Që nga 21 shkurti, opozita e vetëlarguar nga Parlamenti na kishte mësuar të protestonte çdo ditë që Kuvendi mblidhej në seancë plenare. Nganjëherë edhe me sprova (për fat të mirë të izoluara) për të frikësuar anëtarët e Kuvendit që mblidheshin, apo për të hyrë me forcë në sallë. Të enjten nuk e bëri diçka të tillë. Pas protestës së mbrëmjes së 13 prillit, drejtuesi i partisë kryesore opozitare në rrugë nuk caktoi ndonjë datë të muajit tjetër për protestën e përgjithshme të radhës (sikurse kishte bërë më 16 shkurt dhe më 21 mars). Në mbledhjen e kryesisë së partisë së vet po dje, ai kumtoi tri kushte që partia të hyjë në zgjedhje. Ngjanin disi më të zbutura nga gjuha revolucionare e përdorur këto dy muajt e fundit me përmbysje dhe tërheqje zvarrë. Dhe qytetarët që i shohin dhe i ndjekin me kujdes këto veprime dhe fjalë të drejtuesit opozitar ndihen disi më të çliruar nga ankthi i gjatë i rrugës pa krye ku ishte futur opozita.

Sigurisht që edhe ajo e donte një zgjidhje tavoline. Mirëpo veprimi i saj i pashoq i braktisjes së mandateve të përfaqësimit nuk solli largimin vullnetar të Qoftëlargut (për opozitën, kryeministri i sotëm). Dhe kryesorja, nuk nxori në rrugë qytetarë të pakënaqur dhe madje, edhe të revoltuar me qeverinë e sotme, të cilët janë vërtetë me dhjetëra mijëra, madje edhe qindra mijëra. Të cilët realisht mund të bënin që ndërkombëtarët të ndërronin mendje dhe të konsideronin si të rëndësishëm veprimin opozitar, pse diktohej nga pakënaqësia e gjerë popullore.

Një popull tri-katër herë më shumë në rrugë (madje jo vetëm në Tiranë) do të kishte përçuar një mesazh të qartë të dëshirës për përmbysje të kazanit qeverisës. Mirëpo populli i pakënaqur (jo thjesht vetëm ai opozitar-militantët besnikë) nuk doli masivisht në rrugë, nuk e ndoqi opozitën e vetme dhe reale të vendit në marshimet rreth parlamentit dhe në aksionin e saj. Këtë opozita e ndjeu, edhe pse me deklarata dhe veprime fliste dhe mëtonte për të kundërtën. Prandaj kemi një sprapsje të lehtë të saj nga tensioni i skajshëm i protestave dhe nga fuçia e barutit e përshkallëzimit të dhunës.

Prandaj, edhe drejtuesi i opozitës kryesore përmendi ndërhyrjen dhe veprimin e ndërkombëtarëve (të konkretizuar nga raporti i Reinhard Priebe) në zgjidhjen e tensioneve politike të skajshme të Maqedonisë së Veriut në vitin 2015. Ndoshta prandaj dhe nuk kemi një datë për protestën e përgjithshme për në maj. Sikur opozita po pret një reagim nga ndërkombëtarët, që aq shumë e dënuan dhe anatemuan harakirin e saj politik, duke e braktisur në fatin e saj. Dhe pret e qetë, pa shigjetuar protesta të ardhshme, tension dhe rrezik për dhunë. Ndërkohë, pozita nëpërmjet kryeministrit po dje solli kumtin e gatishmërisë së vet për dialog.

Kryeministri përsëriste “…jemi gati të pranojmë, të komunikojmë edhe të diskutojmë… Jemi gati të gjejmë mënyrën që të gjejmë një pit stop (ndalesë) në Parlament” në 45 minutat e fjalës së vet në Kuvend. A thua do arrijmë të kemi një armëpushim të pashpallur? A thua palët ndërluftuese (partia në pushtet nën komoditetin e mbështetjes dhe mirëkuptimit të plotë të ndërkombëtarëve) dhe opozita reale e vendit (e zhgënjyer thellë nga mosndjekja prej popullit të pakënaqur në aksionin e saj të pashoq) do ta gjejnë një shteg dialogu? Këtë presim të gjithë, me zemër të dredhur. Opozita e karikuar nga harakiri i saj mprehu shpatat dhe shigjetat e dëbimit të Qoftëlargut nga pushteti. Por, nuk ia doli që këtë ndjesi apo tërbim dëbimi ta përçojë te qytetarët e pakënaqur të Shqipërisë. Në fakt, sa më shumë dhunë të dëshpëruar prodhonte, aq më të fortë e bënte Qoftëlargun. Prandaj dhe ngeli vetëm me militantët.

Shpresa e saj e vetme është dialogu dhe bisedimet për kushtet e hyrjes së saj në zgjedhjet vendore të qershorit. Do të jetë një shteg shumë i vështirë për t’u hapur, për shkak të djegies së terrenit politik që ajo e parabëri më 18 shkurt me braktisjen e përfaqësimit politik të 475 mijë qytetarëve të këtij vendi, që e kishin votuar dy vjet më parë. Por, është rruga e vetme për të pakësuar faturën qindra milionë euroshe, që ky vend po paguan nga beteja pa bukë dhe antagonizmi i pamoralshëm i partive tona politike. Urojmë të jetë një armëpushim real dhe që të zgjasë. Kemi nevojë të gjithë për pak qetësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb