Miliona sportdashës në botë numërojnë ditët dhe nga sot duhen edhe 22 që të nisë Botërori në Rusi. Ndërkohë pothuajse të gjithë kombëtaret që do marrin pjesë kanë nisur përgatitjet pasi shpallën listën me të grumbulluarit.

Te Argjentina e cila la jashtë Icardi-n do të duhet të bëhen sërish ndryshime. Jo në sulm, por në portë, aty ku gardiani Sergo Romero ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju që nuk e lejon të udhëtojë me pjesën tjetër të përfaqësueses në Rusi.

Federata Argjentinase e Futbollit nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se “Romero ka probleme në gju e për rrjedhojë do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Në ditët në vazhdim stafi teknik i Argjentinës do të bëjë publik emrin e portierit që do ta zëvendësojë.”

Romero, që te Manchester United ka rolin e portierit të dytë, pritej që të ishte titullari i portës së Argjentinës në Botëror, pasi e kishte fituar konkurrencën me Wilfredo Caballero. Më dëmtimin e tij do të jetë pikërisht portieri i Chelsea-t zgjedhje e parë për Jorge Sampaolin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb