*Mark Frroku del nga Gjykata me ‘arrest shtëpie’: Drejtësa vendosi
*’Arrest shtëpie’ edhe për Tom Doshin, deputeti del i qeshur nga gjykata
*Mark Frroku i drejtohet familjarëve: Mos u trembni nga prangat e ‘llallës dhe të kosit’
*Mark Frroku në Gjykatë me pranga në duar, Tom Doshi me duar në xhepa
*Tom Doshi në gjykatë, njërën dorë në xhep, tjetrën të prangosur

TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi sot masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për deputetët Mark Frroku, ndërsa 1 orë më pas vendosi të njejtën masë edhe për deputetin Tom Doshi. Deputetët që akuzohen për “Kallëzim të rremë”, “Kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara Prokurorit” fituan lirinë dhe do detyrohen të qendrojnë në banesën e tyre, të survejuar nga policët. Qendrimi i tyre në qelitë e paraburgimit zgjati vetëm 48 orë.

Tom Doshi ka dalë i qeshur nga gjykata, ndërsa i madh ishte edhe entuziazmi i familjarëve që e prisnin, ndërsa Mark Frroku disi më i qetë ka kometuar shkurt, “Drejtësia vendosi”.

Si avokatët e Doshit, ashtu edhe ata të Frrokut kundërshtuan vendimin e marrë sot. “Cështjen do ta cojmë në Kushtetuese e Strazburg”, thanë avokatët e Doshit.

Një fakt interesant ishte ai i bërë me dije nga avokati i Doshit, sipas të cilit, ka prova në favor të klientit të tij, që vërtetojnë komplotin për vrasjen e Tom Doshit.

DOSHI E FRROKU DALIN NGA DREJTORIA E POLICISE, SHKOJNE NE SHTEPI
Ora 18:45- Ka qënë një makinë e Policisë “Chevrolet” me targë 2148, me efektivë të skuadrës “Shqiponja” ata që transportuan Doshin për në banesën e tij në zonën e Profarmës. Ndërkohë që 4 minuta më vonë, rreth orës 18:49 edhe deputeti Frroku ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë. Ai shoqërohej nga një mjet ‘Chevrolet’ me targë 2159 drejt banesës së tij në zonën e Unazës së Re. Do të jenë efektivët e komisariatit nr.4 ata që pritet të ruajnë deputetët.

ARREST ME BURG PER DOSHIN
Ora 17:00- Në orën 13:30 nisi seanca për deputetin Doshi, për të cilin Gjykata e Lartë dha masën arrest shtëpie Rreth orës 17:00 vetë Deputeti Doshi ka dalë i qeshur nga dyert e Gjykatës për t’ju drejtuar Drejtorisë së Policisë ku do mbahet një procesverbal, e pasi të marrë sendet personale ashtu si edhe Frroku, ai do shoqërohet nga eskorta e patrullës ‘Shqiponja” drejt banesës së tij, në zonën e Profarmës. Ambientet e Drejtorisë së policisë deputeti Doshi i ka lënë rreth orës 18:45 minuta.

“Prokuroria nuk pati asnjë provë. Do shkojmë në Kushtetuese dhe në Strasburg”. Kështu deklaroi avokati Vladimir Meçi menjëherë pasi Gjykata dha verdiktin final për ta lënë Tom Doshin në arrest shtëpie.
Sipas tij, “Masa ishte jo e drejtë, e pambështetur në ligj, nuk janë vlerësuar mirë kriteret ligjore’.

Një fakt interesant ishte ai i bërë me dije nga avokati i Doshit, Ferid Mucaj sipas të cilit, ka prova në favor të klientit të tij, që vërtetojnë komplotin për vrasjen e tij.

“Pasi u njohëm me provat, kishim prova në favor të klientit tonë, që tregojnë se ai ka të drejtë për ato që ka thënë dhe ka pasur një komplot për ta vrarë”.

JA SI U MBROJTEN AVOKATET E DOSHIT
[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/03/mbrojtja-e-Doshit.docx” viewer=”microsoft”]

ARREST ME BURG PER FRROKUN
Ora 15:40- Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Frrokut ka nisur në orën 13:00 dhe në orën 15:40 Kolegji Penal dha verdiktin për ta lënë të lirë.
Seanca për dhënien e masës ndaj tij ka zgjatur rreth 3 orë, ndërsa në përfundim avokatët mbrojtës u shprehën të pakënaqur nga kjo masë duke pretenduar se Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë pranë Kolegjit Peanl.
Avokati Genc Gjokutaj u shpreh se, “nuk jemi dakord me masën arrest shtëpie. Prokuroria veproi në mënyrë të jashtëligjshme, ka ushtruar presion mbi gjykatat”, tha ai.
Ndërsa avokati Visha deklaroi se “provat e prokurorisë ishin në favor të klientit tonë. U provua se ngjarja ishte e sajuar, por ne jemi të pakënaqur. Ngjarja është e sajuar, klienti ynë nuk ka lidhje me këtë cështje. Masa nuk ka lidhje me rastin belg”.
“Drejtësia vendosi”, ishin këto fjalët e pakta që tha Mark Frroku me të dalë nga Gjykata e Lartë. Ai do të dërgohet në Drejtorine e Policisë së Tiranës ku do të mbahet një procesverbal e pasi të marrë sendet personale do dërgohet në banesën e tij, ku do ruhet nga policia.
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se Kolegji Penal e ka cilësuar të ligjshme mënyrën e ndalimit të Frrokut, prandaj ka dhënë edhe masën shtrënguese “arrest shtëpie”.

TE HENEN MASA PER DURIM BAMIN
Ndërkaq është vendosur që seanca për caktimin e masës së sigurisë për Durim Bamin të mbahet të hënën.

JA KUSH E GJYKON DOSHIN E FRROKUN
Ora 14:00- Po sot është caktuar trupi gjykues për procesin ndaj deputetëve të arrestuar Tom Doshi dhe Mark Frroku, të cilët akuzohen për “Kallëzim të rremë”, “Kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara Prokurorit”. Trupi gjykues përbëhet nga 5 gjyqtarët Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Admir Xanxa dhe Majlinda Andrea.

Mësohet se 5 gjyqtarët do të gjykojnë dhe të akuzuarin tjetër Durim Bami. Ndërkaq relator për deputetët Doshi dhe Frroku do të jetë gjyqtari Guxim Zenelaj, ndërsa relator për Durim Bamin do të jetë Aleksandër Muskaj. Gjyqtarët të cilët do të bëjnë vlerësimin e masës së sigurisë janë përcaktuar nga shorti me gogla.

Kjo trupë do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit të tyre nga policia, dy ditë me parë dhe se me çfarë mase sigurie (burg, arrest shtëpie apo gjendje të lire) do të caktohet për deputetët ndërkohë që ndaj tyre do të vijoje procesi hetimor me akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Ora 13:30- Mark Frroku pas hyrjes në sallën e gjyqit i drejtohet familjarëve: Mos u trembni nga prangat e ‘llallës dhe të kosit’. Me këtë batutë deputeti kristiandemokrat Mark Frroku u është drejtuar të afërmve në sallën e gjyqit, ndërkohë që ka hyre brenda me pranga në duar, në pritje të caktimit të masës së sigurisë në ngarkim të tij.

“Unë jam këtu, jam shumë mirë”, ka thënë ai, ndërsa është interesuar për shëndetin e të afërmve, ka pyetur për babain e tij. Seanca u vendos të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias për ruajtje të sekretit të hetimit.

Ora 13:15: Deputeti i arrestuar Tom Doshi lë ambientet e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për të shkuar në Gjykatën e Lartë, ku do të vendoset nëse procesi gjyqësor ndaj tij për dëshmi të rreme do të zhvillohet nën masën e sigurisë arrest me burg apo do të lihet i lirë. Ndryshe nga Mark Frroku, deputeti Tom Doshi ka mbërritur në Gjykatë me njërën dorë në xhep dhe tjetrën të prangosur, ndërsa në dukje ishte i qetë. Mësohet se Doshi ka pasur vetëm njërën dorë me pranga të lidhur me dorën e efektivit të policisë që e shoqëronte.

Ora 12:55- Deputeti Mark Frroku i rrethuar nga dhjetëra policë del nga Policia e Tiranës për tu drejtuar në Gjykatën e Lartë ku do të dalë para trupit gjykues për të marrë masën e sigurisë. Para se të hynte në Gjykatë, Frroku i prangosur ka ngritur duart lart për të përshëndetur të afërmit dhe mbështetësit e tij, ndërsa policët nuk e kanë lënë të lirë për asnjë çast.

Ora 12:10- Gjykata e Lartë jep sot masën e sigurisë për deputetët Frroku dhe Doshi. Seanca do të nisë sot në orën 13:00. Dy deputetët pritet të dalin para trupit gjykues në orën 13:30. Ndërkaq është vendosur po sot se masa për Bamin do të jepet të hënën në orën 10:00. Mësohet se deputeti Tom Doshi do të marrë pjesë në seancën e sotme. Lajmi konfirmohet nga avokatët e deputetit Tom Doshi

Ora 11:25- Avokatët e Tom Doshit, Vladimir Meçe dhe Ferid Muçaj kanë mbërritur në Gjykatën e Lartë. Avokati Meçe tha se do të njihen paraprakisht me provat e organit të akuzës. “Kemi ardhur të shohim provat. Do shkojmë të kërkojmë provat”, tha Meçe.

Ora 10:11- Kolegji penal i Gjykatës së Lartë rrëzon kërkesën për dorëheqje të gjyqtares Majlinda Andrea. Nëse Kolegji do të pranonte kërkesën e saj, do të hidhej sërish short për zëvendësimin me një tjetër gjyqtar. Andrea ka qenë një prej gjyqtareve të cilat kanë gjykuar çështjen “Gërdeci”.

KËRKESA PËR DORËHEQJE E GJYQTARES, PRITET NDRYSHIM I KOLEGJIT PENAL
Ora 9:50- Pritet ndryshimi i Kolegjit Penal për gjykimin e 2 deputetëve Doshi dhe Frroku si dhe të akuzuarit tjetër Durim Bami. Kjo pasi, një nga gjyqtarët pritet të dorëhiqet. Bëhet fjalë për gjyqtaren Majlinda Andrea, kërkesa e së cilës do të shqyrtohet nga një Kolegj tjetër Penal. Për zëvendësimin e saj do të hidhet short sërish, për të plotësuar numrin e gjyqtarëve në çështjen “Doshi”

Një ditë më parë mbërriti në Gjykatën e Lartë kërkesa për vlerësim ndalimi dhe caktimin e masës së sigurisë për dy deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi. Prokuroria e Përgjithshme mësohet se e ka dorëzuar kërkesën për të shpallur të vlefshëm ndalimin e tyre dhe më tej caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Po dje avokatët e Doshit dorëzuan në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e tij.

Pasditen e së enjtes Prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për ndalimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku me akuzën për dëshmi të rreme. Të premten dy deputetët janë marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes dhe në praninë e avokatëve, ndërsa mësohet se Doshi ka vijuar ti qëndrojë versionit dhe deklaratave të tij. Marrja në pyetje e Doshit ka zgjatur për rreth 4 orë dhe ka pasur momente tonesh të larta gjatë procesit.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: