Deputeti demokrat, Luan Baçi ishte një nga ligjvënësit e opozitës që krijoi më shumë zhurmë në lidhje me atë që ndodhi ditën e sotme para Parlamentit.

Në një moment, në përplasje e sipër me forcat e sigurisë, Baçi pretendoi se një nga efektivët e FNSH-së i ka vendosur në gjoks armën duke e kërcënuar, pretendim ky që u hodh poshtë nga policia, duke njoftuar se efektivët nuk ishin aspak të armatosur dhe se vendi ku efektivi zgjat dorën në atë moment, ishte për të mbajtur sprajin lotues.

Në një lidhje skype në News24, Baçi sqaroi se e ka parë shumë qartë që ishte armë zjarri.

“Nxjerrje arme ndaj opozitës. Ajo që pashë unë ishte armë tamam armë luftarake. Ishte dhe momenti kur dola nga vetja duke i marrë kapelën policit. Nuk ngatërroj unë armën me sprejin”, tha Baçi.

Ndërkohë, i ftuar në studio, deputeti Dashnor Sula pretendon se efektivi në foton e shpërndarë nga policia nuk është efektivi në fjalë, por një tjetër.

“Në një situatë të tillë të tensionuar ai foli qartë me mimikat e fytyrës, hapi xhaketën si kaubojs,vuri dorën tek arma e nxori pak dhe më pas kur pa se u acaruam e futi sërish. Janë falsifikime nga ana e policisë. Nuk lejohet të armatosur në Kuvend”, u shpreh më tej Baçi.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb