lekët e librave apo rrobat e reja për vitin e ri akademik, duke shërbyer si seleksionues mbeturinash në një nga landfilldet më të mëdha të grumbullimit të mbetjeve, pa menduar kurrë se vdekjen do ta takonte duke punuar ndershmërisht.

Një tjetër 17-vjeçar Genti, prindërit e të cilit zgjodhën të emigrojnë në Amerikë për të ardhmen e fëmijëve, sot lajmëroi miqtë në rrjetet sociale se kishte realizuar ëndrrën për të studiuar në një nga Universitetet më të mira në botë, Harvard për punën ekselente në arritjen e rezultateve, që e kishin dalluar atë si studentin më të mirë mes miliona studentëve amerikanë për këtë vit.

Nuk do të doja kurrë të hiqja një paralele mes shoqërisë shqiptare dhe asaj amerikane, sepse është njësoj si të kërkosh të çelë nga ferra trëndafili. Por, dua të ndaj këtë shqetësim me gjithë Shqiptarët se po mbërrijmë në një pikë që po kultivojmë një shoqëri vrasëse për njerëzit e ndershëm që jetojnë me punë e sakrifica, duke u larguar edhe më shumë nga standardi i shoqërive të zhvilluara, që promovojnë konkurrencën, talentet dhe punëtorët e mëdhenj.

Arditi nuk ishte djali i një prindi të famshëm për nga lekët. Prindërit nuk i blinin “Lambrogini” për ditëlindje, nuk i blinin as syze dhe ora 25 mijë euroshe, nuk e çonin dot me pushime verore, as në kurset e tenisit apo gjuhëve të huaja siç bëjnë prindërit që i kanë këto mundësi, sepse ata janë rrogëtarë dhe nuk u del. Politika për të rritur rrogën edhe këtë vit dështoi, nuk u bë dot, ama hashashi sivjet u rrit u bë marshallah. Nuk di nëse ke motër, por edhe po të kishe, ajo do ta kishte të vështirë të ndryshonte e vetme këtë realitet vrasës në vendin tonë.

Ndërsa unë nuk di ç’do kisha bërë po të ishe vëllai im. Pavarësisht të gjithave, të premtoj se nëse një ditë do të mundja të ndryshoja diçka, ajo ditë do të ishte fundi korrupsionit dhe mjerimit. Frekuenca e këtyre ndodhive të kobshme, tashmë të ngjason me një ritëm fenetik, si vetë fatkeqësitë që e kanë mbuluar këtë shoqëri. Do të duhej të ishte me pushime së bashku me familjen, djaloshi 17-vjeçar me origjinë nga Tropoja, por vendi i tij nuk ofron këtë standard për pjesën më të madhe të moshatarëve të tij dhe familjarëve të tyre. Në kryeqytetin e miliona halleve, hallet e familjes së tij nuk ia kanë mundësuar një palë pushime, por mesa duket Arditi ende pa mbushur 18 vjeç, ka guxuar t’i zgjidhë ato duke i ardhur në ndihmë familjes. Ai punoi derisa gjeti vdekjen makabre si seleksionues mbeturinash në Sharrë për të ndihmuar familjen dhe siguruar lekët e shkollës.

Mediat raportuan se i ati është polic. Punonjës i shtetit!
Po i kujt shteti?
Atij që vjedh dhe poshtëron buxhetorët duke ua rritur rrogën 0.2% në harkun e 3 viteve?
I kujt shteti?
Atij që mbjell palma me tender të drejtpërdrejtë, a thua se njerëzit në këtë vend nuk kanë ku t’i çojnë paratë!?

Atij shteti që zbrazi Shqipërinë e dëboi shqiptarët në Europë për bukën e gojës? Ku lulëzon korrupsioni dhe falimentojnë bizneset nga taksat e larta? Shtetit që çdo javë i vidhet një bankë dhe ku droga mbillet nga ministrat e transportohet me helikopter ushtrie!?

Ndërsa populli, polici, mjeku, arsimtari, fermeri, zanatçiu, rrobaqepësi etj., ata nuk dinë. Ata janë syleshë. Asnjëherë nuk e kanë njohur fuqinë e revoltës apo fuqinë e votës. Sikur ta dinin se ç’fuqi kanë, do të kishin ndërtuar demokracinë! Keqardhje për një minoren që kërkoi t’i vinte në ndihmë vetes dhe familjes nga dëshira për punë, por fatkeqësisht dështoi.

Arditi nuk e kishte vendin në Sharrë, ai si çdo moshatar i tij në një vend normal duhej të ishte në shkollë verore, në kurset e gjuhëve të huaja, në aktivitete sportive, por jo në Sharrë për të nxjerrë paratë e vitit të ri shkollor. Nëse babai i tij do të kish rrogën e një polici në çdo vend tjetër europian apo gjetkë, atëherë Arditi do të ishte gjallë.

Mbase atje ku ka shkuar do të jetë më mirë se këtu, duke na lënë neve dhimbjen pas, se ky vend duhet rregulluar me doemos! Media e raportoi vdekjen e kobshme të të riut, që mund të kish qenë i biri i kryeministrit në kushte të tjera, apo çdo fëmijë i kujtdo politikani që ulet në karriget e përgjegjësive publike, mungesa e të cilave sakrifikoi djaloshin nga Tropoja, Arditin.
I dashur Ardit, ti gjete atë që nuk dëshiroje, por le të jetë humbja jote kambanë për daullet e veshëve të kësaj palo politike!
Të qoftë dheu i lehtë!
* Sekretare e organizatave partnere në PD

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb