Paradokset si mallkim ciklik rrotullohen mbi hapësirën shqiptare. Më i fundit është edhe më i trishti. Ai lë një boshllëk, krejt si fikja e një ëndrre të dashur e madhore. Shqipëria, përsëri e përsëri jashtë Europës. Delja e zezë e saj, e përfolura, e refuzuara me përçmim! Ndonëse shqiptarët bashkëjetojnë lehtë me gënjeshtrën ngarkuar mbi shpinë me qindra halle, mbase kësaj herë do ta kuptojnë që prej katër vitesh Kryeministri vetëm i gënjen për integrimin.


Një herë u thotë do të hapen vitin tjetër, tjetër herë ja u hapën, po ju s’e kuptoni dhe së fundi dielli lind përsëri më 19 tetor. Qëkur është krijuar rruzullimi, dielli ka lindur e perënduar, por dielli i Europës duket se fort po shndrit e pak po nxeh mbi këtë tokë. Nuk është Europa në krizë siç thotë Edi Rama dhe karvani i tij i pafytyrësive. Nuk është Europa në krizë siç thonë media dhe shërbëtoret e qeverisë në to, por është Shqipëria në krizë të thellë, pasojë e një qeverisjeje katastrofike! Asgjë europiane nuk ka në këtë shtet biçimësh e zuzarësh politikë. Të tillë ka drejtësinë, antikorrupsionin, politikën, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, rendin publik, kulturën nëse duam???


Çfarë do t’i duhej Shqipëria kështu Europës? Nuk është europiane të bësh zgjedhje moniste dhe t’i vjedhësh ato, nuk është europiane të transferosh pasurinë kombëtare në duar klientësh, nuk është europiane që banaliteti të sundojë mbi elitat, nuk është aspak e tillë që surratqerepët, shakllabanët, fytyrëshollët, matrahulët, kriminelët, të zënë Parlamentin dhe bashkitë, si qenka e tillë të mos lësh fare sistem drejtësie, vetëm Polici nën urdhra të Kryeministrit?! Si mundet Europa të njohë për të vetin një vendbazë të narkotrafikut?


Një vend ku të gjithë duan të ikin, fakt i evidentuar qartë nga Presidenti Macron, ndaj të cilit, në Tiranë, ka filluar një fushatë sa qesharake, aq edhe e shpifur kundër, si ajo ndaj deputetit gjerman Kriçbaun. Një koleg publicist me sarkazëm të hidhur e ka thënë mirë që me nëntë kushtet gjermane, edhe qeverisë së Adil Çarçanit mund t’i hapeshin negociatat. Ato kushte janë thelbi i mungesës së shtetit dhe i mungesës së politikes luajale! Si mund të ketë besim Europa kur sheh që ministër i Jashtëm është një çiripup dhe kur sheh atë grumbull banaliteti, që thirret qeveri e Shqipnisë!

Për fajin tonë, më saktë të Edi Ramës, u penalizua edhe Maqedonia. Europa nuk desh t’i lëndonte shqiptarët deri në kufijtë e turpit dhe sakrifikoi edhe komshinjtë tanë. Duhet ta kujtojmë që ky shtet para 20 vitesh ishte në luftë, i përbërë nga disa etni dhe krahasimi më të nuk na nderon shumë. Mediat po thonë se Zaevi dha dorëheqje. Mbetet për t’u parë sa i vërtetë do jetë lajmi, megjithëse ai një gjë të tillë e pat paralajmëruar si shenjë përgjumësie ndaj vendit të tij. Rama po përgatit gënjeshtrën dhe propagandën e radhës. Ndërkohë që në mendje ka ndonjë lajm për të tërhequr vëmendjen!

Moshapja e negociatave është gjëja më e rëndë që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 30 vjet pluralizëm! Thirrjet intelektuale që i bëhen Ramës, në emër të vendit që ai sundon, për t’u larguar nuk funksionojnë! As gajretet folklorike që me të tallur thonë se Grupi Parlamentar i PS-së do të mblidhet për të shkarkuar Makronin. E nëse nuk e shkarkojnë me të parën si Metën, do t’i drejtohen Komisionit të Venecias. Nëse shqiptarët e duan vërtet Europën, kanë mundësi të testojnë veten nëpërmjet reagimit. Moshapja e negociatave ka veç një emër, keqqeverisja 7-vjeçare! Shqipëria nuk qeveriset, ajo sundohet! Po kaq nëse e do Europën, edhe opozita ka mundësinë e saj. Ajo duhet të zgjohet nga pushimet “postrevolucionare” dhe të mos kërkojë largimin e Ramës, por ta largojë atë si përgjegjësin historik për këtë dështim me kosto për kombin!! Në mos e beftë kjo opozitë, e meriton Edi Ramën si tenxherja kapakun!! Po kaq e meriton shoqëria nëse nuk reagon për ketë izolim të ri të vendit./ Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb