Duke shprehur zhgënjimin e tij me politikën por edhe “zemërimin” e tij të madh ndaj Donald Trump, ish-guvernatori republikan i Kalifornisë dhe aktori Arnold Schwarzenegger, njoftoi sot se do të votojë për demokraten Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në mënyrë që të “mos heshtë “ siç deklaroi ai.

Në një postim të gjatë në X, platforma e rrjeteve sociale të Elon Musk – i cili është një mbështetës i vendosur i Donald Trump – Arnold pohon se do të dëshironte të mbetej “i shkëputur” nga politika, të cilën ai “e urren më shumë se kurrë”.

“Por, nuk mundem. Sepse të hedhësh poshtë rezultatet e një zgjedhjeje është gjëja më joamerikane” dhe “të thuash se Amerika është një kosh plehrash për botën është kaq jopatriotike sa më çmend”, shpjegon ish-Governatori republikan i Kalifornisë (2003 – 2011), i njohur për angazhimet e tij mjedisore në krye të shtetit.

“Unë do të jem gjithmonë një amerikan së pari dhe një republikan së dyti. Për këtë arsye këtë javë po votoj për Kamala Harris dhe Tim Walsh”, shkruan ai, që pasoi Donald Trump në mesin e viteve 2010 në emisionin “The celebrity apprentice”.

Ylli i “Terminator” tashmë kishte refuzuar të votonte për Trump në 2016 dhe e quajti atë “presidentin më të keq ndonjëherë” në 2021.

Për të, kthimi i manjatit në Shtëpinë e Bardhë do të nënkuptonte “katër vite të tjera marrëzi të pafrytshme që do të na bëjnë gjithnjë e më të zemëruar, të ndarë dhe të urryer”.

Më pas ai rendit një listë të gjatë ankesash kundër tij, duke e akuzuar atë se “nuk e respekton votën tënde, përveç kur është në favor të tij”, se “i dërgoi mbështetësit e tij për të sulmuar Kapitolin ndërsa ai shikonte, se ai nuk punoi në asnjë reformë tjetër përveç uljes së taksave për donatorët e tij ose për njerëzit e tjerë të pasur”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: