Argjentina, kampionia e botës në fuqi, vijon me fitoret, duke marrë të 12-ën radhazi. Edhe pse pa Lionel Messin, bardhekaltrit ia dolën në një transfertë të vështirë për nga kushtet, duke mposhtur 3-0 Bolivinë. Gjashtë pikë të plota për Argjentinën në grupin e skuadrave të Amerikës së Jugut, duke kryesuar së bashku me Brazilin fushatën kualifikuese të Botërorit 2026.
Në mungesë të Messit, shiritin e kapitenit e mbajti Anhel di Maria, i cili shkëlqeu me dy asiste në golat e parë, të cilët u shënuan nga Enzo Fernandez dhe Nikolas Taljafigo. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë për argjentinasit. Ndërsa në pjesën e dytë në minutën e 83′ u shënua edhe goli i tretë nga Nikolas Gonzales, që vulosi fitoren e ekipit të Skalonit.
Ndërsa Brazili vuajti shumë në transfertë ndaj Perusë, pasi fitorja 0-1 erdhi vetëm në minutën e 90-të. Gjatë ekzekutimit të një goditje këndi nga Nejmar, Markinjos goditi me kokë saktë, duke mposhtur portierin vendas. Kaq mjaftoi për të marrë tri pikët e radhës, me brazilianët që arrijnë të marrin maksimumin edhe kur nuk shkëlqejnë. Gjashtë pikë të plota për Brazilin, që nuk duket problem kualifikimi për në Botërorin 2026.
(BalkanWeb)