Nuk ka trajner të ri në Laç. Armando Cungu do të vazhdojë ta drejtojë këtë skuadër në Superiore, të paktën për momentin, sepse shumë gjëra varen nga ajo çfarë do të bëjnë kurbinasit në vazhdim të kampionatit, duke nisur nga ndeshja me Teutën këtë fundjavë.
Trajneri shkodran la të kuptohej se do të largohej nga stoli i Laçit pas humbjes 2-1 me Skënderbeun në Korçë, ku deklaroi se do të komunikonte me drejtuesit e klubit dhe do të shikonte pozicionin e tij. Po ashtu, pohoi se nuk është “trajner mbijetese”. Por pak ditë pas asaj humbjeje, ku Cungu fajësoi jo pak edhe gjykimin, situata ka ndryshuar. Ai ka pranuar të qëndrojë dhe ta drejtojë sërish skuadrën që mban vendin e fundit në tabelën e klasifikimit, me vetëm 3 pikë në këto 6 javë.
Vendimtare mund të jetë ndeshja e radhës me Teutën, ku një fitore e mundshme do ta ndryshonte ndjeshëm atmosferën në radhët e kurbinasve, duke qenë se një trepikësh të ngre në renditje, por edhe moralisht. Për hir të së vërtetës, duhet theksuara se Laçi ka bërë paraqitje vërtet të mira në disa ndeshje dhe veçanërisht në Korçë, por rezultatet nuk i janë përgjigjur në fund. Edhe vetë trajneri Armando Cungu duket se beson se kjo skuadër nuk është për fundin e tabelës, ndaj dhe ka vendosur që të vazhdojë.
STATISTIKAT ME TEUTËN – Në sfidat me Teutën, kurbinasve u “buzëqeshin” statistikat. Këto dy skuadra janë ndeshur mes tyre 26 herë në Superiore që prej vitit 2010. Teuta ka fituar vetëm 4 ndeshje, kurse Laçi ka triumfuar 16 herë, ndërsa 6 përballje janë mbyllur barazim. Një bilanc që anon dukshëm në krahun e Laçit. Po ashtu, ky ekip ka shënuar 45 gola në këto ndeshje, një shifër premtuese kjo kundrejt 21 golave të durrsakëve. Fillimi i këtij sezoni ka qenë mjaft i vështirë për Laçin, por situata mund të ndryshojë. Teuta i sjell fat Laçit në fushën e vet