ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Administratorin e një subjekti tregtar, pasi akuzohet për “Krijim të skemave mashtruese dhe piramidale”. Sipas burimeve zyrtare, Xhevat Rira, nëpërmjet mashtrimit u ka marrë disa personave shumë të ndryshme, të cilat arrijnë në vlerën e mbi 30 milionë lekëve të reja.

Rira ishte vënë nën hetim në gjendje të lirë më parë, ndërsa menjëherë pas vendimit të gjykatës së Elbasanit, atij i janë vënë edhe prangat nga ana e Policisë së Shtetit.

Sipas skemës që ka arritur të zbardhë Njësia Task-Force e Prokurorisë së Elbasanit, Rira u merrte hua personave të ndryshëm, me premtimin se brenda një afati kohor të përcaktuar do t’ua kthente me interesa, të cilat ishin më të larta se sa ato me të cilat operojnë bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.

Hetimet nisën në bazë të kallëzimeve të 9 shtetasve, nga të cilat rezultoi se i dyshuari Rira, pasi u merrte paratë me fajde, nuk ua kthente këto para, duke i mashtruar për një kohë të gjatë dhe deri sa, kohët e fundit, u shmangej dhe nuk i takonte personat që i kishin dhënë hua.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb