TIRANE-Prej vitesh Arifi ka zgjedhur të sjellë për publikun e tij muzikën tradicionale shqiptare. Artisti nga Tropoja rrëfen per Bluetooth sesi e ka nisur rrugën e artit. Ai shprehet se nuk i është dashur një videoklip, apo një promovim, pasi i mjafton talenti dhe zëri që ka. ‘Kënga që kam bërë për Lulzim Bashën ka qenë para se ai të zgjidhej si kryetar bashkie, ndaj dhe i ka shërbyer si një ogur i mirë”, rrëfen Arifi për këngën që ka kënduar në 2012 për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën. Me admirim flet dhe për Sali Berishën, duke u shprehur se edhe pse ishin të djathtët ata që e hoqën nga puna, Berisha për të mbetet një njeri i admirueshëm. I ka thënë jo propozimit për të kënduar për kryeministrin aktual Edi Rama duke u shprehur se nuk i vijnë fjalët për të.
Si e keni nisur rrugëtimin tuaj drejt muzikës?
Që i vogël e kam pasur pasion. Unë kisha dajën që merrej me muzikë dhe ka qenë ai që më ka futur në rrugën e muzikës. Fillimisht me veglat, pastaj dhe me këngën. Isha vetëm 13 vjeç kur fillova të këndoja, madje në atë kohë shkoja dhe këndoja nëpër dasma.
Sa të vështirë e keni patur?
Nuk kam hasur vështirësi, më ka mjaftuar zëri im për ti hapur vetë duart e karrierës sime. Kam zgjedhur të jem muzikant që këndoj ‘live’ dhe ndaj nuk kam patur peripecira. Nuk mendoj se një këngëtar duhet të ketë vështirësi në artin e tij, nuk shikoj arsye.
A e keni menduar ndonjëherë të sillni një muzikë më komerciale, pse jo videoklipe në televizionet muzikore?
Videoklipi është një mënyrë e mirë për të promovuar një artist. Mua më duket si e pakuptimtë që një artist duhet të paguajë për të shpalosur atë që di të bëjë më mirë, muzikën e tij. Duhet të jetë e anasjellta, televizioni duhet të më paguajë mua që unë të shfaqem tek një televizion. Ndaj dhe kam preferuar që të këndoj.
Përse keni zgjedhur muzikën popullore?
Është muzika e duhur që fle më së miri tek unë. Më ka ardhur spontanisht faktikisht muzika popullore. E këndoj me shumë kënaqësi si në dasma ashtu edhe në vendet ku më ftojnë për të kënduar si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.
Sa jeni pasuruar nga puna juaj si artist?
Bëj një jetë të mirë. Kam aq para sa për të jetuar mirë si dhe për të plotësuar gjithçka.
Për çfarë shpenzoni më tepër?
Familja është prioritare për mua, ndaj dhe të gjitha shpenzimet e mia shkojnë për të. Natyrisht që më pëlqen të shpenzoj për veshjet e mia, makinat i kam shumë qejf gjithashtu.
Në vitin 2012, ju keni bërë një këngë për Lulzim Bashën, si ju erdhi kjo ide?
Kam bërë këngë si për Bashën, ashtu edhe për Sali Berishën. Kënga për Lulzim Bashën erdhi shumë spontanisht. Gjatë një mbrëmjeje që po këndoja më erdhi vetë si teksti ashtu edhe muzika. Dua të theksoj se këngën e kam bërë para se ai të zgjidhej si kryetar bashkie, ndaj dhe i ka shërbyer si një ogur i mirë.
Sali Berisha është dhe patrioti juaj, pra të dy jeni nga Tropoja, e keni njohur nga afër?
E kam takuar dy herë ish-kryeministrin Berisha. Kam qenë i ftuar në Pallatin e Kulturës për të kënduar dhe më pas kemi patur një takim me Berishën. Ai është një person i admirueshëm.
A vazhdojnë njerëzit në Tropojë ta duan Sali Berishën po njëlloj, sidomos tani që ai nuk është më kryetar i Partisë Demokratike?
Njerëzit e adhurojnë Berishën. Madje e duan më shumë ata që s’janë tropojanë sesa patriotët e vet. E do e gjithë Shqipëria. Nuk ka lidhje është apo nuk është kryetari i partisë, për të gjithë ai do të mbetet një njeri i madh.
A ju kanë kërkuar të bëni këngë për Edi Ramën?
Po, ka patur raste që më kanë thënë këndo një këngë për kryeministrin Rama, nuk kam pranuar. Nuk më kanë dal fjalët për Edi Ramën.
A jeni prekur ju si artist, tanimë që Partia Demokratike është në opozitë dhe ju jeni një idhtar i saj?
Jo nuk më ka prekur aspak. Të them të drejtën unë isha në punë para 2 vjetësh dhe ishin po të Partisë Demokratike që më hoqën nga puna. Tashmë unë nuk pres që këta që janë të më rregullojnë.
Edhe pse ju hoqën nga puna ju prapë votuat për Partinë Demokratike?
Jo, unë kam votuar vetëm për Sali Berishën, doktorin, për asnjë parti.
Si i shikoni artistët e rinj të skenës muzikore?
Nuk merrem fare të them të drejtën. Këngëtari duhet të këndojë, jo të jetë i bukur. Ndaj dhe kam zgjedhur t’i seleksionoj këta artistë, nuk shikoj të përbashkëta me ta.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb