Kryeministri Edi Rama tha sot se brenda mandatit të katërt do të kemi një bazë të prodhimit të armëve në Shqipëri.

Duke iu përgjigjur qytetarëve në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë tha se do të ketë bazë prodhuese për automjete ushtarake, për armatime dhe për dronë.

“Ne po punojmë dhe po ndërtojmë partneritetet për të hedhur bazat e një industrie të re ushtarake, sepse kjo është koha sot, brenda mandatit të katërt do të kemi bazë të prodhimit në Shqipëri, të kemi bazë prodhuese në Shqipëri për automjete ushtarake, për armatime dhe për dronë”, tha Rama.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një intervistë televizive në datën 19 mars, tha se janë 21 kompani të huaja që kanë shprehur interes për të bashkëpunuar në industrinë e armatimit dhe me pesë prej tyre po negociohet.

“Janë krijuar dy ente. Një prej tyre është KAYO, që është kompania shtetërore e prodhimit të municioneve dhe gjithë veprimtarisë ushtarake, mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve, e cila ka rigrupuar të gjithë industrinë e vjetër ushtarake, uzinat e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit dhe disa asete të tjera shtetërore”.

Sipas Vengut, “deri tani kanë ardhur 21 shprehje interesi nga kompani të huaja për të investuar në prodhim municionesh, uniformash e mjetesh të blinduara, dronësh luftarakë”.

“Jemi duke negociuar me pesë prej tyre dhe besoj se shumë shpejt do të kemi lajme të mira në këtë drejtim, sidomos për rigjenerimin e veprimtarisë prodhuese sidomos për artilerinë, municionet, dronët luftarakë dhe uniformat “Made in Albania”, në këto uzina”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb