Mediat italiane kanë publikuar videon e arratisjes së një 36-vjeçari shqiptar të dënuar për vrasje nga burgu i Palermos “Pagliarelli” në Sicili. Ai është Valentin Frrokaj, i dënuar me burg përjetë, i cili një vit më parë u arratis nga burgu i sigurisë së lartë në Sicili.

Siç e tregon edhe videoja e mëposhtme, shqiptari u arratis në mes të ditës. Frrokaj shfrytëzoi momentin kur të dënuarit kalojnë kohën e lirë në oborrin e burgut. Ai u shkëput nga të tjerët dhe arriti të kapërcente murin e lartë mbi tre metra. (minuta 01:25). Sipas hetimeve, Frrokaj kishte kohë që punonte në palestrën e burgut, ndoshta pasi i duhej një fizik i mirë për të kapërcyer murin.

Kamerat e sigurisë, e kanë filmuar të gjithë momentin e arratisjes. Kjo është hera e dytë që Frrokaj arratiset nga burgu. Herën e parë ai u arratis nga një burg i sigurisë së lartë në Parma. Pas kapjes, autoritetet vendosën ta transferonin në Sicili, për më shumë siguri.

Në vitin 2007, Valentin Frrokaj vrau shqiptarin 24-­vjeçar, Elton Laho në Breshia. Frrokaj e sulmoi atë me thikë, ndërsa 24-vjeçari humbi jetën në spital 10 ditë më vonë. Vrasja e Lahos ndodhi për motive të dobëta. Ata kishin patur një konflikt verbal më parë në një bar dhe kishin lënë takim për t’u sqaruar. Por “sqarimet” nuk shkuan siç duhet dhe Frrokaj e goditi me thikë Lahon.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb